BANKAT: NUK FINANCOJMË DOT KONCESIONET E QEVERISË

660
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Gazetari i TELEGRAF

Mark Crawford, kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Bankat nuk do të jenë gati për të financuar gjithë koncesionet, sipas planit të caktuar

Mark Crawford, kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”,  shpreh dyshimin e vet, që bankat nuk beson se do të financojnë të gjitha koncesionet e qeverisë, ndërkohë shpreh habinë e vet, që këto koncesione i fitojnë kompani që nuk kanë njerëz, por punët i bëjnë me ata punëtorë që kanë, e nuk hapin vende të reja pune. Zoti Crawford shpjegon edhe 3 arsyet pse nga bizneset nuk ka kërkesa për kredi bankare. Zoti Crawford shpreh mendimin se në Shqipëri pastrimi i parave bëhet duke blerë pasuri të patundshme me cash. Zoti Crawford ka një propozim: Që hashashi të legalizohet për qëllime mjekësore, shteti të përfitojë nga taksat dhe nuk duhet penalizuar përdorimi i tij, por duhet kuruar. Ky legalizim, siç është bërë në Holandë, Kanada dhe SHBA mund të ulë edhe krimin, derisa policia e ka të pamundur të fitojë trafiqet e drogave.

 

-Zoti Mark Crawford a është e favorshme Shqipëria për investitorët e huaj që të investojnë e të bëjnë biznes?

Besoj se sezoni i turizmit ishte i favorshëm, kjo është pozitive. Erdhi së fundi në Shqipëri edhe firma amerikane “Hilton”, e cila është një bashkëpunim midis investitorëve shqiptarë edhe investitorëve ndërkombëtarë. Ndërtesa është pronë e shqiptarëve, ndërsa të huajt do sjellin standardet, menaxhimin, prononcimin në rrjetin ndërkombëtar. Kam dëgjuar që mund të vijë edhe MERIOT. Unë parashikoj që në sektorin e turizmit ka perspektivë. Në Shqipëri ka lekë (për investim), kështu që mund të aktivizojmë që të qarkullojnë këto para që janë në Shqipëri, duke bashkuar investimet që sjellin standarde ndërkombëtare, prandaj besoj që ka perspektivë investimi. Bregdeti juaj akoma nuk ka promovim sa duhet. Mendoj që ka perspektivë, unë jam pozitiv, jo se sasia e investimeve nga të huajt do të jetë shumë e madhe në këtë fushë, por por do të mobilizohen kapitalet e vendit me ato të huaja për të sjellë standarde të larta. Mbase nuk duket në shifra, duke investime të vogla, por standardet dhe mobilizimi i kapitalit shqiptar është i rëndësishëm.

– Po në fushat e tjera të ekonomisë, a ka interes për të investuar kapitale të huaja?

– Unë do përmend fushën financiare, duke filluar nga banka ABI, ku unë zv.drejtor i Bordit, kemi konfiguracion të ri, pasi banka jonë bleu edhe BKG. Pra në fushën financiare ka interesa nga investitorët. Mund të ndodhin edhe të tjera konfiguracione në sistemin bankar, edhe Banka Tirana flitet që është shitur, por nuk është përfunduar.

Zvogëlimin e numrit të bankave në Shqipëri, ju si e vlerësoni?

– Për mua, zvogëlimi i numrit të bankave është pozitiv.

– Përse është pozitiv? A nuk ngushtohet spektri i konkurrencës?

– Sepse kemi 16 banka dhe mezi vërtiten (mbijetojnë) të gjithë. Duke u konfiguruar, duke u bashkuar, do të rritet efikasiteti i tyre bankar.

A është tregues i tkurrjes së aktivitetit ekonomiko-financiar, zvogëlimi i numrit të bankave?

