Banorët pezullojnë mbledhjen në këshillin bashkiak të Vlorës

512
Banorët e Orikumit dhe lagjes ‘Kushtrim’ në Vlorë, protestuan me pankarta dhe thirrje gjatë mbledhjes së Këshillit bashkiak, për mungesën e shërbimeve dhe kompensimin e banesave të prekura nga projektet infrastrukturore. Protesta u shoqërua me momente tensioni, çka detyroi ndërhyrjen e efektivëve të policisë bashkiake për qetësimin e situatës, ndërsa mbledhja u pezullua, pasi me banorët u solidarizuan edhe këshilltarët e djathtë. Bashkia e Vlorës pas protestës tha se do të marrë në shqyrtim shqetësimet për t’u dhënë një zgjidhje në kohë sa më të shpejtë. Shqetësimet dhe zhgënjimin fillimisht i shprehën përmes pankartave që i drejtoheshin kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Vlorës. “Dritan Leli na gënjeu! Edi Rama na gënjeu!” 28 familje të lagjes ‘Kushtrimi’ në Vlorë janë prekur nga ndërtimi i rrugës lidhëse të autostradës me rrugën Transballkanike. Ata thonë se nuk kanë marrë kompensimet e premtuara, ndërsa prej 4 muajsh nuk u paguhet as qiraja. 

Banori: Do u japim 70% dhe blini vetë shtëpitë. Atë ta realizojnë. 

Banorja: Tani jemi pa punë, jam 7 veta në familje dhe nuk kam asnjë të ardhur. Ndërsa mungesa e ujit dhe energjisë është shqetësim i banorëve të Orikumit në prag të sezonit turistik. 

Banori: Orikumi është duke pritur një sezon turistik totalisht i braktisur. Me protestën u solidarizuan edhe këshilltarët e djathtë, të cilët më pas bojkotuan mbledhjen, pasi kërkesat e banorëve nuk u futën në rendin e ditës. Për pasojë, mbledhja u ndërpre. Ndërkohë bashkia e Vlorës pas protestës tha se do të marrë në shqyrtim kërkesat e banorëve për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë.
Sigal