Bardhyl Berberi/ Një kujtesë për votat e dibranëve

466
Dibra është bërë arenë e përplasjeve midis të majtës dhe të djathtës, si një test që do të thotë se e majta e ka konsumuar qeverisjen dhe humbjen e ka të pashmangshme… Kanë filluar akuzat e para për blerje votash dhe manipulim votash. Kush e ka fajin për të gjitha këto? Vota … Sa e pabesë që më je ti moj votë e mallkuar! Si përbindësh që na ke hyrë brenda vetes dhe je prezente në çdo qelizë të ekzistencës sonë, i gëlltitë pamëshirshëm të gjitha qytetet, fshatrat, trotuaret, godinat dhe shtëpitë e të varfërve. Në cilët grupe terminologjike gjuhësore je, në atë të besës shqiptare, që ka lindur si institucion juridike-politike me vlera të mëdha shpirtërore apo në atë të neveritshmes? Atë ditë, më 11 shator do të vijnë të të hedhin ty moj votë në kuti, dibranët do të vishem si në ditë feste gjithë solemnitet, por t’i moj votë mos i tradhto përsëri. Pa na thuaj ç’të kemi bërë, të gjithë neve na ke marrë në qafë, edhe pse ne të votojmë për veten tonë, e ti na çon nga të duash vet, na çon tek politikanët më të paaftë moralisht e intelektualisht, na çon te ata që u intereson paraja, femrat e shampanjë me orgjira nën dritën e qirinjve vezullues dhe brekët e grisura të Shukriut. 

Ti moj votë tradhtare nuk i shërben forcimit të vendit, ekonominë jo rrallë herë na e çon në greminë, shpresat na i venit dhe ne marrim valixhet dhe ikim larg Atdheut tonë të mallkuar, prej zhgënjimit tënd lemë shtëpinë dhe gjithçka të bukur që kemi ngritur për vite të tëra. Ti na mashtron moj votë, ne të gjitha shpresat e së mirës sonë i kemi në ty, e ti na humb këto shpresat e mirësisë e lirisë, ne të votojmë për të mirën tonë, e ju ktheheni kundër popullit tonë, ktheheni në krahë të politikanë të papërshtatshëm, të cilët janë të korruptuar deri në palcë, unë dal të të votoj për veten time, e ti votë më bëhesh e huaj; si s’të vjen turp për pafytyrësinë tënde dhe pabesinë! Çuditërisht në këtë çast duke shkruar për vota dhe votimet tona mu kujtua Shekspiri me dramat e tij tragjike, ku vjedhjet, korrupsionet, vrasjet dhe zgjedhjet politike përgatiteshin nëpër zyrat e kancelarive të fshehta, që kryheshin tinëzisht pas mesnate, kurse viktimat, pasi i burgosnin apo i vrisnin, i varrosnin me ceremoni zyrtare. 

Vota e dashur e ke humbur shenjtërinë dhe besnikërinë, je bërë prostituta më e madhe, sa poshtë e ke zbritur çmimin tënd, shitesh për një thes me miell, për një plazmë televizori, për të larë borxhet e listës nëpër ushqimore, e keqja më e madhe është se nuk ke më çmimin që t’i meriton, e ke humbur besimin. Ti moj votë e njerëzve të gjallë, saqë nuk mund ta mbrosh veten edhe nga të vdekurit, edhe ata luajnë me ty gjatë ditës së votimit, ngrihen nga varri, pa i pyetur fare të gjallët, hyjnë në qendrat e votimit, votojnë e pastaj përsëri kthehen në varret e tyre, njësoj si Konstadini që ngrihet nga varri për hir të Doruntinës. Tragjedia më e madhe e kohës sonë është vota jonë, këtë takëm parlamentarësh e pushtetarësh të paaftësh i kemi sjellë me votën, ashtu siç sollëm me votë edhe të shkretin Shukri, pikërisht këtu në Dibër moj votë, që nuk dihet ku shkon tamam si një prostitutë dhe na ekspozon pamje rrëqethëse. Dibranë, ruajeni votën dhe mos u gënjeni nga lajkat si në përrallën e ujkut dhe kecat dhe mos e shisni veten për një thes miell, se një ditë ai thesi me miell do të mbarohet dhe do të sorollateni rrugëve pa punë dhe do të vdisni urie dhe më e keqja, do t’iu mbysë si një metastazë kanceroze! 
Sigal