Banorët e Unazës bëjnë padi në Prokurori

422
Sigal

Banorët  e “Unazës së Re”, të cilëve, sipas projektit do t’u prishen banesat dhe ndërtesat e bizneseve, për të zgjeruar “Unazën e Re”, protestuan sërish kundër shembjes së shtëpive nga projekti i Unazës së Madhe. Qytetarët bllokuan rrugën pranë shkollës Teknologjike ndërsa hodhën tymuese e thirrje të vazhdueshme për zmbrapsjen e projektit të “Unazës së Madhe”. Vetë banorët thonë se nuk kanë rrugë tjetër përveç vazhdimit të protestës për të kundërshtuar prishjen e banesave të tyre. “Do vazhdojmë deri në fund. Kërkojmë të na dëmshpërblejë”. Një përfaqësi e banorëve i janë drejtuar të dielën Prokurorisë së Tiranës për të dorëzuar padinë, por kjo gjë është e pamundur, pasi në Prokurori nuk ka prokurorë të gatshëm për të marrë kallëzimin. “Jemi i drejtuar Prokurorisë për disa fakte. Fakti i parë është që sipas disa personave që kanë ardhur para 10 ditësh në Unazën e Re që kanë bërë disa matje dhe kanë vënë disa kryqe. Ata i kanë thënë personave që pas 10 ditësh duhet të dilni nga shtëpia sepse do zgjerohet rruga, d m th që do prishen banesat. Ne kemi ardhur të bëjmë kallëzim penal. Një vendimmarrje është që kanë prerë dritat dhe pemët. Ku e kanë të bazuar këta zotërinj prerjen e dritave dhe pemëve?! Ne jemi taksapagues të Tiranës, si mund ti presin dritat dhe pemët? A mos është kjo një lloj presioni? I bëj thirrje edhe prokurores së Tiranës, Elisabeta Ymeraj që të na dërgojë një prokuror që ne të japim denoncimin, edhe për të qetësuar edhe situatën, sepse atje janë 900 familje që janë të alarmuar. Ne jemi të vendosur për të qëndruar derisa të vijë prokurori. Duke parë që ekzekutivi nuk ka funksionuar ne kemi marrë vendimin që të shkojmë në organet e drejtësisë dhe ne besojmë të organet e drejtësisë. Prokuroria e ka për detyrë të reagojë. Duhet të vijë këtu. Prokuroria duhet të mbështesë qytetarët.”