Bardhyl Agasi:Amerikanët e dinë se kush fshihet pas Gjykatës së Tiranës

635
Sigal

 INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, ish-sekretari i marrëdhënieve me publikun në PS, Bardhyl Agasi

Pse është ndezur para kohe fushata për zgjedhjet e 23 Qershorit? Sa e ashpër do të jetë fushata zgjedhore që sapo ka nisur? Po “ngërçi” që krijoi ditët e fundit Gjykata e Tiranës në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, sa i vërtetë është? Për këto dhe çështje të tjera zhvilluam këtë bisedë me ish-sekretarin për marrëdhëniet me publikun në PS, Bardhyl Agasi.

 -Z. Agasi, edhe pse duhen më shumë se katër muaj deri në ditën e zgjedhjeve të 23 Qershorit, atmosfera e tyre është e ndezur. Si e mendoni perspektivën e zhvillimit të kësaj fushate zgjedhore?

-Në fakt, në Shqipëri nga zhvillimet politike gjithmonë ndjehet një atmosferë zgjedhjesh, aq sa të duket sikur është një fushatë e pafund elektorale, ku një rol për këtë luan masmedia, duke pasqyruar gjerësisht të gjitha ngjarjet politike, takime të panumërta me elektoratin, konferenca shtypi, emisione debat me politikanë, gazetarë, analistë etj. Sigurisht, sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve, aq më shumë ndizet dhe atmosfera e tyre, pra deri më 23 Qershor do të shfaqet një luftë më e egër politike. Edhe pse që nga viti 1991 janë zhvilluar disa zgjedhje, si për pushtetin qendror, ashtu dhe për atë vendor, apo dhe referendume, gjithmonë për to ka patur kontestime, jo vetëm nga pala e opozitës, nga çdo forcë e përfaqësuar në të, por dhe nga organizmat dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, të cilët edhe pse i kanë konsideruar si më të mira nga ato të mëparshmet, prapë kanë konstatuar se ka patur shkelje, çrregullime dhe manipulime. Gjithmonë ka patur përmirësime të kodit dhe ligjit zgjedhor në bashkëpunim midis maxhorancës dhe opozitës dhe, gjithmonë ka patur parregullsi, gjë që dëshmon se ato kanë ndodhur më shumë jo si pasojë e ligjit zgjedhor, por e vullnetit të keq politik. Sigurisht mbajtja edhe për këto zgjedhje e ligjit proporcional-rajonal nga dy partitë e mëdha dëmton partitë e tjera dhe i detyron ato të bëhen satelite të dy forcave të mëdha, duke mos iu përmbajtur identitetit dhe programeve të tyre. Pra, duke u nisur dhe nga zhvillimet e këtyre ditëve, parashikohet një fushatë e ashpër dhe stresuese. Megjithatë, unë dua të besoj se zgjedhjet do të zhvillohen të rregullta, të lira, të pakontestueshme, për të përmbushur domosdoshmërinë për një votë të lirë të qytetarëve shqiptarë, si dhe kushtëzimin për të bërë hapa të sigurt të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Nëse do të ndodhte e kundërta, nuk do të dihej sa e sa kohë do t’i duhej Shqipërisë për t’iu dhënë mundësia për marrjen e statusit dhe hapja e derës për t’u futur në familjen e madhe europiane.

– Pra, ju mendoni se, ndër çështjet më përcaktuese për statusin do të jetë zhvillimi i zgjedhjeve në Shqipëri?

– Këtë nuk është e vështirë ta kuptosh apo ndjesh. Kjo tani është shprehur dhe është theksuar fort nga aleatët tanë europianë dhe amerikanë, kam parasysh edhe vizitën e Komisionerit Stefan Fyle pak ditë më parë, të cilët kanë shfaqur hapur shqetësimin e tyre për mosmarrjen e statusit përsëri nga Shqipëria, si pasojë e konflikteve të papajtueshme maxhorancë-opozitë. Njëra palë e lidh mosmarrjen e statusit nga mosvotimi i tre ligjeve nga opozita, pala tjetër e arsyeton jo për shkak të tre ligjeve, por për moszbatimin e ligjeve në përgjithësi nga maxhoranca aktuale, duke u ngulitur fort në këshillin e qarkut të Fierit. E rëndësishme është të kuptohet se politika konfliktuale, arkaike, mosgjetja e konsensusit, mungesa e tolerancës, vënia e interesave të ngushta partiake mbi ato kombëtare, ka bërë që, edhe pse partnerët tanë janë gati t’ia japin Shqipërisë statusin, e theksoj – Shqipërisë dhe jo partive, fatkeqësisht, mesa duket ai nuk do të merret para zgjedhjeve, ndaj dhe zgjedhjet do të jenë përcaktuese. Është e domosdoshme dhe patriotike që kjo të kuptohet dhe të vlerësohet nga të gjithë, që nga qytetari i thjeshtë deri tek çdo lider i çdo partie politike me peshë dhe me elektorat që e mbështet. Përndryshe, BE dhe SHBA do të ndjenin një zhgënjim të madh ndaj klasës aktuale politike shqiptare.

