Balla i përgjigjet Bashës: Ti nuk e di ndryshimin mes Rregullores së Kuvendit dhe ligjit

724
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas deklaratës së kryedemokratit Basha sa i përket kërkesës së deputetëve socialistë për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit për rastet e hetimit ndaj deputetëve.
Sipas Ballës, kërkesa për ndryshimin e rregullores së Kuvendit është në kuadër të mirëfunksionimit të punës në Kuvend, dhe nuk është ndryshim ligji.
Deputeti socialist tha se “Basha nuk di të bëjë ndryshimin mes Rregullores së Kuvendit dhe ligjit”.
“Më vjen keq që Basha nuk di të bëjë ndryshimin mes Rregullores së Kuvendit dhe ligjit. 139 deputetët e Kuvendit e dinë se Rregullorja është për rregullimin e mirëfunksionimit të punës së Kuvendit.

Propozimi i PS është reflektim për ndryshimet kushtetuese. Kuvendi ka respektuar Kushtetutën, edhe ndryshimet i referohen kushtetutës.
Personi që ka folur sot, që quhet Lulzim Basha, nuk e ditka që ne kemi votuar me 140 vota ndryshimet kushtetuese një vit më parë”, u shpreh deputeti Balla.
Deputeti socialist tha se këto ndryshime synojnë vendosjen e Rregullores së Kuvendit në linjën e Kushtetutës.
“Në këtë procedurë Këshilli i Mandateve respekton procedurën e përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale. Rregullorja e Kuvendit në peshë juridike është me poshtë se Kodi i Procedurës Penale. Rregullorja po vendoset në linjën e Kushtetutës. E drejta e fjalës së personit të akuzuar ekziston në të gjitha dokumentet për të drejtat e njeriut”, tha Balla.
Sigal