Bandat shqiptare, të lidhura me deputetë dhe zyrtarë të lartë

459
Drejtoria Investigative Antimafia në Itali ka paraqitur në Parlament raportin e 6 mujorit të dytë të vitit 2014 lidhur me veprimtarinë e grupeve mafioze në territorin e Italisë, goditjen e tyre, por dhe lidhjet e tyre me grupe të tjera. Në raportin prej 296 faqesh, ekspertët e DIA-s, i kanë kushtuar një hapësirë dhe grupeve kriminale të huaja që veprojnë në Itali, ku një ndër organizatat kriminale të huaja me depërtuese, siç cilësohet prej tyre, është ajo shqiptare, që dallohet për metodat veçanërisht të dhunshme; të cilës i atribuohen aktivitetet kriminale të rrezikshmërisë më të madhe. Sipas raportit, struktura e saj prezantohet me grupe në bazë familjare ose të të afërmve, brenda të cilave del figura e kapos dhe ku brenda saj aplikohen marrëdhënie jashtëzakonisht të forta, të rregulluara nga ligje të pashkruara. Grupet kriminale shqiptare, fillimisht të ndara dhe të shpërndara kryesisht në veri të vendit, janë bashkuar dhe tashmë veprojnë në të gjithë territorin, duke bashkëvepruar me organizatat kriminale lokale dhe në sinergji të plotë me eksponentët kriminal që ndodhen në vendin e origjinës”, thuhet në raport. Më tej, thuhet se grupet shqiptare kanë arritur tashmë një nivel organizativ, të tillë në mënyrë që mund të zënë një pozicion kyç në skenën kriminale në vend, e favorizuar kjo dhe nga afërsia gjeografike me Italinë, shpeshherë e përdorur si hyrje e privilegjuar në Bashkimin Europian, si dhe nga bashkëpunimi i provuar me grupet e tjera kriminale. Duke u ndaluar tek marrëdhëniet e organizatave kriminale shqiptare, veç grupeve kamorriste, kohët e fundit është vërejtur dhe një afrim me mafien tradicionale si dhe për lidhjet që ata kanë me deputetë, ministra dhe zyrtarë të lartë të shtetit në të dy vendet fqinje. Duke u ndalur tek burimi kryesor i fitimeve, sipas DIA-s, padyshim që mbetet ai i lëndëve narkotike, pasi në raport evidentohet se grupet shqiptare janë të gatshme për të hyrë në shkëmbime ndërkombëtare, janë operativ në zona të ndryshme të botës dhe mundësia për të shfrytëzuar mbështetjen logjistike në territorin e origjinës, i ka mundësuar atyre që të fitojnë një rol kryesor në trafikun e drogës, aq sa të bëhen ndërmjetës të privilegjuar të bashkëpunimeve mes organizatave italiane dhe atyre të huaja. Në raportin e 6-mujorit të dytë të 2014, janë paraqitur dhe disa raste të arrestimit të shqiptarëve me sasi të mëdha lëndësh narkotike, apo raste të tjera ku ata janë përfshirë në krime të rënda, si vendosje eksplozivi apo shkëmbime zjarri.
Sigal