Banda e tritolit, në kërkim 2 bashkëpunëtorët e Sinanajt

443
Sigal

Prokuroria: Nën hetim një oficer policie i Rinasit dhe një në Vlorë pasi ndihmuan dy anëtarët e bandës

Teksa policia ka shpallur në kërkim dy nga anëtarët e bandës së tritolit duke vënë dhe një shpërblim për informatorin, mësohet se, dy efektivë policie janë vënë në hetim pasi kanë ndihmuar apo strehuar dy të kërkuarit për akte terroriste. Konfirmimi i mësipërm është bërë ditën e djeshme nga burime zyrtare të policisë. Mësohet se, të shpallurit në kërkim janë Andon dhe Denis Mëhillaj, kushërinj me njëri-tjetrin, ndërsa shuma e vënë për informacionin që do të ndihmonte në kapjen e tyre është 10 mijë euro. “Pothuaj kemi hetuar pistën e plotë të aktivitetit kriminal të bandës së vënies së tritolit, por ende nuk kemi mundur të ndalojmë dy të akuzuar, pjesëtarë të saj”,- pohojnë burimet e policisë.

 

DY TË KËRKUARIT

Drejtues të policisë pohojnë se, kanë vendosur shumën 10 mijë euro shpërblim për çdo person që jep informacion lidhur me bashkëpunëtorët e vrasësit me pagesë Juljan Sinanaj, përkatësisht për vendndodhjen e kushërinjve Andon dhe Genis Mëhillaj, të cilët janë shpallur në kërkim. Të njëjtat burime pohojnë gjithashtu, se dy kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj kanë qenë personat që bënin të mundur njohjen mes porositësit të vrasjeve dhe të dyshuarit si vrasës me pagesë. Burime nga uniformat blu sqarojnë se, dy kushërinjtë, të njohur për lidhjet me politikën, kontaktonin të parët me porositësit e krimeve të rënda dhe më pas ishte Andon Mëhillaj ai që kontaktonte të dyshuarin si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj, i cili njihej nga të gjithë për saktësinë në ekzekutimet e tij. Ky i fundit për çdo vrasje merrte nga 30 mijë euro deri në 150 mijë euro, varej nga rëndësia e personit që do ekzekutohej, ndërsa dy kushërinjtë Mëhillaj merrnin pjesën më të madhe të parave, pothuajse dyfishin e parave që merrte ekzekutori.
NË HETIM DY OFICERË

Hetimet e deritanishme, kanë nxjerrë dhe fijet e bashkëpunimit të anëtarëve të bandës së tritolit me persona brenda radhëve të policisë.

Konfirmohet se organi i akuzës ka nisur hetimet për dy oficerë policie, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar dy kushërinjtë Mëhillaj për t’i shpëtuar arrestimit të policisë. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se, dyshohet se janë dy efektivë policie, të cilët kanë dekonspiruar operacionin e bluve. Bëhet fjalë për një efektiv në Rinas dhe për një tjetër në qytetin e Vlorës, të cilët kanë ndihmuar Andon (Erion) Mëhillaj dhe Genis Mëhillaj që të mos bien në duart e policisë. Ndërkohë, si nga ana e policisë, ashtu dhe nga ana e grupit hetimor, pas kaq ditës nga arrestimi i disa anëtarëve të bandës së tritolit, nuk është dhënë asnjë detaj rreth faktit të shumëpërfolur për lidhjet e terroristëve me njerëz të rëndësishëm partiak e shtetërorë.

  Grabitje me armë e maska në qendër të kryeqytetit

 TIRANË- Një person është grabitur pak pas mesnate jo larg qendrës së kryeqytetit teksa po kthehej në shtëpi, ndërkohë, policia është vënë në kërkim të autorëve, por nuk ka arritur të bij në gjurmët e tij. Ngjarja e rëndë, sipas konfirmimeve për “Telegraf” ka ndodhur në orën 00:30 të ditës së hënë në rrugën “Sitki Çiço” të Tiranës. Viktimë e kësaj grabitje ka qenë shtetasi S.L, banor i kryeqytetit. Mësohet se, dy persona të maskuar dhe të armatosur, nën kërcënimin e armës, e kanë detyruar atë që të dorëzojë të gjitha të hollat dhe sendet që kishte me vete. Në këto kushte, sipas denoncimit në polici, personat e armatosur i kanë grabitur 1000 euro e 100 mijë lekë, e pastaj janë larguar me shpejtësi.

I gjenden 10 kg tritol në banesë, pranga 50-vjeçarit

 SARANDË- Në kuadër të një operacioni të zhvilluar ditën e hënë, policia e Sarandës ka mundur të zbulojë në një banesë një sasi të konsiderueshme tritoli, duke vënë në pranga pronarin e banesës. Ndërkohë, burimet zyrtare të policisë nuk kanë konfirmuar origjinën dhe destinacionin e tritolit të bllokuar. Burime jo të konfirmuara jo zyrtarisht, pohojnë mundësinë e përdorimit të kësaj lënde plasëse dhe në disa shpërthime që kanë ndodhur kohët e fundit në Sarandë e rrethina. “Operacioni i policisë u zhvillua në fshatin Kalasë në Delvinë ku nga kontrollet në një depo në shtëpinë e 50-vjeçarit Memo Zobo u gjet edhe lënda shpërthyese.  Policia arrestoi 50-vjeçarin, i cili dyshohet të ketë lidhje me shpërthimet e ditëve të fundit në Sarandë”,- shtojnë burimet e policisë