Bardhyl Agasi: “Përballimi i krizës ekonomike, papunësia, korrupsioni janë emergjencat e qeverisjes së re”

549
Sigal

Progresi i Shqipërisë është i garantuar nga qeverisja e së Majtës

Bardhyl Agasi, në intervistën për “Telegraf” shprehet se qëndrimi i Berishës tani, për rezultatin e zgjedhjeve të 23 Qershorit, dëmton imazhin e vendit dhe mund të ndikojë për keq në vendimmarrjen e BE-së për statusin kandidat për Shqipërinë. Sipas zotit Agasi, prioriteti kryesor i qeverisjes PS-LSI do të jetë lufta kundër korrupsionit, përballimi i krizës ekonomike, lufta kundër  papunësisë. Zoti Agasi shpreh mendimin se duhen të bëhen edhe ndërhyrje kirurgjikale në Kushtetutë, për t’i shërbyer qëllimit të ndërtimit të shtetit të së drejtës. 

– Zoti Agasi, si e shpjegoni  që palët politike e kanë pranuar rezultatin zgjedhor, ndërsa tani bëjnë fjalë për mosnjohje të zgjedhjeve?

– Tanimë njohja e rezultatit të zgjedhjeve është një fakt i kryer. Edhe rinumërimi i votave, pavarësisht se u shpall jo i ligjshëm edhe nga Kolegji Zgjedhor, me gjithë disa parregullsi jo të ndjeshme, nuk solli ndryshim rezultati. Kështu edhe pretendimet nga ndonjë forcë politike janë si kofini pas të vjelit. Vetë PD-ja besoj, e bindur që e Djathta e kryesuar nga ajo i ka humbur zgjedhjet. Mesa duket, Berisha, me qëndrimin tani ndryshe, kërkon të ngrejë moralin e forcës së tij politike, gati të rrënuar nga rezultati real, por dhe të ketë një bazament të ri për luftën politike në parlamentin e ardhshëm. Megjithatë, ky qëndrim, pas atij përgëzimi nga opinioni ndërkombëtar për një standard të ri të arritur në zgjedhjet e 23 Qershorit, e dëmton imazhin e vendit në prag të një sigurie të plotë për marrjen e statusit si vend kandidat për në BE. Nisur nga kjo, Berisha dhe PD-ja duhet të ngrihen mbi interesat e ngushta partiake. Madje, unë mendoj se një qëndrim objektiv i tyre do t’i ndihmonte në ruajtjen e një stabiliteti politik, pas kësaj situate të vështirë. Prioritet në këtë situatë duhet të jetë analiza për këtë humbje dhe parashtrimi i të gjitha masave politike, organizative, strukturore për forcimin e partisë kryesuese e Aleancës së Djathtë.     – Rinumërimi i votave ndihmon në transparencë, apo i shërben qëllimeve të caktuara partiake?

– Rinumërimi i votave do të ndihmonte vërtetë në transparence, kur ai të bëhej në baza ligjore dhe kur ankimimi të ishte bazuar në fakte konkrete vërtetë shqetësuese, që do të vinte në dyshim rezultatin e zgjedhjeve. Ndryshe, është e qartë se ai i shërben qëllimeve partiake.

– Mendoni se e Majta fitoi në saj të alternativave që ofroi te elektorati, apo vota ishte “kundër” qeverisjes Berisha?

– Mendoj sa janë të dyja. E Majta fitoi edhe nga alternativat e reja që ajo paraqiti para dhe gjatë fushatës, por dhe nga një pakënaqësi e akumuluar nga qeverisja e Berishës. Duhet pranuar se PS-ja u parapërgatit në mënyrë tepër serioze për një program konkret, mjaft të detajuar, të cilin arriti përmes formave të ndryshme t’ia bëjë të njohur atë qytetarëve shqiptarë. Por edhe vetëdija e qytetarit tonë, kultura e tij demokratike tanimë janë të kultivuara dhe si rrjedhojë ishte e vështirë të pranohej një qeverisje e tejzgjatur. Kërkohej gati si i domosdoshëm rotacioni politik, për më tepër kur ekonomia po vështirësohej nga dita në ditë. Kërkohej ndryshimi dhe kësaj kërkese iu bashkangjit gati në perfekt një program realist, perspektiv nga e Majta, e përforcuar me bashkimin PS-LSI.

– Faktikisht, LSI-ja është fituesja e madhe e 23 Qershorit. Cili është shpjegimi juaj?

– E rëndësishme është arritja e fitores së përbashkët,si koalicion i Majtë. Unë vazhdimisht kam qenë partizan i këtij bashkimi, si një garanci për fitore në çfarëdo zgjedhjesh që bëhen. Nëse ky bashkim nuk do të arrihej përsëri, do të vihej në dyshim fitorja e së Majtës dhe e PS-së, por dhe rezultati i LSI-së. Nëse ajo do të ishte aleate e PD-së, do të dilte një forcë humbëse. Por dhe nëse do të konkurronte vetëm, sidomos me këtë sistem zgjedhor, ajo përsëri nuk do të mundte kurrsesi të arrinte këtë rezultat. Kthimi i saj në Aleancën e së Majtës, e çoi LSI-në në këtë rezultat. Prandaj liderët Rama dhe Meta kanë kuptuar, se vetëm bashkimi i jep të Majtës fitoren.

