Banorët e “Astir-it”, sërish në protestë. Bllokojnë “Unazën e Re”

574
Sigal

Banorët e zonës së “Astir-it” në “Unazën e Re”, kanë bllokuar sërish rrugën. Me pankarta në duar “Nuk jemi dele”, apo “Duam zhvillim, jo shkatërrim”, banorët kanë bllokuar rrugën, duke provokuar një përkeqësim të trafikut të automjeteve. Protesta e tyre lidhet me kundërshtimin e përpjekjeve të qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, për prishjen e 317 banesave, për shkak të zgjerimit dhe rikonstruksionit të aksit të “Unazës së Re”, nga “Pallati me shigjeta” te sheshi “Shqiponja”. Banorët kërkojnë legalizimin e banesave të tyre dhe dëmshpërblimin. Deputeti i LSI-së, Endrit Brahimllari, u është bashkuar banorëve tek “Unaza e Re”, të cilët prej disa ditësh protestojnë për të mos lejuar prishjen e banesave dhe bizneseve të tyre, të cilën Rama kërkon t’ua marrë dhe t’ua japë oligarkëve të tij. Gjatë fjalës së tij Brahimllari i ka bërë thirrje Ramës, që të lërë ‘dëgjesat’ me partinë e tij por të dëgjojë hallet dhe problemet e qytetarëve. “Kryeministri të gjejë zgjidhje. Kryeministri të mos bëjë dëgjesë me partinë e tij, por të vijë të dëgjojë banorët që po i merr gjënë më të shtrenjtë. Kryeministri të vijë të përballet me banorët e t’i lërë ‘dëgjesat’ fasadë dhe show-n politik. Banorët duan zgjidhje!”, – u shpreh Brahimllari.