Banorët e Zagorisë ngrihen në protestë, kundër kërkimeve për naftë

513
Sigal

Banorë të Pogonit dhe Zagorisë kanë kundërshtuar këtë të enjte nisjen e shpimeve për naftë, duke protestuar fuqishëm ndaj projektit. Gjatë një takimi të mbajtur me përfaqësuesit e kompanisë “Shell”, që shkuan për t’u shpjeguar projektin e kërkimit për naftë në Bllokun 4, banorët kanë theksuar, se nisja e shpimeve përkthehet në shkatërrim të zonës. Më herët, Forumi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore u mblodh për të kundërshtuar shpimet për naftë e gaz në Zagori. Nën moton “Mos e prek Zagorinë”, tryeza e rrumbullakët me praninë e intelektualëve e personaliteteve, synoi të ngrihet zëri edhe më tej për mbrojtjen e kësaj zone. Gjendja u cilësua si alarmante, ndërsa për arkeologun Neritan Ceka, në rrezik është e gjithë zona e Gjirokastrës me bukuritë e saj. Kryeministri Edi Rama shkruan: “Debati për kërkimet e naftës në Parkun Kombëtar të Zagorisë është i mirëseardhur për të kujtuar se: Ne e kemi shpallur Parkun Kombëtar në vazhdën e programit të mbrojtjes së bukurive të natyrës sonë nga H/C, gurore etj. Si mund të lejojmë aty shpime naftëkërkuese! Nuk bën vaki.” Po ashtu pak kohë më vonë ka ardhur reagimi i kompanisë “Shell” ku në pak rreshta thuhet se “Pavarësisht rezultateve të studimit sizmik që kompania planifikon në Bllokun 4, “Shell” nuk do të kryejë aktivitete kërkuese, shpuese në nënzonën e mbrojtur të Zagorisë, e cila gëzon një mbrojtje të veçantë nga legjislacioni shqiptar.” Banorët e Zagorisë ishin shprehur edhe më herët kundër shpimeve dhe kërkimeve të kompanisë në zonën katër, që përkon me Zagorinë.