Banorët e “Unazës së Re” vazhdojnë protestat, përplasen me policinë

595
Sigal

Drejtori i ARRSH, Afrim Qëndro jep sqarime për dëmshpërblimin e shtëpive dhe bizneseve që do prishen

Mbrëmë në ditën e 16-të të protestës së tyre banorët u shprehën se do të mbrojnë shtëpitë e tyre, të cilat do të prishen për t’i hapur rrugë projektit të “Unazës së Madhe”. Edhe pse tashmë nuk kanë më energji elektrike, pasi OSHEE ua ndërpreu, banorët mbrojnë me çdo mundësi banesat, ndërsa mbrëmë gjatë protestës hoqën rrethimin në hyrje të “Unazës së Re”, por policia nuk i lejoi të bllokojnë sheshin. Tensionimi i situatës ka ardhur pas pretendimeve se disa banorë janë shoqëruar në komisariatin e policisë. FNSH mori në ruajtje kantierin e “Unazës se Re”, duke krijuar një gardh. Me thirrje kundër qeverisë dhe kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj kanë kërkuar dëmshpërblim 100% të pronave të tyre. Deputetë të opozitës ndodhen sërish pranë protestuesve që kanë hedhur dhe kapsolla e fishekzjarrë. “Shtëpitë tona janë me gjak”, kanë thirrur banorët. “O Erion, o legen, prite popullin se po vjen”, “Erion Veliaj këtu vendosim ne”, “Edi Rama, o legen, shtëpitë tona nuk i shemb”, “Poshtë qeveria e korruptuar” kanë qenë disa nga parullat e banorëve në protestë. Një banore e zonës në protestë tha se, sot tek ta ka shkuar një polic rrugor dhe iu ka kërkuar të largonin mjetet. Ajo deklaroi se askush nuk ka shkuar për të biseduar me ta dhe se do të vazhdojnë protestat. “Ka ardhur një polic i rrugores dhe më tha, hiq makinën se nga nesër do jetë kantier ndërtimi. Jam vetë prezent tek videoja ku është Rama. kam qenë tek rreshti i tretë kur ai vinte dhe mblidhej. Thoshte se shtëpitë nuk prishen, se janë ndërtuar me gjak por do legalizohen. M’u thaftë dora, se kam qenë kryetare e organizatës. kemi 16 ditë në rrugë. në vend të rri me fëmijët e të merrem me mësime e jam këtu. Është folur qëkur që do bëhen pallate, por jo që do hidhen në rrugë banorët. Ajo tokë është blerë nuk është zaptuar”, deklaroi banorja. FNSH dhe policia kanë shoqëruar në polici banorët protestues; Sadikaj, Edmond Frangu, Arben Qyrani, Armando Gishto, Shpëtim Billo dhe Paolo Ahmetcenaj, 17 vjeç, të cilët u liruan disa orë më vonë.

Drejtori i ARRSH, Afrim Qëndro u bën thirrje për banorët që preken nga ndërtimi i “Unazës së Madhe”

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar ka një thirrje për banorët e “Astirit” që preken nga ndërtimi i Unazës së Re dhe kërkon nga banorët që të paraqiten pranë institucionit me dokumentEt përkatëse për të marrë çdo informacion që u nevojitet. “Autoriteti Rrugor Shqiptar i bën thirrje të gjithë banorëve të segmentit rrugor “Mbikalimi Pallati me Shigjeta Unaza Shqiponja Loti 1, 2, 3”, të cilët nuk kanë marrë ende kontakt me ARRSH-në, të paraqiten pranë institucionit të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe t’i drejtohen Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve me të gjitha dokumentet përkatëse”, thuhet në njoftimin e drejtorit të ARRSH Afrim Qëndro, i cili, mbrëmë, ndër të tjera tha se të gjitha objektet do të trajtohen sipas ligjit. “Është pretendim jo i vërtetë, vija e shpronësimit është bërë publike në media, të gjitha objektet që preken nga projekti, do të trajtohen sipas ligjit, objektet që janë me vërtetim pronësie do të paraqiten pranë ARRSH-së dhe do të përgatitet gjithë dokumentacioni, do vijnë inspektorët në terren, do bëjnë matjet dhe vlerësimet e çdo objekti, do kërkohet harta në hipotekën e Tiranës, pos kësaj që dosja ikën në ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit dhe nga andej, dosjet e përgatitura dalin, dhe del VKM-ja. Askush nga objektet që preken nga vija e shpronësimit nuk do të trajtohen në mënyrë të diferencuar, ndërkohë që objektet që janë me legalizim do të shprehet drejtoria e ALUIZNI-t për ta dhe do të trajtohen edhe ata sipas ligjit. Banesat do të prishen në momentin që të jetë e ezauruar e gjithë faza ligjore”, – tha mbrëmë Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qëndro.