– Mendoni se premtimet elektorale që u dhanë nga PS-ja, do të jenë të mundshme të realizohen, duke patur parasysh edhe gjendjen reale ekonomike?

– Kuptohet se jo të gjitha premtimet do të realizohen me sapo të nisur punën qeveria e re, pavarësisht nga dëshirat dhe qëllimet e mira dhe nga pritshmëria e madhe. Por unë shpreh besimin se me një punë vetëmohuese premtimet e dhëna do të përmbushen në kohën e duhur. Marrja e statusit të kandidatit, fillimi i punës së TAP-it, krijimi i klimës sa më favorizuese për biznesin vendas, për investimet e huaja, masat ekonomike sa më konkrete etj, do të bëjnë që premtimet, sidomos për rritjen e mirëqenies, të ndjehen sa më shpejt.

 – Për çfarë arsyesh duhet të shpresojmë se qeverisja PS-LSI do të ketë vullnet politik për të luftuar korrupsionin?

– Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë prioritet mbi prioritetet. Korrupsioni është kalbëzuesi më i madh i një shteti, i një sistemi. Qeveria e re e Majte duhet të sigurojë pavarësinë e institucioneve shtetërore, ndarjen e pushteteve, pavarësinë e drejtësisë, duhet të sigurojë zbatueshmërinë e ligjit. Demokracia është Diktatura e ligjit. Vetëm një qeveri e pakorruptuar ka të drejtën morale, politike dhe ligjore për të luftuar dhe ndëshkuar korrupsionin. Unë dua të besoj se qeveria e re do ta ketë këtë të drejtë dhe vullnetin politik.

– Pa u bërë ndryshime të tilla kushtetuese, të cilat do të mund të korrigjonin gabimet e 2008-s, a mund të ndërtohet shteti i së drejtës, sikurse është premtimi i madh i PS-së?  Deri tani, nga PS-ja, nuk është dëgjuar se mund të ndërmarrë reforma të ndryshimeve kushtetuese.

– Në një vend demokratik Kushtetuta, ligji themeltar i shtetit, mbetet dokumenti më i pandryshueshëm. Për fat të keq tek ne brenda një periudhë fare të shkurtër që nga dita e miratimit të saj nga populli, janë bërë disa herë ndryshime, herë të nevojshme dhe herë sipas oreksit të njërës apo tjetrës pale dhe herë të të dyjave bashkë. Ky nxitim dhe kjo papërgjegjshmëri ka bërë që në Kushtetutën e tanishme të ndjehen mangësi apo boshllëqe, ndonjë ngërç, të cilët edhe mund të kërkojnë ndonjë ndërhyrje kirurgjikale, veçse kjo nuk mund të lihet vetëm në duar të politikanëve, por më shumë në duar të mjeshtrave të vërtetë konstitucionalistë.

Ja detyrat kryesore të qeverisjes së re

– Cilat do të jenë sfidat e para të qeverisjes së Majtë PS-LSI?

 – Natyrisht sfidat janë të shumta dhe të mëdha, mbi të gjitha është përballimi i pritshmërisë së madhe të votuesve  dhe jo vetëm atyre të majtë, për të ndjerë sa më shpejt frytet e ndryshimit të një qeverisje të re. Më saktë, është sfida ekonomike, e përballimit të pasojave të një krize ekonomike, e cila për fat të keq përpiqej të mbahej e fshehur, por që rëndonte nga dita në dite. Është sfida e madhe e uljes së papunësisë. Janë dhjetëra e dhjetëra të rinj dhe të reja që kanë mbaruar universitetet tona dhe që  nuk gjejnë një vend pune. Është kriza e madhe e korrupsionit, që duhet luftuar jo thjesht me platforma dhe fjalë boshe, por me veprime konkrete, me zbatueshmëri të ligjit për këdo dhe kud. Është kriza e madhe e drejtësisë, ku shigjetat e para të luftës kundër korrupsionit duhen drejtuar pikërisht në radhët e saj. Është sfida e madhe e arsimit dhe e kulturës, për ta vënë shkollën tonë në baza të qëndrueshme, larg eksperimentimeve çoroditëse, për t’i rikthyer kulturës dhe artit tonë tiparet tradicionale dhe kombëtare dhe për t’i dhënë një frymë sa më bashkëkohore, larg dekadencës morale. Një sfidë e vërtetë që duhet të gjejë zgjidhje sa më të shpejtë është ajo e rikthimit dhe kompensimit te pronave dhe e shpërblimit të shtresës së ish të përndjekurve dhe të burgosurve politikë. Pra, sfidat janë të shumta dhe të vështira, që kërkojnë një mobilizim mjaft të madh nga qeveria e re,  e cila e gjen arkën e shtetit në një gjendje shumë të rëndë.