– Në Shqipëri, në fakt, mund të ishte edhe vetëm një bankë, siç ishte në kohën e komunizmit (Zoti Crawford qesh), por për shkak të konkurrencës duhen disa banka. Ne kishim 16, tani 14, mund të kemi edhe më pak, por nëse nesër disa banka nëse do zhduken nesër, askush nuk do ta dinte se dikur këto banka ekzistonin në Shqipëri. Nëse bankat nuk janë të specializuara si bankë e investimeve, ose si bankë hipotekë e specializuar, nëse të gjitha bankat bëjnë të njëjtat operacione financiare e ndryshojnë vetëm afatet e kredisë dhe interesit, mbase janë shumë afër njëri – tjetrit, mungon konkurrenca, kështu që nuk ka shumë nevojë për shumë banka në treg në pikëpamjen e konkurrencës dhe të publikut. Unë jam i hapur për konkurrencën dhe ide të reja, kështu, që nëse vijnë banka të reja, janë të mirëpritura.

– Përse janë të ulëta kërkesat për kredi bankare nga bizneset në Shqipëri?

– Për mua nëse në bankat e nivelit të dytë ka një zbritje të kompanive financiare, jo vetëm nga ata që bëjnë kredi të vogla, por edhe ata që nuk marrin kredi, ata mund të kenë para nga bizneset dhe nëse dështojnë, nuk kanë rrezik. Unë them se ka 3 mundësi për kompanitë, bizneset që nuk marrin lekë (kredi) nga bankat. Ose tremben të marrin kredi bankare. Ose janë me fitim dhe nuk kanë nevojë më për lekë. Di disa kompani që nuk kanë më nevojë për kredi, sepse kanë qenë me fitime. Kanë gjendje cash brenda financave të tyre, edhe për investime të mëtejshme, apo për vazhdimësinë e veprimtarisë normale ekonomike të tyre. Ka edhe biznese që kanë dështuar në veprimtarinë e tyre dhe bankat nuk iu japin më kredi. Ose ka biznesmenë që marrin kredi bankare në bankat e tjera të huaja jashtë Shqipërisë. Unë, p.sh., në biznesin tim nuk marr kredi nga bankat. Unë marr kredi nga investitorët që kanë aftësi për të investuar në biznese që kanë risk në rrezik, ose ka individë që kanë shuma në dollarë, përveç pasurisë së patundshme ose kanë rrogë mbi 200,000 dollarë në vit, që do të thotë, që nëse investojnë dhe humbasin, nuk do jenë pa bukë. Unë do të thosha që në Amerikë biznesin nuk e fillojnë me lekë me kredi nga bankat, përveç me lekë nga shokët, nga të afërmit, mbase edhe kjo është një nga arsyet pse bankat në Shqipëri nuk japin më shumë kredi. Jam producent i një filmi artistik, që shfaqet edhe këto ditë në kinematë e Tiranës, por nuk marr kredi nga bankat këtu. Mora kredi nga investitorët që kanë hapësirë për të investuar diçka që ka risk të lartë, ose nga individë që kanë kapitale dhe riskojnë një pjesë të investimeve që bëjnë.

– A mendoni që në Shqipëri bëhet pastrimi i parave, që mund të jenë përfituar nga veprimtari kriminale apo edhe të korrupsionit, prandaj ka pak kërkesa për kredi bankare?

– Ka shumë mundësi, sepse këto para nuk mund të aktivizohen nëpërmjet sistemit bankar, për shkak se mbikëqyren. Mund të ketë mundësi të bëhen pastrimi i parave në Shqipëri. Këto para mund të pastrohen duke investuar në pasuritë e patundshme, është një sektor që në të gjithë botën ndodh, sidomos në Ballkan, që njerëzit paguajnë pasurinë që blejnë në cash. Vërtet Lazarati ishte burim të ardhurash 4 miliardë dollarë në vit, është shumë e madhe. Unë kam qenë në Lazarat tani, është shumë i qetë tani. Por, nëse “Lazarati” është shpërndarë tani në gjithë Shqipërinë, ka shumë para që vijnë nga aktiviteti kriminal, që investohen këtu. Prandaj unë kam mendimin që duhet legalizuar.

– Ju thoni, që duhet legalizuar, po kështu a nuk investohen paratë që fshihen, jo në banka?

