Bardhyl Berberi: Ja pse Ilir Meta kërkonte impulse të reja në qeveri

493
Ekzistojnë njerëz dhe politikanë, që janë ithtarë të idesë se gjithçka që ndodh në shoqëri, ndodh për shkak të një marrëveshjeje. Realisht, kjo është më se e vërtetë e cila funksionon në të gjitha vendet e civilizuara të botës. Çdo gjë që na rrethon në jetën e përditshme rrjedh nga marrëveshjet. Marrëveshja ndërton shtëpi, marrëveshja ngre një biznes të suksesshëm, marrëveshja kryen një kontratë martesore, dhe kur kjo është e sinqertë, ka sukses. Në të kundërt, ajo shkatërrohet. Edhe raportet më intime njerëzore i interpretojnë si produkt të marrëveshjeve mes njerëzve. Ekziston edhe një rregull i njohur latin që thotë “Pact sunt servant” se “Marrëveshjet duhet zbatuar”. Edhe qeveria aktuale PS dhe LSI është ngritur mbi bazën e një marrëveshjeje të koalicionit të majtë. Është bërë një pakt, një marrëveshje për të qeverisur së bashku, ku njëherazi të kryejnë disa reforma jetike, pasi vendi kishte ngelur në një kolaps të plotë. Por fatkeqësisht, tek ne ekziston një rregull tjetër. Këtu pra, mund te nënshkruhen shumë marrëveshje të cilat nuk zbatohen. Dhe sigurisht, do të donit ta dinit se pse është i rëndësishëm zbatimi i marrëveshjeve? Sepse vetëm ajo që zbatohet në jetën e përditshme, është ajo që është e dukshme, ndërkohë që një pjesë qëndron vetëm në letër.

 Për të pasur një tablo të qartë, mjafton vetëm të ndjekësh tenderat me qindra miliona lekë që janë bërë “rrush e kumbulla” siç thotë populli, sa nga babëzia për të abuzuar me detyrën, po aq edhe nga paaftësia e disa militantëve që janë vendosur nëpër poste drejtuese apo në institucione qendrore jo nga shkollimi dhe CV e tyre personale por nga një tesër partie. Kryetari i LSI dhe kryeparlamentari Meta, i cili ka qenë dhe vetë kryeministër në qeveritë e kaluara, e ka ndjerë që herët se marrëveshja me qeverinë aktuale i ngjan një varke në liqen që po fut ujë. Ajo nuk po funksionon siç duhet dhe kryeministrit aktual i ka kërkuar para disa muajsh ndryshime të kabinetit, madje ka dhënë shembull duke bërë një ndryshim në kabinet nga ministrat e tij. Pse reformat kanë ngelur në vend? Shpeshherë tentohet të bëhet kozmetikë dhe jo reformë dhe ka varfëri të tejskajshme. Në emër të reformave, me sistemin e taksave mungojnë financat, si mosrealizimet në dogana e tatime. Shëndetësia e përfolur në skandale financiare korruptive, reforma në drejtësi pëson oshilacione dhe shkon drejt miratimit, dhe papritur kurba ulet dhe fillon nga zero.

 Kur jemi te zbatimi i marrëveshjeve, ka kohë që në shoqërinë dhe shtetin tonë zhvillohet një debat i gjatë, i lodhshëm dhe monoton lidhur me çështjen e reformës në drejtësi, njëherazi dhe për dekriminalizimin e parlamentit, dhe së fundmi edhe për byronë e hetimit. Duket qartë që bashkëqeverisja nuk funksionon ashtu siç duhet, dhe marrëveshja që qëndron në këmbë me paterica, ka një fasadë, si takime pas takimesh mes dy liderëve të majtë tek “Vila 30”, në praninë e të huajve, duke arnuar qëndrimet dhe duke arritur marrëveshje formale. Populli thotë “më mirë vonë se kurrë”, dhe duket se kryeministri Rama ka hequr dorë nga kryeneçësia e tij se qeveria nuk ndryshohet. Ai ka ndryshuar ministrin e Financave Z. Cani. Mosrealizimet e të ardhurave dhe tatime-doganave krijuan atë gropë të madhe që Rama nuk mund ta kapërdinte më. Rama tashmë që e nxori bisturinë, le të kryejë dhe operacione të tjera në ministrat e paaftë, atje ku ka mosrealizime dhe performanca e tyre në këto tre vite ka qenë gati e vakët. Ata kanë shkelur vijën e kuqe dhe duhet të hapin krahun, nëse duan vërtet që ta mbyllin këtë mandat. Në këtë moment më erdhi në mend një shprehje e Martin Luter King: “Jo veprimet e gabuara të njerëzve të këqij, por heshtja e njerëzve të mire, është ajo që e prish një komb”.
Sigal