Banorët (për)mbyten, qeveritarët bredhin në turizmin zyrtar

697
Jakup B. GJOÇA
KESH dhe qeveria janë përgjegjësit e përmbytjeve në zonën e Shkodrës
Ndonëse reshjet e shiut janë të pakte, ende niveli i ujit në zonat e përmbytura në Shkodër nuk është ulur. Përkundrazi. Kjo, ngaqë portat e digave të hidrocentraleve janë të hapura, për të derdhur sasitë e tepërta të ujit (në ultësirat e Shkodrës) nga liqenet e tyre. 

Qeveria fsheh të vërtetën e përmbytjeve
Për çdo vit, banorët dhe tokat në ultësirën e Shkodrës përmbyten. Jo nga reshjet e shirave, por nga uji që shkarkohet nga liqenet e hidrocentraleve. Përgjegjësi kryesor i përmbytjeve është KESH, i cili nuk miradministron sasitë e ujit në hidrocentral. Ndodh që edhe në muajt e dimrit, hidrocentralet punojnë nën kapacitetin, sepse KESH bën “ekonomi” në sasitë e ujit. Mirëpo, ngaqë KESH nuk studion motin dhe nuk parashikon mundësinë e sasisë të reshjeve, ndodh që reshjet e shumta të sjellin në liqenet e hidrocentraleve, sasi të mëdha në një kohë të shkurtër, duke rrezikuar kështu, edhe digat. KESH, në kësi rastesh, gjen rrugën më të lehtë për të. Hap portat e digave dhe derdh kuturu sasi të mëdha uji. Këto sasi të ujit, të derdhura nga liqenet e hidrocentraleve përmbytin zonat e Shkodrës. KESH gjatë vitit nuk përkujdeset fare të mirëmbajë edhe rrjetin e derdhjeve të ujit, që është ndërtuar, që uji të derdhet në det dhe jot ë përmbytë ultësirat. Edhe qeveria (në vazhdimësi) nuk ka marrë masat që parashikon ligji, të mos lejojë ndërtimin e shtëpive të banimit nën kuotat e lejuara, Në tërë këto 25 vite, qeveritë qendrore dhe vendore kanë mbyllur sytë dhe kanë toleruar fshatarët që të ndërtojnë shtëpi edhe në ato ultësira që diheshin se do të mbuloheshin me ujë në dimër. Madje, jo vetëm kaq, por lakmia për të zaptuar toka bujqësore dhe të ndërtonin në to shtëpi, bënë që banorët të prishnin, për interesa përfitimi vetjakë, edhe vepra të atilla parandaluese të përmbytjeve, si argjinatura, kolektorë, etj. Pasojat tani janë përmbytja. Ndërkohë, që pushteti qendror dhe vendor nuk është përkujdesur të ndërtohen vepra parandaluese të përmbytjeve, dhe është treguar shpërfillës, kur edhe ato vepra që janë ndërtuar, kanë qenë nën standardet teknike, Gjithashtu, shteti ka shkatërruar edhe institucionet teknike që përkujdeseshin për mbrojtjen e tokave. Sikurse thonë specialistët e vjetër, dikur kishte 25 inxhinierë, që përkujdeseshin për veprat parandaluese të ujit në zonën e Shkodrës, ndërsa tani nuk ka asnjë specialist, as pranë bashkisë.

Shteti nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme 
Ndonëse praktikisht, zona dhe sipërfaqe të tëra, mijëra hektarë tashmë janë të përmbytura, mijëra shtëpi banimi dhe toka bujqësore janë nën ujë, janë të dëmtuara mijëra hektarë prodhime bujqësore të stinës, dhe kjo vazhdon për javë të tëra, ende shteti nuk ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, edhe pse aty janë mobilizuar qindra forca të Ushtrisë. Sipas ligjit, meqë janë të përmbytura për javë të tëra mijëra shtëpi banimi, dhe janë dëmtuar mijëra hektarë me produkte bujqësore, duhej të ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Mirëpo, qeveria nuk e shpall gjendjen e jashtëzakonshme, sepse, paskëtaj, sipas ligjit, duhet që shteti të dëmshpërblejë banorët 100 për qind për dëmet materiale. 

