Balla deklaron: Maxhoranca të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

430
Sigal

Kuvendi duhet të rishikojë shkarkimin e 2 anëtarëve të KLD-së, duke anuluar emërimet e tij

Më 16 dhjetor 2014 Gjykata Kushtetuese gjeti nenin 4 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, në shkelje të Kushtetutës, i cili shërbeu si bazë ligjore për shkarkimin nga Kuvendi të 2 anëtarëve  të KLD, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, të zgjedhur nga Kuvendi dhe zëvendësimin e tyre me tyre me Vangjel Kostën dhe Albana Shtyllën.  Një ditë më vonë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi se për këtë vendim  të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi do të presë zbardhjen e argumentimit të vendimit nga Gjykata Kushtetuese dhe pastaj, me kthjelltësi e maturi do të veprohet. “Kuvendi do ta shohë me vëmendje maksimale dhe është Kuvendi ai që do të vendosë”, tha Meta.Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, me qëndrimin e tij jo të qartë, njëfarësoj, paralajmëroi  se shkarkimi i dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, me shumë gjasa do të rishikohet edhe një herë nga Parlamenti.

 Balla: Maxhoranca të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Shumë deputetë të PS-së, të pyetur nga “Telegraf”, se cili është qëndrimi politik që duhet të mbajë Kuvendi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk donin të shprehnin asnjë mendim, duke bërë ose të paditurin, ose duke u shprehur se nuk janë anëtarë të Komisionit të Ligjeve, paçka se ata vetë kanë qenë të pranishëm në seancën plenare të diskutimit të p/ligjit, e për më tepër, edhe e kanë votuar, ( natyrisht, duke pasur edhe bindjen e tyre, jo aq kanë zbatuar mekanikisht një urdhër të marrë nga partia.). Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i pyetur nga “Telegraf”, fillimisht u shpreh se nuk ka dijeni, nuk e ka dëgjuar këtë vendim.  Por, ndërkaq pohoi se nëse Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin që të cilësojë antikushtetues amendamentin e nenit 4, i cili shërbeu si bazë ligjore për shkarkimin nga Kuvendi të 2 anëtarëve  të KLD, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, të zgjedhur nga Kuvendi, atëherë, pohoi Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, maxhoranca duhet që të zbatojë këtë vendim.

Ndoka: Kuvendi është i detyruar të rishikojë ligjin për shkarkimin e 2 anëtarëve të KLD-së

Deputeti Nard Ndoka, që është një nga deputetët e  opozitës që merr pjesë në Kuvend, duke “bojkotuar” bojkotin e opozitës, i pyetur nga “Telegraf”, pohoi se tani Kuvendi është i detyruar që të rishikojë ligjin që miratoi, për shkarkimin e 2 anëtarëve të KLD-së, duke shtuar, se qysh në Komisionin e Ligjeve, ai paralajmëroi maxhorancës, se ata po shkelnin Kushtetutën. “Nuk ka asnjë mundësi që Kuvendi të mos respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shtoi Ndoka.

Pritshmëria e maxhorancës dhe presioni i ndërkombëtarëve

Duke u nisur edhe nga deklarata e vetë kryetarit të Kuvendit, maxhoranca fillimisht u befasua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjithsesi, nuk e priste këtë rrjedhë, ndaj reagimi i parë është të ruajë gjakftohtësinë, për të mos dhënë pretekste për keqkuptime, apo reagimi i parë të jetë kryekëput i kundërt me veprimin që do të detyrohet të mbajë më vonë. Fillimisht, ky ligj i ndryshuar që miratoi maxhoranca, pavarësisht se ka 84 vota, është miratuar pa praninë e opozitës, kështu që mbi maxhorancën rëndon edhe akuza e vendimmarrjes së njëanshme, edhe për ligje që detyrimisht duhet të merren (jo thjesht me votë të cilësuar) në konsensus me opozitën, pasi përbëjnë prioritetet  e paracaktuara nga BE-ja për  procesin e integrimit. Maxhoranca është përpara një alternative të vetme politike, përpara ndërkombëtarëve), por edhe opozitës). Që të pranojë e të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si hapin e parë të dëshirës që duhet të demonstrojë, për të filluar dialogun politik me opozitën. Më tej,  ky qëndrim i maxhorancës, do të jetë edhe një garanci, që reformat që janë prioritetet e BE-së për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë, për fillimin e procesit të hapjes së negociatave për anëtarësim, do të kryhen në konsensus edhe me opozitën.