– Unë them jo të legalizohen lekët nga ata që trafikojnë, por kultivimi i hashashit, sepse hashashi përdoret edhe për industrinë farmaceutike, mund të ketë më pak dëme sesa duhani dhe alkooli për shëndetin e njerëzve. Unë nuk them që është i keq, apo i mirë që të përdoret hashashi për t’u pirë, por unë mbroj idenë që jo të gjitha gjërat duhet të jenë kundër ligjit. Unë jam i mendimit që një përdorues i hashashit duhet të çohet në spital, jo në burg. Siç çojmë në spital një që ka varësi nga alkooli dhe duhani, edhe atë që ka varësi nga hashashi ta çojmë në spital, sepse dëmi është më i pakët sesa nga duhani dhe alkooli. Duhet të shikojmë me gjykim tjetër, siç ndodh në Kanada tani dhe disa shtete të SHBA-së që legalizohet. Nëse vërtet kjo veprimtari, (kultivimi i hashashit ka lekë) dhe ti si shtet e ke të pamundur ta ndalosh plotësisht kultivimin e hashashit, unë them që më mirë është ta legalizosh, sepse e ke të pamundur ta ndalosh me luftë, por duhet të përdorësh mjete ekonomike, taksat, informacionet, që të përfitosh dhe të ulësh edhe krimin, siç u bë me duhanin, që të shkruash, të informosh, që është e rrezikshme për shëndetin, por ta legalizosh e të fitosh. Duke e legalizuar, do të ulësh kriminalitetin, por do të rritësh edhe të ardhurat.

– Zoti Crawford, përse largohen nga Shqipëria bizneset e mëdha? Tashmë nga Shqipëria do largohet edhe Telekom gjerman. Është klima e papërshtatshme e të bërit biznes, është konkurrenca jo e ndershme, monopolizimi i ekonomisë nëpërmjet koncesioneve? Apo është thjesht kështu, rrjedha e ekonomisë?

– Normalisht, ky fenomen ekonomik ndodh në një ekonomi globale, siç jemi sot.

– Përse bizneset e mëdha largohen nga Shqipëria dhe, paralelisht, investimet shtohen në shtetet fqinje të Rajonit?

– Duhet të shikojmë, p.sh., në rastin e largimit të Telekom, nëse do të ketë interes nga bizneset e fuqishme, që të blejnë aksionet e saj këtu në Shqipëri. Unë u kam thënë dhe ftuar shumë herë bizneseve amerikane, që këto raste janë mundësi për ju, që të investoni. Nëse një investitor i fuqishëm vjen menjëherë dhe kërkon të blejë, do të thotë se tregu këtu ka interes. Nëse nuk ka oferta nga investitorë të fuqishëm, kjo tregon që tregu këtu nuk është i mirë. Kështu, që do shikojmë kërkesat për ta blerë atë, që të gjykojmë pse iku. Kishte një rast konkret, isha gati të blija një pjesë të një biznesi të madh, fola me një fond shumë të madhe në Zvicër të cilët e kishin investimin këtu, ata ishin të interesuar, por më thanë, jo, sepse duan ta mbyllin fare. U thashë, pse? Ka vlerë, mund të shitet? Jo, më thanë, ne kemi politikën tonë, nuk ka lidhje me Shqipërinë, por ne duam ta mbyllim fare aktivitetin për arsye tonën. Unë u thashë, që jam gati të blej, kam edhe lekë. Kështu, që duhet parë dhe analizuar secili rast më vete, nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Për Telekom, të shikojmë sa shpejt do të vijnë ofertat, kush do ta blejë dhe cilët janë. Okej, le të ikin gjermanët, por të paktën të vijnë holandezët, francezët, ose ata që janë të mëdhenj. Nëse ka kërkesa, kjo nuk do të thotë që Shqipëria është në krizë. Nëse blerësit vijnë nga një vend i humbur, kjo tregon që nuk ka vlerë, është negative. Vlerë do kishte nëse kërkesat janë nga investitorë nga vendet e Evropës Perëndimore, nga Amerika. Unë dua të vijnë të investojnë nga Amerika në Shqipëri.

