Bamir Topi: Marrëveshja okulte PS-PD është akti i dytë i paktit të Prillit 2008

65
Në lumin e reagimeve të shumta pas marrëveshjes Rama Basha, vjen dhe reagimi i Ish Presidentit, Bamir Topi. Kreu i FRD e konsideron paktin mes dy liderëve si okult dhe shprehet i surprizuar. Ai e cilëson këtë marrëveshje për bashkëqeverisje vazhdim të paktit të prillit 2008, marrëveshje e cila dëmton partitë e vogla dhe demokracinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Topi në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit ka treguar për publikun edhe çaste gjatë takimit të tij me kryeministrin Rama teksa opozita ndodhej në çadër dhe kërkonte qeveri teknike. 
Bamir Topi: “Sigurisht që marrëveshja Rama-Basha më ka çuditur dhe mua. Unë e kam takuar Ramën gjatë kohës kur opozita ishte në kulmin e çadrës. Ca gjëra në komunikime private nuk thuhen, por kjo gjë mund të thuhet, për të shpjeguar pse ndjehem i çuditur. Z. Rama padyshim që nuk ishte i qetë për faktin se protestohej pranë zyrës së tij. Nga ana tjetër dukej i qetë për faktin se mund të shkonte në zgjedhje edhe pa PD. Unë këtë bisedë e kam bërë drejtpërdrejt dhe rrëfej. I kam thënë se së pari, historia e kësaj marrëdhënie, çadër në bulevard dhe zyrë në kryeministri nuk është se nuk është alternuar. E keni bërë dhe ju dhe keni krijuar një precedent dhe ky precedent po vazhdon. E dyta, unë kam qenë një kryetar shteti dhe përballë interesave të pushtetit duhet të prevalojë shteti. I kam thënë se nuk duhet të ndihesh kurrë i lumtur që të shkosh në zgjedhje pa opozitën.
…Ndaj them se marrëveshja Basha-Rama erdhi në mënyrë të papritur ishte surprizë. Sepse kishim dy pozicione ekstreme. Nga ana tjetër kujtojmë që edhe Basha thoshte nuk shkojmë në zgjedhje me Ramën dhe Rama që thoshte unë shkojë në zgjedhje edhe pa PD. Ishin shumë larg kompromisit. Unë e pranoj rolin e madh të ndërkombëtarëve, sidomos të SHBA-ve. Ndërhyrja e tyre i uli palët, por këta shkuan edhe më tej, me këtë marrëveshje”.
Eni Vasili: Ishte e papritur marrëveshja?
Bamir Topi: Po ishte e papritur, ishte e papërgatitur, sepse kanë qenë shumë kaotikë para arritjes së saj. Dhe në fund çfarë arrtit vendi? Kanë prodhuar një marrëveshje okulte, që sipas meje është akti i dytë i 21 prillit të vitit 2008, kjo u realizua pikërisht në marrëveshjen e fundit. Pse e them këtë? Çfarë garantoi kjo marrëveshje? Unë e mbështesë fakti që opozita u fut në zgjedhje, por në çfarë kushtesh po futet? Ju mendoni se në Shqipërinë ne duhet të punojmë vetëm për monopol të dy individëve. Nëse e pranojmë këtë të gjithë të tjerët le të largohen.
…Këtu ka një marrëveshje të turpshme. Si shpjegohet që pas paktit nuk përmenden më kanabisi, koncesionet, CEZ, korrupsioni qeveritar. Absolutisht nuk po përmendet më asgjë. Kanë rënë në qetësi. Kjo është e dukshme që ka marrëveshje të turpshme që të ulin tonet dhe të merren vesh edhe për këto gjëra. Në këtë “njerzillëk” dhe ulje tonesh nuk e kemi parë në 26 vjet në politikë.