Qeveria u jep thërrime lëmoshë, banorët duhet të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut
Ndonëse pranë banorëve në zonat e përmbytura gjendjet edhe ushtria në këto javë të vështira, e cila ndihmon sa mundet, duke shpërndarë edhe (ato pak) ndihma materiale, duhet theksuar, se ndihma kufizohet në dhënien e disa shtretërve portativë, disa thasëve me miell e teneqe me vaj. Banorët i kërkojnë me forcë qeverisë, që të dëmshpërblehen, sipas ligjit, për të gjitha dëmet e shkaktuara nga fatkeqësia e përmbytjes. Nëse banorët gjejnë zyra avokatore, dhe shkojnë në gjykatën e Strasburgut, kundër qeverisë shqiptare, për mos shpërblimin nga fatkeqësia e përmbytjes, atëherë edhe dëmshpërblimi që do të detyrojë gjykata e Strasburgut qeverinë shqiptare do të jetë në miliona euro, sipas dëmtimeve reale.

….Ndërkohë, që qeveritarët bredhin nëpër nga Perëndimi në Lindje 
Në kulmin e përmbytjeve, kur rrezikohen edhe jeta e mijëra banorëve, ministri Bujqësisë Niko Peleshi, ia mbath nga Shqipëria dhe shkon në Holandë, për …shkarpa. Ministri i Bujqësisë nuk është gjendur fizikisht në zonat e përmbytura, ndërkohë, që duhej të kishte ngritur shtabin operativ dhe të ishte aty përditë. Edhe kryeministri Rama, deri tani nuk ka shkuar asnjëherë në zonat e përmbytura, thua se ka alergji nga uji, apo ka frikë se i lagen këpucët dhe brekushet, ndërkohë, që e gjen kohën, të “emigrojë” nga Shqipëria për në Perëndim dhe Lindje të Evropës. Kryeministri Rama, jo vetëm që nuk shkon në zonat e përmbytura, për të parë ai, me sytë e tij, (jo me raporte burokratike) sa dramatike është gjendja e banorëve të përmbytur, por kritikave për mungesën (shpërfilljen) e tij, u përgjigjet me ironi letrare, duke postuar në rrjete sociale fotografi me ushtarë në këto zona të përmbytura. Ushtarët mund të japin ndihëm humane për banorët e përmbytur, por shteti, qeveria duhet të gjendjen aty dhe të kontribuojnë me dëmshpërblime. Dëmet materiale të mijëra banorëve nga përmbytja dhe mungesa fizike e kryeministrit, nuk mund të përballohen me ..fotografi emulacioni dhe propagande që publikon kryeministri Rama në rrjete sociale. Edhe pse i pari i qeverisë nuk ka shkuar ende të shohë nga afër situatën e krijuar atje, është mjaftuar të hedhë disa foto në rrjetin e tij social dhe thotë se shteti është në këmbë. Me anë të këtij albumi fotografik, Rama ka treguar mobilizimin e strukturave shtetërore për të përballuar situatën, por ende nuk ka asnjë koment nëse do shpallet apo jo gjendja e emergjencës atje.

Ushtria. “Shkodër – (përtej llafeve e shpifjeve) SHTETI NË KRYE TË DETYRËS”, nënvizon Rama në rrjetin social.
Socialistët e Shkodrës irritohen ndaj ministrit socialist Bushati
Ministri i Jashtëm dhe deputeti i Shkodrës, Ditmir Bushati ka gjetur kohën më të keqe për të thirrur në mbledhje anëtarët e PS-së së këtij qarku. Prej ditësh zona është nën pushtetin e ujit dhe thirrja nga Tirana për të bërë një mbledhje partie nuk është pritur mirë. Një mesazh në grupin e whatsApp të Komitetit Drejtues të PS në Shkodër njoftoi socialistët për mbledhjen e urdhëruar nga Tirana. Si përgjigje, shkodranët i nisën një foto nga zonat e përmbytura. Shkëmbimi i mesazheve mund të shihet më poshtë: Rilindja duket e dorëzuar përballë problematikës së përmbytjeve që përsëriten çdo vit, si në veri ashtu edhe në jug të vendit.


Sigal