– Ditët e fundit është publikuar një raport nga institucion ndërkombëtar dhe shifrat flasin që Shqipëria ka më shumë koncesione sesa Franca, në raport me madhësinë e ekonomisë. Ju e shikoni pozitive?

Nuk është ndonjë habi për mua ndonjë koncept i socializmit, siç e keni ju në Evropë. Ne amerikanët mendojmë dhe themi që francezët janë shumë socialistë nga të gjithë, ndërsa ju shqiptarët ia kaloni socialistëve francezë, e kuptoj. Normalisht, nëse do bëhet gabim, do bëhet gabim në sektorin privat, sepse normalisht unë parashikoj që qeveria do ketë problemet e veta për koncesionet, tek mënyra sesi realizohet koncesioni, të jenë të qartë, të jenë transparent, të bëhen investime kapitale e themelore. Shikoj disa koncesione që nuk kanë shumë punëtorë . Ka edhe disa biznese që kanë marrë koncesione dhe i përdorin dhe punojnë shumë mirë. Në Amerikë normalisht kemi shumë pak koncesione, ose të paktën nga pikëpamja financiare.

Nëse keni parasysh, edhe FMN, edhe BB, por edhe DASH e kritikoi Shqipërinë për dhënien e pamasë të koncesioneve, për mungesën e transparencës. Atëherë, ka të mira për ekonominë kaq shumë koncesione?

– Unë e di, që mbase qeveria është ngushtë me lekët dhe po përdoren koncesionet të mobilizojnë lekët e vendit nëpërmjet sektorit privat, siç është kuptimi i drejtë i koncesioneve. Por, në fund të fundit, nëpërmjet koncesioneve lekët vijnë nga qeveria (nga buxheti i shtetit), që të paguajnë koncesionet. Nëse një koncesion i dhënë mbahet nga banka për t’u financuar, për të aktivizuar aktivitetin e vet, unë, si pjesëtar i bordit bankar, do të them “OK”, nëse është një kompani amerikane që mund të bashkëpunojmë, është një kompani që do të na paguajnë me lekët e tyre, ose me të ardhurat nga shteti, sepse nuk japim kredi tek shteti, por kemi një siguri që paratë do t’i marrim nga shteti, kështu që duhet të përmbledhim gjithë riskun, mbase kemi kontratë me filan biznes, jemi në limit. Nëse jemi në limit me qeverinë përmes bonove të thesarit, që është normale, është një gjë që duhet ta marrim parasysh dhe të bashkojmë këtë risk të ri, kështu që nuk jam shumë shumë i sigurt që gjithë bankat do të jenë gati për të financuar gjithë koncesionet sipas planit të caktuar. Por, prapë se prapë unë them, që koncesionet duhet shikuar të gjitha, një e nga një.

– Me gjithë numrin e madh të koncesioneve të dhëna, kemi shumë pak hapje të vendeve të reja të punës, nuk kemi shumë të ardhura nga këto koncesione, investime publike nuk ka. Është problem?

– Për mua është pak e çuditshme që koncesionet nuk bëjnë punë të reja, që kompanitë që fitojnë koncesionet nuk kanë njerëz, që marrin fondet publike dhe bëjnë punët me punonjës ekzistues, (që nuk hapin vende të reja pune). Por, njëfarësoj, është edhe pozitiv, që mbajnë në punë ata punëtorë, sepse edhe mund t’i pushojnë punëtorët. Por unë duhet të shikoj rast më rast këto koncesione, çfarë po ndodh, përse po ndodh. Si menaxhohet koncesioni? Ku i çojnë lekët që marrin për koncesione? Unë doja të shikoja vërtet ku shkojnë lekët e koncesioneve.

Vijon Nesër

Politikat partiake që largojnë investitorët nga Shqipëri. Borxhi i Shqipërisë. Eurobondi, është borxh. Rritja ekonomike për koncesionarët, pa mirëqenie të qytetarëve është dështim i qeverisë. Shqiptarët largohen nga Shqipëria edhe sepse janë të papunë