Bardhi: Kallëzimi i Metës ndaj Dvoranit të Partisë, akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës

465
Sigal

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, e ka cilësuar si aktin e duhur kallëzimin penal të nisur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ndaj kryetarit të KED, Ardian Dvoranit, duke e cilësuar si një akt mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese.

‘Kallëzimi penal i Presidentit të Republikës ndaj Kryetarit të KED është akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese.

Me veprimet e tij në shërbim të partisë në pushtet, Ardian Dvorani ka minuar ligjshmërinë dhe besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.

Partia Demokratike beson se një hetim i shpejtë, i plotë dhe i pavarur  i shkeljeve të ligjit nga Ardian Dvorani, është një gur themeli për rikthimin e besimit tek drejtësia.

Nga veprimet e prokurorisë do të varet, nëse shqiptarët mund të besojnë akoma se Reforma në Drejtësi nuk u bë që sistemi të kontrollohet nga Edi Rama, por për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar dhe për të trajtuar shqiptarët si të barabartë para ligjit.’