Bankat dhe teknologjia- Këtë vit priten 19.3 mln euro investime në IT

579
Sistemi bankar për vitin 2016 investoi 15.4 milionë euro në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, ndërsa për këtë vit investimet e parashikuara arrijnë në 19.3 milionë euro. Bankat po përpiqen të ndjekin kursin global të dixhitalizimit të shërbimeve, si një element i rëndësishëm për të shërbyer klientët dhe për të fituar avantazhe konkurruese. Shoqata Shqiptare e Bankave zhvilloi të martën forumin e parë për shërbimet bankare me pakicë.
Zëvendëskryetari Bordit Drejtues të Shoqatës, Silvio Pedrazzi tha se përmirësimi i shërbimit për klientët është një nga prioritetet kryesore të kësaj industrie, sidomos në funksion të ndryshimeve që ka sjellë revolucionit teknologjik.
“Sot, një telefon smart nuk është vetëm një mjet komunikimi për konsumatorët, por, edhe një burim informacioni dhe një instrument për për të kryer transaksione. Nuk duhet ta nënvlerësojmë këtë evolucion që po sjell teknologjia. Degët tradicionale bankare nuk do të zhduken, por ato do të transformohen për t’ju përgjigjur këtij ndryshimi. Pritshmëritë e konsumatorëve, zhvillimi teknologjik dhe kërkesat rregullatore do të diktojnë ndryshime rrënjësore. Bankingu me pakicë nesër do të jetë shumë i ndryshëm nga ai që është sot. Për të qenë të suksesshëm në këtë proces, do të nevojiten investime të mëdha. Vetëm gjatë vitit të kaluar, bankat investuan 15.4 milionë euro në teknologjinë e informacionit, ndërsa këtë vit kanë planifikuar të investojnë 19.3 milionë euro”, tha Pedrazzi
Biznesi bankar, në Shqipëri dhe jo vetëm, gjendet në një moment të rëndësishëm zhvillimi. Efektet e krizës ekonomike e kanë tkurrur ndjeshëm përfitueshmërinë e bankave, por, ndërkohë ato ndodhen përballë nevojës për të investuar në zhvillimin cilësor të shërbimeve për klientët.
Adoptimi më i zgjeruar i teknologjisë është ndër çështjet më thelbësore, jo vetëm për t’ju përgjigjur nevojave të klientëve dhe sidomos të brezit të ri, por, edhe si një mjet për të ulur kostot e veprimtarisë.
Sigal