Balla: Të enjten kam surprizë për Bashën. Reagon Paloka: Mos harro edhe avionët e drogës dhe Xhafën!

719
Sigal

Taulant Balla çon Bashën në gjyq dhe e paralajmëron: Të enjten kam një surprizë për ty

Paloka: Pse nuk e çon që sot kryetarin e PD-së në prokurori?

Polica e Shtetit ka mundur të identifikojë personin që e porositi blerjen e Toyota Yaris, në të cilën e gjendën 3.4 milionë euro. Ka arrestuar edhe shoferin e mjetit në të cilën u transportua Toyota.

Cilët janë garantuesit e miliona eurove të Krimit?

Është shumë e çuditshme, që të jetë rastësi, që të enjten në parlament kryetari i Opozitës të deklarojë se deputeti Taulant Balla qarkullon 1.5 milionë euro me Toyota Yaris të trafikantëve të drogës nga Gjermania, dhe një ditë më vonë, të kapet, pikërisht Toyota Yaris në portin e Durrësit dhe të sekuestrohen 3.4 milionë euro. Që këto miliona euro janë të njerëzve të botës së krimit, kjo është e pa përgënjeshtruar nga askush. Mirëpo, pyetjet nuk kanë marrë ende përgjigje: Cilët persona me pushtet, apo me ndikim të madh në qeverisje janë garantuesit e miliona eurove, që vijnë në Shqipëri nga bota e krimit? Cilët persona, me pushtet, ose me influencë në qeverisje do të bënin pastrimin e parave?

 

Replikat Paloka – Balla

Deputetja e PD-së Dhurata Çurri deklaroi publikisht se kryetarin e PD-së Lulzim Bashën e informuan për Toyota Yaris shërbimet e huaja informative, pasi ato nuk kanë më besim te qeverisja e Ramës. Ndërsa dje, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, falënderoi Policinë e Shtetit për suksesin e sekuestrimit të miliona eurove, ndërkohë pranoi që informatorë brenda Policisë së Shtetit rrodhën informacionin dhe dekonspiruan operacionin. Gjithashtu, Balla mohoi se ai është garanti, madje tha, se, nëse provohet kjo, është gati të gjykohet te Sheshi “Skënderbej” i rindërtuar. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se do çojë Bashën në gjyq për shpifje dhe e paralajmëroi, se të enjten në Kuvend do publikojë prova që sipas tij, kryedemokrati ka lidhje me personat e arrestuar, si të përfshirë me sekuestrimin e shumës së madhe të parave.

Taulant Balla: Që Taulant Balla nuk ka as një lidhje me ndonjërin prej këta ju garantoj me përgjegjësi penale. Jo mandatin e deputetit por jam gati të më bëhet edhe gjyqi në sheshin “Skënderbej” nëse me gjendet ndonjë lidhje me ta. I them Lulzim Bashës, që në fund të kësaj historie, ai i ka ca lidhje me këta persona të përfshirë. Nuk po i them sot, por i kam gjetur ca lidhje Lulzim Bashës me këta persona. Do t’i ruaj për të enjten disa surpriza për Lulzim Bashën. Në fillim e kam marrë me shaka këtë çështje, kam qeshur edhe dje me këtë budalla. Hajt se nuk e merr njeri seriozisht dhe më pas krijon historinë. Me përgjegjësi e deklaroj që nuk ka një shërbim partner ndërkombëtar që t’i raportojë këtij delinkuenti, përkundrazi. Por që ende ka ndonjë militant, ndonjë shërbim inteligjence të brendshëm që transferon SMS, informacione konfidenciale në kuadër të zhvillimit të një aksioni të rëndësishëm policor dhe që vë në rrezik aksionin, kjo është e vërtetë. Do të formulohet edhe me detaje kallëzimi penal brenda kësaj jave. Pasi të jetë kopsitur mirë, do të depozitohet. Por apeli im sot ndaj prokurorisë duhet të mos vonojë në asnjë moment të thërrasë këdo, së pari Lulzim Bashën që pretendon se ka informacione. Të thërrasë çdo deputet, dhe mua. Por kësaj radhe Lulzim Basha nuk do ta hedhë paq. Pse nuk flet sot PD për dëshmitarin X? Pyesni, Lulzim Bashën kush është ‘Doraci’. Të jeni të sigurt, që faljen do ia kërkoj me vendim gjykate Bashës. Meqenëse Kryetari i Partisë Babalokratike Lulthim Batha nuk kishte guxim sot të dalë vetë, por nxori nënkryetharin vet dhe kishte merak kur kallëzohet në Prokurori për shpifje, i them: Nethër o Lulthim.

Paloka: Pse nuk zgërdhihet më derrkuci me Toyota???

Nënkryetari i PD-së Edi Paloka i përgjigjet Taulant Ballës. Deputeti Balla doli dje para mediave dhe tha se do të kallëzonte në prokurori kreun e PD-së Lulzim Basha brenda kësaj jave, Paloka e pyet, përse nuk e bën që sot akuzën në prokurori për të? Deklarata e Palokës: Pse nuk zgërdhihet më derrkuci me Toyota??? Taulant Balla, një derrkuc i dhjamur nga paratë e drogës, që pastron bashkë me bandën e Elbasanit, sot nuk u zgërdhi. Taulantit i ka ikur zgërdhirja. Taulantit i ishte tharë buza e mezi fliste. Taulanti u përtyp e u përtyp si derrkuc i dhjamur i ngecur në baltë, po nuk tha asgjë. Sepse derrkuci e di që ka ngecur në baltë. Dy pyetje për derrkucin me Toyota:

  1. Akuzën në prokurori për Lulzim Bashën, pse nuk e bën që sot, po ke vendosur të presësh deri në fund të javës?
  2. Aktorin e Babales pse nuk e nxjerr që sot që ta shohë e gjithë Shqipëria, po e mban kaq gjatë të fshehur?

Për ta kuptuar hallin e madh që ka zënë derrkucin e Toyotës, kujtoni se çfarë thoshte derrkuci për avionët e drogës para tre vjetësh, kujtoni se çfarë thoshte derrkuci për Saimir Tahirin, çfarë thoshte derrkuci për Elvis Rroshin, çfarë thoshte derrkuci për Agron Xhafajn. Balla bën ironi me Palokën: Nxorre nënkryetarin, o Lulthim!