LSI: Vjedhje gjigante dhe kriminale tek “Unaza e re”. Ku është prokuroria?

Vjedhje gjigante dhe kriminale me tenderin e rrugës te “Unaza e Re”, prokuroria të mos bëhet palë me mega-hajdutërinë. Tre tenderë për 2.2 km rrugë, 40 milionë euro për 2.2 km rrugë nga Pallati me Shigjeta tek “Sheshi Shqiponja”. Dhe në çdo ofertë vetëm dy konkurrues dhe gjithmonë, i dyti nga konkurruesit e ka ofertën ZERO lekë. Pra gara ishte shitur në mënyrën më të turpshme dhe më korruptive. Një korrupsion i tillë, i pafytyrë është kaq i qartë, kaq kriminal, kaq i pacipë, siç është fytyra e hajdutërisë së shfrenuar të kësaj qeverie dhe këtij kryeministri. Tenderi i vjedhur dhe i manipuluar sheshit, çmimi më shumë se 18 milionë euro për km, tre oferta me ZERO lekë, si s’ka turp Prokuroria që hesht, është qartësisht palë me këtë vjedhje të qeverisë. Prokuroria duhet të kishte filluar me kohë hetimin, kryesisht pas denoncimeve publike me dhjetëra fakte skandaloze. Prokuroria të ndahet një herë e mirë, sa s’është shumë vonë nga vjedhja kriminale e qeverisë.

Mungesa e transparencës së tenderit

Protesta e vendosur e atyre që do t’u prishen banesat tek “Unaza e Re”, ishte maja e ajsbergut e një afere disafish më të madhe. Sepse përpos prishjes se 317 godinave, gati 1/3 e të cilave janë në proces legalizimi, përpos të drejtave që legjislacioni evropian u njeh atyre banorëve për dëmshpërblim sipas tregut, kjo protestë e fortë ndezi prozhektorët edhe mbi dyshimet që gëlojnë për një tender 40 milionësh. Qeveria shqiptare miratoi në shtator 3 gara për segmentin prej 2.2 kilometrash, nga “Pallati me shigjeta” deri tek rreth rrotullimi i ish-Shqiponjës. E imagjinoni sa është çmimi i këtij pazari? Plot 40 milionë euro. Pra më shumë se 18 milionë euro për km. Dhe për të arritur tek kjo shifër çfarë ka ndodhur? Një praktikë tashmë e njohur nga qeveria Rama: mungesa e garës. Ajo zhvillohet në 3 forma, ose mes PPP-ve, ose koncesioneve me ofertë të pakërkuar, ose, së fundi, mes konkurrimeve të falsifikuara. Për ndarjen e 40 milionë eurove të “Unazës së Re” u përdor mënyra e tretë. Po të shikosh se si janë ndarë paratë, metoda është qesharake. Gjithsej për dy kilometra rrugë janë bërë tre tenderë. Të parin, me vlerën 18 milionë, e ka fituar “Biba X” dhe “DH Albania”. Të dytin me 12.6 milionë e ka fituar “Salillari”. Dhe të tretin me 9.4 milionë e ka marrë “Victoria Invest”. Por skandali fillon, po të shihet se me kë kanë konkurruar këto kompani që kanë ndarë 40 milionë euro. I vetmi konkurrent, në të tre tenderët, ka qenë firma “Vëllezërit Hysa”. Dhe truku nuk përfundon këtu. Por vëllezërit Hysa, siç rezultoi nga një investigim i “TPZ.al” dhe “Exit.al”, në të gjitha garat janë paraqitur me ofertën zero lekë. Pra kanë bërë rolin e një garuesi fiktiv në tre tenderë, për të cilat dyshimet janë tejet të mëdha, se janë të manipuluar. Pikërisht kjo bën që të thyhet rekordi i mbi 18 milionëve euro për Km (kur rruga malore e Bektelit, që u konsiderua si vjedhje e madhe nga Rama dhe socialistët, ka pasur vetëm gjysmën e kësaj kostoje). Pikërisht edhe për të nxjerrë në dritë këtë skandal të madh, pati vlerë protesta e fortë e banorëve që do u prishen shtëpitë te “Unaza e Re”.