Ballkani Perëndimor do të përfitojë 150 milionë dollarë nga Banka Botërore

450
Sigal

Vendet e Ballkanit Perëndimor do të përmirësojnë gjendjen e korridoreve kryesore të transportit dhe do të zgjerojnë tregtinë si rezultat i mbështetjes nga Banka Botërore përmes një projekti të ri të njoftuar sot.

Projekti për lehtësimin e tregtisë dhe transportit synon përmirësimin e pikave të kalimit kufitar, efikasitetit të shërbimeve të logjistikës dhe futjen e teknologjisë inteligjente në transportin e mallrave dhe pasagjerëve duke përshpejtuar proceset në pikat doganore.

“Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë nga një kosto më e ulët e transportit dhe zgjerimi i tregtisë si rezultat i projektit prej 150 milion $ të Lehtësimit të tregtisë dhe transportit”, tha Kristalina Georgieva, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Bankës Botërore.

“Sipas vlerësimit tonë përfitimet pritet të jenë rreth 1 miliard $ në vit – një kontribut i rëndësishëm ky në kuadrin e përpjekjeve rajonale për të nxitur rritjen ekonomike, shtimin e vendeve të punës dhe krijimin e mundësive për sa më shumë njerëz.”

Georgieva e bëri këtë njoftim në Konferencën për një integrim më të gjerë të vendeve të Ballkanit, organizuar nga Kryeministri bullgar, Boyko Borissov. Konferenca synonte në prezantimin e mënyrave konkrete për të cuar përpara rritjen dhe zhvillimin ekonomik në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për përshpejtimin e aspiratave të tyre për futjen në BE.

Në këtë konferencë të nivelit të lartë merrnin pjese z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Mirko Sarovic, Minister i Tregtisë dhe Marrëdhënieve ekonomike me jashtë për Bosnje Hercegovinën, z. Hashim Thaci, President i Republikës së Kosovës, z. Zoran Zaev, Kryeministër i IRJ të Maqedonisë, z. Filip Vujanovic, President i Malit të Zi dhe znj. Ana Brnabic, Kryeministre e Republikës së Serbisë.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar një rritje ekonomike të konsiderueshme dhe ulje të varfërisë. Që pas krizës financiare të vitit 2008, vendet në rajon kanë ndërmarrë reforma që kanë rezultuar në një rritje ekonomike rajonale prej 2.4% në 2015. Për këtë vit, Banka Botërore parashikon një rritje ekonomike rajonale prej 2.6% dhe 3.6% për 2019. Gjithashtu, janë krijuar 230 mijë vende të reja punë në rajon për periudhën një vjecare prej qershorit të vit të kaluar në qershorin e këtij viti.

Ndërsa liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë shënuar progres të dukshëm, studimet trejojnë se me ritmin aktual të rritjes do të duhen edhe gjashtë dekada të tjera që niveli i të ardhurave të Ballkanit Perëndimor të kapë nivelin e BE-së. Megjithatë, me kryerjen e reformave të duhura dhe sigurimin e stabilitetit makroekonomik, rritja mesatare vjetore mund të ngjitet tek 5 përqind, duke bërë të mundur barazimin e të ardhurave me ato të BE-së në vetëm dy dekada.

Një rritje më e lartë ekonomike do të kërkonte integrim rajonal më të gjerë dhe përmirësim të klimës së biznesit për të nxitur investime në sektorin privat dhe rritjen e punësimit prej sektorit privat.

“Është e rëndësishme që liderët e Ballkanit Perëndimor të punojnë së bashku për të përshpejtuar bashkëpunimin ekonomik mes tyre në transport, tregti dhe korridoret ndërlidhëse me synim rritjen e biznesit”, tha Georgieva. “Ne jemi të angazhuar për mbështetjen e secilit vend në arritjen e objektivave të tyre – sikurse edhe lidhjen më gjerë të rajonit me tregun e BE-së dhe atë global.”

Georgieva tha se liderët e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë edhe nga eksperienca e Bullgarisë në gjenerimin e fondeve shtesë për të investuar në korridoret ndërlidhëse të transportit. Bullgaria po punon me Bankën Botërore sesi të përdorë në mënyrën më efikase burimet e gjeneruara nga iniciativa e futjes së sistemeve elektronike në autostradat me pagesë – iniciativë që pritet të gjenerojë deri 9 milairdë Euro gjatë dekadës së ardhshme. Financimet e përfituara në këtë mënyrë do t’i lejojnë Bullgarisë të përfundojë infrastrukturën e transportit dhe të behet më konkurruese.

Banka Botërore po investon aktualisht për përmirësimin e korridoreve të transportit në gtë jithë rajonin e Ballkanit. Ajo po punon për të mbyllur disa boshllëqe në Korridorin 8 në Maqedoni dhe Korridorin 10 në Serbi. Përmirësimet në Korridorin 8 pritet të shkurtojnë kohën e udhëtimit të kamionave nga Sofia në Shkup nga 6 orë në tre ore e gjysmë.