Balla: Basha 3 çështje të hapura me drejtësinë. Të përgjigjet për to!

532
Sigal

TIRANE – Ndërsa lideri i opozitës kërkoi dorëheqjen e kryeparlamentarit Meta dhe përballjen me drejtësinë për akuzat e Doshit se ka urdhëruar vrasjen e dy deputetëve, Taulant Balla nga PS i kujtoi Lulzim Bashës tre çështje për të cilat ai duhet të përgjigjet para organit të akuzës. 

Në një deklaratë për mediat nga kryesia e Kuvendit, nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, tha se Basha ka ende tre cështje të hapura me drejtësinë. E para është ajo kur zoti Basha firmosi paktin detar me Greqinë në cilësinë e ministrit të Jashtëm, së dyti si ministër i Brendshëm, kur sipas Ballës urdhëroi vrasjen e 4 protestuesve në 21 Janar, dhe së treti për aferën 230 milionë euro për Rrugën e Kombit.

“Sot dëshiroj t’i drejtohem njërit prej kryetarëve, atij pa pushtet në PD Lulzim Basha. Basha ka tre çështje të hapura me drejtësinë për të cilat duhet t’i drejtohet vetë më urgjencë organeve të drejtësisë. Tradhtia kombëtare si Ministër i Jashtëm kur shiti hapësirën detare të vendit tonë. Të dëshmojë për vjedhjen më të madhe në histori si ministër i Transporteve, 230 milionë euro në aferën e rrugës Durrës-Kukës. Për vrasjen e 4 qytetarëve shqiptarë ndaj të cilëve ai si Ministër i Brendshëm urdhëroi të qëllohet në mes të bulevardit, më 21 janar 2011. Dëshmive të Lulit si kryetar Bashkie nuk po i përmend sot se vetë qytetarët janë përgatitur t’ia japin një përgjigje të fortë më 21 qershor. Basha është fshehur me udhëtime jashtë shtetit me raporte shëndetësore po shqiptarët nuk kanë harruar asnjë prej këtyre dëshmive që Basha duhet të përgjigjet. Të mos fshihet më por të dëshmojë. Asnjë shqiptar nuk ja fal as 4 të vrarët as tradhtinë ndaj kombit as 230 milionë eurot”, tha Balla.

Në përfundim, deputeti socialist Taulant Balla falënderoi Policinë e Shtetit, dhe strukturat e tjera ligjvënëse që garantuan mbarëvajtjen e protestës.