Barazi dhe Vendimmarrje/ Flet Edlira Çepani: Të rinjtë janë katalizatori dhe energjia e çdo ndryshimi pozitiv

1243
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Aktiviste për të Drejtat e Njeriut dhe Koordinatore Kombëtare e Rrjetit “Barazi ne Vendimmarrje”

Edlira Çepani – Aktiviste për të Drejtat e Njeriut dhe Koordinatore Kombëtare e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje” në intervistën për gazetën “Telegraf” na njeh me aktivitetin e Rrjetit të Grave “Barazi në Vendimmarrje” në Shqipëri, SEGA në Maqedoni dhe ZANA OJF në Kosovë që kanë ndërmarrë prej disa muajsh nismën “Bashkëpunimi rinor për progres në Ballkanin Perëndimor”, me mbështetjen e RYCO (Regional Youth Cooperation Office) që synon të nxisë krijimin e hapësirave ndërvepruese nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga Kosova, për të forcuar bashkëpunimin përmes shkëmbimit të njohurive, krijimit të rrjeteve dhe pjesëmarrjes aktive. Nisma përmbante disa aktivitete të ndryshme si; trajnime, kampe rinore, takime dhe punë në grupe dhe në përfundim të tyre, një ekspozitë për të dhënë mesazhet e të rinjve përmes artit së fotografisë. Pikërisht në këtë kuadër,Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” organizoi ekspozitën “NJË FOTO VLEN SA 1000 FJALË” me fotografi të realizuara nga të rinjtë.

-Zonja Edlira, cili është qëllimi i aktivitetit të bashkëpunimit rinor të Ballkanit Perëndimor dhe cilët janë organizuesit dhe pjesëmarrësit?

– Me qëllim krijimin e bashkëpunimit ndërkulturor në rajon, Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” në Shqipëri, SEGA në Maqedoni dhe ZANA OJF në Kosovë kanë ndërmarrë prej disa muajsh nismën “Bashkëpunimi rinor për progres në Ballkanin Perëndimor”, me mbështetjen e RYCO (Regional Youth Cooperation Office) që synon të nxisë krijimin e hapësirave ndërvepruese nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga Kosova, për të forcuar bashkëpunimin përmes shkëmbimit të njohurive, krijimit të rrjeteve dhe pjesëmarrjes aktive. Përmes kësaj nisme të rinjtë kanë pasur mundësi të zbulojnë vendet fqinje, traditat dhe kulturat nëpërmjet edukimit joformal dhe të zhvillojnë të menduarit kritik, për të sjellë ide të reja në zgjidhjen e problemeve dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe bashkëpunim frytdhënës. Në kuadër të kësaj nismë rreth 100 të rinj nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, kanë realizuar së bashku aktivitete mbi barazinë gjinore, përfshirjen sociale dhe pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje, paqes dhe bashkëjetesës në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Nisma përmbante disa aktivitete të ndryshme si trajnime, kampe rinore, takime dhe punë në grupe dhe në përfundim të tyre, një ekspozitë për të dhënë mesazhet e të rinjve përmes artit së fotografisë. Pikërisht në këtë kuadër, Rrjeti i Grave “Barazi në Vendimmarrje” organizoi ekspozitën “NJË FOTO VLEN SA 1000 FJALË” me fotografi të realizuara nga të rinjtë.

-Çfarë përvoje u shkëmbye gjatë ditëve të aktivitetit? Cilat vlera evidentoi ekspozita juaj?

-Ekspozita me punimet e të rinjve solli fotografi të realizuara nga vetë ata, duke pasqyruar realitetin në të cilin ata jetojnë dhe për të krijuar një hapësirë ku të rinjtë të kenë një zë më të fuqishëm për të sjellë ndryshim, shembuj pozitivë në shoqëri dhe aktivizëm përmes artit. Të rinjtë u nxitën të shprehnin përmes artit thirrje, problematika dhe aspekte pozitive në lidhje me barazinë gjinore, bashkëjetesën fetare, gjeografike dhe moshore, me fokus bashkëpunimin dhe kontributin e gjithsecilit për një shoqëri më të mirë.

– Cilat ishin vlerësimet e veprave të ekspozuara në ekspozitën tuaj?

– Gjatë këtij eventi u ndanë 3 çmime:

Çmimi i parë, i cili u përzgjodh nga juria profesioniste shkoi për Elena Gjeçka, e cila kishte paraqitur një fotografi të realizuar në qytetin e Korçës, nën titullin “Bashkë!” për një shoqëri pa ndasi, por të bashkuar për një jetë më të mirë, më shembullin e bukur të bashkimit që japin fëmijët.

Çmimet e publikut, të vendosura nëpërmjet rrjeteve sociale shkuan për studentet, Elona Tutaj e cila kishte fotografinë e realizuar në Tiranë nën titullin “Fol!” si një mënyrë për të t’u dhënë zë grave dhe vajzave shqiptare që mos të nënshtrohen më dhe të kërkojnë të drejtat e tyre.

Çmimi i dytë i publikut, i shkoi studentes Klarisa Rexhvelaj me fotografinë e realizuar në qytetin e Shkodrës nën titullin “Kemi mësuar të jetojmë në paqe dhe harmoni së bashku, ne bashkëjetojmë!” që përçonte mesazhin e tolerancës fetare në Shqipëri, si një nga mënyrat më të bukura të bashkëjetesës që karakterizon vendin tonë.

-Cili është mendimi juaj për këtë nismë dhe për angazhimin e të rinjve?

– Mendoj se të rinjtë janë katalizatori dhe energjia e çdo ndryshimi pozitiv, si për vendet e tyre ashtu edhe për Rajonin. Çdo investim për të rinjtë është një investim që vlen, jo vetëm për të ardhmen, por edhe për të tashmen. Një shoqëri më e mirë mund të funksionojë vetëm, nëse të rinjtë janë të angazhuar dhe të mbështetur në mënyrën e duhur për të kontribuar për të.

– Suksese!