Balla: “Zoti Sali Berisha, je thirrur dëshmitar në këtë komision për të dëshmuar”, Berisha mungon

418

Sigal

Në një kohë kur deputeti Taulant Balla i bëri thirrje nga Kuvendi ish-kryeministrit Sali Berisha që të shkonte për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për çështjen CEZ, ky i fundit nuk ka pranuar që të jetë prezent. Mësohet se Berisha ishte thirrur si dëshmitar për t’u paraqitur në seancë.

Dy javë më parë, nga foltorja e parlamentit, deputeti Balla i kërkoi Berishës të paraqitet në komisionin hetimor të ngritur për çështjen e CEZ, në të kundërt do të angazhohet policia për ta sjellë, në bazë të ligjit që kanë komisionet hetimore.

“Zoti Sali Berisha, je thirrur dëshmitar në këtë komision për të dëshmuar. Kemi marrë një përgjigje nga kreu i PD se në seancën e parashikuar para pak kohësh s’kishe mundësi të vije, se vetë nuk përgjigjesh ti. Tani po ta them këtu në sallën e Kuvendit të Shqipërisë sipas ligjit për komisionet hetimore, je i detyruar të vish me vullnet të lirë, në të kundërt do ti kërkojmë Policisë së Shtetit të të sjellë me zor në komision hetimore, ta dish. Mirë bën që në datë 14 nëntor ora 10:00, je i pari aty për të dëshmuar. Unë e di që ti i ke frikë këto prokuroritë e komisionet hetimore e tjera me radhë. Bën mirë të vish, të fillosh një proces shpëlarje pas gjithë këtyre ngarkesave që ke këto vite”,- tha Balla.