– Z.Agasi, ditët e fundit kemi një zhvillim tjetër të rëndësishëm juridiko-politik. Do të dinim mendimin tuaj për vendimin e Gjykatës së Tiranës për vrasjet e 21 Janarit 2011, si dhe për deklaratën e kësaj gjykate për Ambasadën Amerikane?

– Jo vetëm opinioni ynë, por dhe SHBA dhe BE kanë pritur një proces të besueshëm gjyqësor për këtë ngjarje tragjike që u mori jetën katër qytetarëve të pafajshëm që protestonin në bulevardin kryesor të Tiranës. Ndaj për këtë, si Prokuroria e Përgjithshme dhe qeveria shqiptare, i kanë kërkuar ndihmë për ekspertizë organeve të specializuara të ShBA-ve. Tanimë është bërë i ditur vendimi i Gjykatës së Tiranës, duke i shpallur të pafajshëm gardistët e akuzuar për vrasjen e katër protestuesve. Gjithashtu jemi njohur dhe për vazhdimësinë e këtij procesi në Gjykatën e Apelit, kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Në një vend demokratik, ku pushteti gjyqësor është (duhet të jetë) i pavarur, vendimet e tij janë të padiskutueshme. Por, për fat të keq, tek ne ende drejtësia nuk i ka duart e lira dhe është e ndërvarur nga pushteti politik. Por tani që procesi është në vazhdimësi, nuk na jepet e drejta për të shfaqur në mënyrë të plotë opinionin tonë, duke qenë në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit. Por unë nuk mund të bie dakort me deklaratën e gjykatës së Tiranës për ndërhyrje dhe paragjykim, sipas saj, të Ambasadës Amerikane. Kjo gjë është e papranueshme, sidomos nga një institucion i tillë si gjykata e Tiranës, e cila me deklaratën e saj bëhet vetë një paragjykuese, por edhe si institucion i drejtësisë duhet të jete e privuar nga qëndrime të tilla. Gjykata e Tiranës duhet të ishte më e kujdesshme dhe më e përgjegjshme, veçanërisht kur ka të bëjë me një qëndrim ndaj përfaqësisë së vendit që është dhe miku, aleati ynë më i madh, ShBA-ve. Deklarata e Gjykatës së Tiranës përbën një nga rastet e pakta në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA-të, pas shembjes së komunizmit, por, pse jo, ky qëndrim sfidant mund të ndikojë edhe  në marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara.

– Pra ju mendoni se Shtetet e Bashkuara, në një mënyrë a në një tjetër mund ta ndëshkojnë Shqipërinë për këtë akt të Gjykatës së Tiranës?

– Jo, unë nuk mund të mendoj se Shtetet e Bashkuara do ta identifikojnë Shqipërinë me Gjykatën e Tiranës. Edhe më naivi në Shqipëri e sheh, e kupton dhe e ndien se deklarata e gjyqtarëve të Tiranës nuk ishte e tyrja: ajo ishte një deklaratë e pushtetit aktual politik dhe qeverisës. Me atë deklaratë inatçore dhe naive do të thosha, gjyqtarët tanë pohuan se nuk janë aspak të pavarur dhe se janë nën diktatin politik dhe nën këtë diktat marrin edhe vendimet. Prandaj dhe ka humbur besimi tek drejtësia. Ata vërtetuan një cen të madh të demokracisë sonë: ne nuk na funksionon një nga shtyllat e demokracisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara e di fare mirë këtë. Për pasojë, nuk mund të ndëshkohet Shqipëria dhe populli shqiptar për një qëndrim të Gjykatës së Tiranës. Sepse Uashingtoni zyrtar dhe Shtëpia e Bardhë e dinë fort mirë se Shqipëria dhe shqiptarët janë nga miqtë më të mirë në botë të tyre. Prandaj dhe në rast se ata do të ndëshkojnë ndokënd për këtë gjest sfidues të ditëve të fundit, mendoj se këtë do ta bëjnë për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

– Ju faleminderit!