Banditët qëllojnë me kallashnikov kundër deputetes Kryemadhi

139
Kriminelët në Lezhë qarkullojnë me makinën e deputetit të PD Aldo Bumçi, dhe nuk nguruan mbrëmë që të qëllojnë me armë edhe makinën e deputetes të Qarkut të Lezhës Monika Kryemadhi, në momentin që deputetja Kryemadhi hipte në makinë, pas një takimi elektoral në fshatin Rrilë në komunën e Shënkollit. Në momentin që deputetja Kryemadhi u qëllua me armë, në makinë ndodhej edhe vajza e deputetes. Deputetja Kryemadhi, mbrëmë në orët e vona, e ka denoncuar këtë akt kriminal, duke thënë se makina e deputetit Bumçi është kthyer në një magazinë me armë për elementët kriminalë, të cilët duan të tensionojnë klimën elektorale, të frikësojnë, të kërcënojnë dhe të shantazhojnë e terrorizojnë votuesit. Deputetja Kryemadhi deklaroi se në Lezhë qarkullojnë makina pa targa, të cilat drejtohen nga element kriminalë, të porositur nga deputeti Bumçi për të terrorizuar njerëzit, duke ditur se humbja elektorale e kandidatit të tyre është e sigurtë. Deputetja Kryemadhi tha, se kandidati i PD për kryebashkiakun e Lezhës, e ka humbur besimin e njerëzve, pasi u ka vjedhur banorëve edhe tokat që ata i kishin me tapi këtu e 300 vjet më parë. 
Ngjarja e krimit
“Deputetja e shoqëruar dhe nga anëtarë të stafit elektoral të kandidatit Viktor Tusha ka qenë duke dalë nga shtëpia e një banori të këtij fshati,me inicialet TGJ i njohur si përkrahës i PD. Personi i identifikuar si Tonin Fizi (person me precedentë penale) i shoqëruar nga disa kushërinj të tij dhe kandidati i PD Fran Frroku,në një makinë tip Opel me ngjyrë gri kanë qëlluar me armë zjarri në ajër pranë makinës me të cilën po udhëtonte zonja Kryemadhi, anëtarë të shtabit elektoral dhe vajza e saj Bora.” thuhet në deklaratën e shtabit elektoral të kandidatit të LSI-së Lezhë.
Deputetja Kryemadhi bën apel për qetësi
Me këtë rast shtabi elektoral i kandidatit Viktor Tusha dhe deputetja e zonës Monika Kryemadhi i bëjnë thirrje qytetarëve dhe banorëve të Lezhës që të ruajnë qetësinë dhe i sigurojnë ata se procesi i 21 qershorit do të jetë pasqyrë e pastër e votës së tyre.
“Zonja Kryemadhi i kërkon dhe njëherë deputetit të PD Aldo Bumçi të distancohet nga personat e inkrimuar që udhëtojnë me makinën e tij dhe mbajnë aty armë pa leje duke terrorizuar jo vetëm banorët e zonës, por dhe duke ushtruar presion tek votuesit për blerjen e votave për kandidatin Fran Frrokaj.”