Bankat, në skemën e pastrimit të parave të krimit

619
Alarmi i ish-ministrit: Bankat në skemat e pastrimit të parave
Eksperti Zef Preçi analizon rënien e depozitave, “fryrjen” e fondeve të investimit dhe pse projekti “1 Miliard” mund të kthehet në kanalin kryesor të legjitimimit të fitimeve kolosale nga droga
Ish-ministri dhe eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, ka analizuar të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë për pakësimin e depozitave të qytetarëve, duke dhënë alarmin për veprimet e bankave tregtare. Në komentin e tij, Preçi nënvizon rrezikun e transferimit të parave të qytetarëve nga depozitat drejt fondeve të investimit, ndërsa ngre shqetësimin se si sistemi bankar mund të bëhet pjesë e skemave të pastrimit të parave. 
Pakësimi i depozitave dhe disa probleme

Zef Preçi
Media raportonte së fundmi se gjatë 5 viteve të fundit depozitat e qytetarëve shqiptarë janë pakësuar me 1/3 e tyre dhe vetëm gjatë këtij viti janë tërhequr nga bankat tregtare 200 milionë euro. Gjatë vitit të fundit të dhënat tregojnë se bizneset kanë rritur kursimet e tyre me 15%, duke dëshmuar ngërçin në të cilin gjendet ekonomia jonë kombëtare, një ngërç i shprehur në stanjacionin e kreditimit të ekonomisë reale.

Përtej komentit të medias, mendoj se kjo situatë dëshmon disa probleme njëkohësisht, të tilla si:
1 – Tërheqja e depozitave të individëve nga bankat flet për dështimin e politikave të Bankës së Shqipërisë për nxitjen e kreditimit të ekonomisë reale, si një ndër rrugët kryesore që mundëson një rritje ekonomike më të shpejtë. Kjo sepse ulja e normës bazë të interesit ka dekurajuar mbajtjen e parave në banka dhe depozitimin e kursimeve eventuale dhe se bankat tregtare përsëri aplikojnë norma interesi relativisht të larta për huatë bankare, në nivele 5-7% ose 5-7 herë më të larta se interesat që ofrojnë për depozituesit, një shifër kjo aspak nxitëse për të marrë kredi në banka nga individët. 

2 – Rritjen e volumit të parasë që qarkullon jashtë bankave, që ndryshe përkthehet edhe në mbajtjen në nivele shqetësuese të përmasave të sektorit informal të ekonomisë dhe evazionit fiskal të lidhur me të. Kjo situatë kompromenton përpjekjet e derisotme të qeverisë për ngushtimin e informalitetit dhe të ashtuquajturat “aksione” të saj për këtë qëllim, një “fazë” e të cilit sapo ka filluar…

3 – Përdorimin për qëllime konsumi të kursimeve monetare të popullatës, përndryshe një thellim të polarizimit social të vendit, etj. 

4 – Ndonëse nuk ka ndonjë evidencë publike, personalisht dyshoj se të joshur nga fondet e porsakrijuara të investimeve që ofrojnë norma interesi për pjesëmarrjen në to disa herë më të lartë se normat e interesit që ofrojnë bankat, një numër individësh kanë investuar kursimet e veta në këto fonde, dmth kanë humbur garancinë financiare ligjore dhe janë futur në skema të komplikuara investimesh me risk të lartë për të cilat nuk kanë informacion dhe që janë përgjithësisht nën çatinë e bankave tregtare në të cilat kishin depozituar më parë kursimet e veta.

5 – Ndërkaq rritja e depozitave financiare të bizneseve tregon mungesë besimi ndaj politikave fiskale të qeverisë nga ana e komunitetit të biznesit, si dhe frikën e këtij të fundit për të zgjeruar aktivitetin, për të kryer investime, etj. Ndoshta këtu shfaqen edhe një numër problemesh që lidhen me strukturën e ekonomisë, me novacionet, etj.

6 – E gjithë kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi fitimet e siguruara nga sistemi bankar dhe ngre dyshime serioze mbi shkallën e përfshirjes së bankave tregtare në operacionet e pastrimit të parave, siç dëshmonte edhe një njoftim zyrtar i mesit të korrikut të këtij viti.

7 – Mbetet për të parë në ç’mënyrë skemat/fondet e investimeve të bankave do të ndërveprojnë me fillimin e zbatimit të Programit të qeverisë “One Billion Euro”, pasi nuk besoj se vetë bankat do të marrin pjesë drejtpërdrejtë në të. Gjithsesi duke mos dyshuar në qëllimin e mirë të shpallur të qeverisë në përmirësimin e shpejtë të infrastrukturës publike, përveçse ky program do të çojë në rritjen e menjëhershme dhe të pakontrolluar të borxhit publik, nuk mund të mos vihet nën presionin e shndërrimit në kanalin kryesor të legjitimimit të shumave kolosale të parave kriminale që vijnë nga aktiviteti i drogës në vendin tonë. Kufizimet ligjore gjoja “deri në 5 për qind të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor” për detyrimet ndaj kontratave koncesionare apo Partneritetit Publik Privat (PPP) janë qesharake, përderisa secila kontratë përmban detyrime të përcaktuara qartë nga fondet buxhetore dhe shuma rritet me nënshkrimin e kontratave të reja apo me fillimin e zbatimit të këtij programi.

Dobësitë institucionale, kuadri ligjor i mangët, politizimi ekstrem i drejtimit, fuqia ndikuese parlamentare e oligarkëve të interesuar në “suksesin” e këtij programi nuk lënë dyshim për këtë të fundit.
Sigal