Banorët e Unazës së Re protestuan para bashkisë, qëlluan me vezë dhe ndezën flakadanë

488
Këshilltarët bashkiakë të LSI: Opozita në mbështetje të banorëve, të dëmshpërblehen
Sigal

Banorët e zonës së Astirit te “Unaza e Re”, në kryeqytet vijojnë protestat e tyre, kundër mos kompensimit për prishjen e banesave të tyre. Në ditën e 12 të protestës së tyre, banorët shprehen se kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut për banesat e tyre. Ata mohojnë se po përdoren nga deputetët e PD siç pretendon PS. Njëri prej banorëve, tha se do t’i mbrojnë shtëpitë deri në vdekje dhe se banesat e tyre do të prishen vetëm nëse fillimisht qeveria u merr jetën. “Kauza jonë janë banesat tona, jo partitë politike. Nëse vijnë deputetët e PS këtu ne i largojmë deputetët e PS.  Ne nuk jemi me asnjë parti politike, por kërkojmë të drejtën tonë për banesat. Kanë ndryshuar projektin për të bërë pallatet e tyre. Ne nuk ndalemi nga protesta deri sa të anulohet ky projekt.”  Dje, sërish banorët e “Unazës së Re” protestuan fuqishëm para bashkisë së Tiranës, ku kërkuan të bisedonin me kryebashkiakun. Mirëpo bashkia ishte blinduar me policë të shumtë. Pasi u penguan të takonin kryebashkiakun, banorët protestues u acaruan dhe filluan të përplaseshin edhe fizikisht me policët bashkiakë dhe të qëllonin kundër  tyre me vezë dhe ndezën edhe flakadanë. 4 protestues janë arrestuar nga policia.

Basha: Rama dhe Veliaj po bëjnë spastrim etnik, njëlloj si serbët ndaj kosovarëve

Kreu i opozitës Lulzim Basha, e ka cilësuar veprimin e qeverisë dhe të Bashkisë së Tiranës për t’u prishur shtëpitë banorëve të ‘Unazës së Re’ pa i dëmshpërblyer, si spastrim etnik. Mbrëmë Lulzim Basha tha se qeveria po sillet me shqiptarët njëlloj si serbët me kosovarët. ‘Çfarë është Tirana? Unë kam qenë kryetar i bashkisë, në radhë të parë për mua janë njerëzit. E drejta për pronën, e drejta për biznesin mbrohet me ligj. Tirana janë njerëzit. Institucionet duhet të zbatojnë ligjin dhe të mbrojnë të drejtat e qytetarëve, të cilat sot po dhunohen. Imagjinoni sikur kjo që po ju ndodh atyre sot t’u ndodhte juve, të vinin t’u prishnin shtëpinë dhe t’u thoshin këtu ka një projekt, si do reagonit ju? Ndodhi në shkozë, ndodhi në Himarë, kërkojnë ta bëjnë me Teatrin Kombëtar, por kjo është antikushtetuese që tregon se ata do të prishin dhe shtëpitë e shqiptarëve. Këta kanë shkuar në shtëpitë e mbi 1 mijë familjeje rreth 317 banesa. Ky është një produkt i pa një ligjshmërie barbare. Jo vetëm unë, jo vetëm politikanët, por kjo është detyrë e çdo institucioni. Është fare e natyrshme, që unë si kryetar i opozitës dhe politikanët e tjerë, të jemi aty për të kërkuar zbatimin e ligjit. Mesa duket projekti ka disa probleme serioze. Basha deklaroi se, nëse ai do të ishte kryeministër do të zbatonte ligjin, dhe do të dëmshpërblinte 100 për qind banorët. ‘Çfarë do të bënim ne? Ne do të zbatonim ligjin. Do të bënim konsultimin publik dhe pas marrjes së mendimit të banorëve dhe do të bënim shpronësimet dhe kjo ka ndodhur, siç kemi bërë me një pjesë të projektit të “Unazës së Madhe”. Banorët nuk janë lajmëruar vetëm se një ditë kanë parë shenjat e ARRSH-së dhe iu thonë që kjo banesë do prishet, se e kap projekti’, u shpreh Basha.

Këshilltarët bashkiakë të LSI: Të dëmshpërblehet çdo sakrificë dhe shpenzim ekonomik për çdo banesë

LSI bojkoton sallën e Këshillit bashkiak ! Sot Këshilli është pranë qytetarëve! Dëmshpërblim për çdo banesë! Sot, Grupi Këshilltarëve të LSI dhe Opozita e Bashkuar në Bashkinë e Tiranës bojkotuan mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe iu bashkuan qytetarëve të zonës së Astirit, banesat e të cilëve do të shemben nga projekti i Unazës së Madhe. Grupi i LSI në vizionin e tij beson se institucioni i Këshillit është pranë qytetarëve dhe jo në salla! Këshilltarët janë votuar dhe mandatuar për të zgjidhur çdo problem dhe shqetësim të komunitetit të qytetit tonë. Grupi i LSI duke mbështetur projektet madhore për zhvillimin e Tiranës, kërkon me vendosmëri që të dëmshpërblehet çdo sakrificë dhe shpenzim ekonomik për çdo banesë, duke respektuar të drejtat e qytetarëve dhe të pronës të garantuara nga Kushtetuta, ligjet dhe Konventat Evropiane, si edhe të bëhen transparente dhe publike për qytetarët detajet e projektit të Unazës së Madhe!

Mundi dhe djersa e çdo shqiptari të ndershëm që kanë ndërtuar shtëpitë për familjet dhe fëmijët e tyre, meriton të dëmshpërblehet drejtësisht, pasi të gjithë qytetarët që kanë ndërtuar në këto 28 vjet duhet të trajtohen dhe të ndihen të barabartë përpara ligjit dhe shtetit të së drejtës.