Bardhi: Edi Rama po i vendos një tjetër damkë Shqipërisë, atë të burgosjes politike të opozitës. Ata janë të burgosur politikë, për shkak se janë mbështetës të PD, janë kundërshtarë politikë të Edi Ramës

1121
Sigal

DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI, PAS VENDIMIT PËR PROTESTUESIT E NDALUAR.

Klithmat e asaj nëne që ju dëgjoni në këtë moment, sigurisht, janë mesazhi që unë dua t’i përcjell sot Edi Ramës dhe gjithë bandës së tij në qeveri: Lotët e nënave që i burgos për arsye politike fëmijët e tyre, të jesh i sigurt që do të kthehen mbrapsht në familjen tënde dhe familjet e bandës tënde qeverisëse.

Asnjëri prej tre të arrestuarve që u mbajtën  sot në burg me urdhër politikë të Edi Ramës nuk ka kryer asnjë akt dhune gjatë protestës së fundit të 13 prillit.

Asnjëri prej 40 të arrestuarve që u mbajtën 48 orë nën arrest si të burgosur politikë me urdhër të Edi Ramës nuk ka kryer as edhe një akt dhune, nuk ka asnjë ndryshim të organit të Prokurorisë. Prokuroria edhe sot shërbeu  si vegël politike ku kërkoi mbajtjen nën arrest të 16 protestuesve.

Gjykata konstatoi atë që unë ju thashë dje përpara Prokurorisë, që nuk ka asnjë fakt, asnjë provë, asnjë pamje filmike që këta qytetarë të arrestuar të kenë kryer një akt dhune.

Ata janë thjesht të burgosur politikë për shkak  se janë mbështetës të Partisë Demokratike, janë kundërshtarë politikë të Edi Ramës  dhe Edi Rama është duke vendosur një tjetër damkë Shqipërisë, atë të burgosjes politike.

Sigurisht, që është në ditët e fundit të tij dhe është e kuptueshme që do të bëjë çdo përpjekje për të mbajtur pushtetin e tij kriminal edhe duke burgosur për arsye politike qytetarët.

Të jetë i sigurt se sa më shumë të burgosur politikë të ketë atje brenda, aq më shumë qytetarë do të ketë në shesh, në protestat e radhës. Deri më tani protestuesit kanë qenë në protesta paqësore për të kërkuar largimin e një qeverie antikushtetuese. Të jetë i sigurt se nëse vazhdon me dhunën ndaj protestuesve dhuna do t’i kthehet mbrapsht.

Pyetje: Sa ka shkuar numri i të ndaluarve që prej protestës së parë?

Gazment Bardhi: Janë mbi 200 qytetarë që shoqërohen në mënyrë kriminale  me urdhër politikë në të gjitha protestat e opozitës. Janë mbi 10 të burgosur politikë në këtë moment që flasim që mbahen në burg me urdhër politikë të Edi Ramës dhe sigurisht që janë me dhjetëra qytetarë të tjerë të shpallur në kërkim apo të proceduar penalisht. Koha kur shqiptarët frikësoheshin me burgim politikë ka mbaruar, siç ka mbaruar edhe koha e qeverisë ilegjitime të Edi Ramës.

Faleminderit!