Balla: ” Imami shet 85 mijë metra katror territor ushtarak në Tiranë”

462
Sigal

PS-ja vazhdon të publikojë shitjen masive të pronave të ushtrisë shqiptare

Duke vijuar fushatën e denoncimeve të shitjes masive të pronave të ushtrisë shqiptare, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka qenë sot në Komunën Dajt, ku në kufijtë e Tiranës, Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë për shitje disa prona të rëndësishme të ushtrisë. Deputeti Balla tha se këto shitje po bëhen pa asnjë lloj konsultimi me qeverisjen vendore. “Sot, po vazhdojmë denoncimet tona për pronat e ushtrisë që po shet Arben Imami, këtu në komunën Dajt, vetëm disa qindra metra nga vija rrethuese e qytetit të Tiranës. Arben Imami po shet disa reparte ushtarake, totali i të cilave shkon në 85 mijë metra katrorë. Jo vetëm vlera e shitjes që është shumë larg vlerës reale, por ajo që vihet re edhe këtu është në radhë të parë mungesa e çdo lloj komunikimi të domosdoshëm dhe institucional me institucionet e qeverisjes vendore dhe e dyta mos marrja parasysh e asnjë kërkese minimale të komuniteteve që jetojnë këtu.”  Vetëm në Komunën e Dajtit Arben Imami po shet 85 mijë metra katrorë, u shpreh deputeti Balla. “Le ti marrim me radhë të gjitha repartet ushtarake që Arben Imami po shet këtu në Dajt, në një nga zonat më të rëndësishme që rrethojnë kryeqytetin e Shqipërisë. Kemi ish-Ofiçinën, Qesarakë- Tiranë,  15 mijë metra katrorë; Batalionin e Ndërlidhjes, përsëri në Qesarakë, 32, 930 metra katrorë; ish-Batalionin e Këmbësorisë në Shupal, 1365 metra katrorë; Reparti 8890 , te Rrapi i Treshit, 34,126 metra katrorë; ish-Shtabi i Repartit 1511, Qesarakë, 13.387 metra katrorë. Pra në total, vetëm këtu në Dajt Arben Imami po shet 85 mijë metra katrorë.”Sipas Ballës kjo shitje masive e pronave të ushtrisë edhe në Dajt është bërë pa marrë parasysh nevojat e komunitetit apo pa u konsultuar me pushtetin vendor. “Kur thashë pak më sipër se nuk ka marrë parasysh kërkesat e komunitetit, i referohem dokumentacionit të përgatitur prej Komunës Dajt dhe drejtuar Kryeministrit të kësaj qeverie, Sali Berishës, ku i kërkon që një prej këtyre reparteve prona të ushtrisë këtu në Dajt, të mos shiten, të mos privatizohen, por të shkojnë për nevojat e komunitetit të kësaj zone për të ndërtuar një shkollë. Por kërkesa e këtij komuniteti për të ndërtuar një shkollë nuk është marrë parasysh as nga Saliu dhe as nga Arben Imami. Në mbyllje, deputeti i Partisë Socialiste ka theksuar edhe një herë se kjo mënyrë shitjeje me nxitim dhe pa konsultuar asnjë prej të interesuarve, hedh dyshime për afera korruptive të pushtetit me pronat e ushtrisë. “Sali Berisha dhe Arben Imami po shesin së bashku  85 mijë metra katrorë troje këtu në Dajt, duke mos marrë parasysh interesat dhe nevojat e komunitetit lokal, por kanë në mendjen e tyre dhe në praktikën e tyre zyrtare përmes të gjithë dokumentacionin që kanë përgatitur, veçse interesat e njerëzve të lidhur me pushtetin e tyre. Interesat e oborrit të Saliut dhe interesat e Arben Imamit që është kthyer në shërbëtorin e oborrit, duke shitur pasuritë e ushtrisë së këtij vendi. “