“Ballkani më pranë BE”-së

510
Sigal

Konferenca e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e organizuar në Berlin, nën kujdesin e Kancelares gjermane, Angela Merkel, u mbyll sot me sukses. Po nis një kapitull i ri në marrëdhëniet mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit. Në takimin mes zonjës Merkel, Presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso dhe 7 kryeministrave të vendeve të Ballkanit perëndimor u përcollën mesazhet pozitive dhe inkurajuese. Kancelarja Merkel ka shprehur mbështetjen pa rezerva të Bashkimit Europian për integrimin e vendeve të Ballkanit. Ndërsa Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso u shpreh se bashkëpunimi rajonal është tejet i rëndësishëm. Ai vlerësoi se Ballkani Perëndimor shënon progres dhe vendet janë shumë pranë BE-së. Por sipas Barrosos, “nevojitet forcim i sundimit të ligjit dhe demokracisë”. “Unë dhe Presidenti Barroso,- tha më tej Kancelarja Merkel,- i mbështesim vendet e Ballkanit në rrugën e anëtarësimit në BE. Jemi të angazhuar që në Ballkan të mos ketë më luftë, por paqe. Duke qenë se në këto vende ka pasur zhvillime të shumta ka mundësi që të ketë anëtarësim në BE. Për këtë arsye kjo konferencë do të zhvillohet çdo vit në 4 vitet e ardhshme”, ka thënë Merkel. Kancelarja gjermane ka premtuar, gjithashtu se, do të ketë një proces të vazhdueshëm pune për zgjidhjen e problemeve politike të rajonit, duke e vënë theksin tek ato mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe në Bosnje e Hercegovinë. “Kemi pasur idenë për të ngritur një rrjet të ri, ku të bashkëpunojë gjithë rajoni. Dëshirojmë që procesi i integrimit të ecë më shpejtë që këto vende të integrohen. Sllovenia dhe Kroacia janë anëtarësuar, të tjera kanë marrë statusin dhe kanë avancuar. Por gjithçka është në dorën e tyre. Zotit Barroso thotë se, Komisioni është i gatshëm t’i ndihmojë këto vende”… Ndërsa Kryeministri Rama, i vetmi nga 7 kryeministrat në këtë deklaratë, në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e kësaj konference për Ballkanin perëndimor, që sipas tij, është një garant për paqen në këtë rajon. Duke falënderuar posaçërisht kancelaren Merkel, Kryeministri i Shqipërisë ka bërë edhe një pasqyrim të bisedimeve të prekura në takimin e zhvilluar. “Ramë dakord sot që ky takim të bëhet çdo vit, në mënyrë që ne të thellojmë raportet BE-Ballkan”, ka thënë Rama, i cili megjithatë, është shprehur i vetëdijshëm për vështirësitë e procesit të integrimit. “Jemi të vetëdijshëm se ka dyshime, zhgënjime dhe zemëratë brenda BE-së, por megjithatë, ne e shohim BE-në jo vetëm si sukses, por edhe si zhvillim. Të gjitha vendet e Ballkanit sot bashkohen në rrugën e reformave, që një ditë të bashkohen me familjen europiane. Do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por gjeopolitikisht dhe gjeo-ekonomikisht ne e kemi të qartë se, ku duhet të jetë e ardhmja jonë”, ka shtuar Rama.  “Lidershipi i kancelares Merkel dhe vullneti i Gjermanisë i shprehur sot në mënyrë të dukshme me këtë nismë është garancia më e sigurt se konferenca e sotme është fillimi i një procesi ristrukturimi politik dhe ekonomik të Ballkanit. Sot kancelari i Austrisë ka anonçuar se do të jetë ky vend që do presë konferencën e vitit të ardhshëm. Ky është një tregues më shumë. Lidhur me përgjimet kryeministri tha  se ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe ndajmë me Gjermaninë përpjekjet e përbashkëta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Prandaj, kur bëhet fjalë për sigurinë nuk ka asnjë paragjykim”, ka thënë Rama. Ndërsa kancelarja Merkel u shpreh: “Mbështes ato që tha Kryeministri Rama lidhur me rastin e përgjimeve. Sa për të tjerat mund të them se, në një ditë mund të provojmë se mund të ecet përpara. Ne duhet të mbështesim popujt, kemi mbështetur marrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës, zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë dhe problemet e BeH. Gjithashtu, në këtë takim ne kemi vendosur piketat për të ardhmen”. Konferenca për Ballkanin nisi punimet më herët me takimin e ministrave të Zhvillimit Ekonomik dhe përfaqësuesve të BE-së, për të parë mundësinë e avancimit të projekteve në infrastrukturë, ku më i rëndësishmi është Korridori i Kaltër, që nis në Kroaci e mbaron në Greqi, si dhe projektet në energjetikë e ato në transportin hekurudhor. Ndërkohë, takimit mes ministrave të Jashtëm i parapriu një deklaratë e shefit të diplomacisë gjermane, Steinmeier, i cili tha se, “Kjo konferencë nënvizon faktin se Gjermania po vazhdon të angazhohet me një përkushtim të madh për të gjithë rajonin. Ajo konfirmon pohimin tonë për perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”.  Në këtë takim mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, si dhe komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule. Kjo konferencë për Ballkanin këtu në Berlin çel siparin e një projekti 4-vjeçar pasi në vitet e ardhshme kjo konferencë do të zhvillohet në Austri e më pas në Francë.