Babëzia për naftë helmon shqiptarët, shteti bën sehir

602
Sigal

Jakup B. GJOÇA

6 të rinj nga Zharrëza u helmuam nga nafta, mjekët nuk u bëjnë analizat e gjakut

Fatkeqësia më e madhe shoqërore është që banorët e zonës naftëmbajtëse në Zharrës, në vend që të jetonin të lumtur dhe në mirëqenie të lartë, përkundrazi, jetojnë në mjerim të plotë ekonomikë, të papunë, por, edhe helmohen nga mbetjet toksike të derivateve të hidrokarbureve që çlirohen nga nafta. Babëzia e kompanive naftëshfrytëzuese është kaq e madhe, sa nuk bëjnë asgjë për të eliminuar pasojat e procesit teknologjik të shfrytëzimit të naftës në mjedis, por, siç e pohon në intervistën për gazetën “Telegraf” që po botojmë, edhe eksperti ambientalist, Prof. Sazan Guri, kanë marrë peng edhe institucionet shtetërore monitoruese dhe hetuese.

Akoma është e freskët ndotja e mjedisit nga shpërthimi i naftës

Para disa muajsh në zonën naftëmbajtëse të Zharësit shpërthyen disa puse nafte, natyrisht, për mosmonitorim të procesit teknologji, me pasoja fatale për ekologjinë dhe shëndetin publik, për shkak të çlirimit në atmosferë të gazrave shumë helmuese të hidrokarbureve, që shoqërojnë naftën. Siç dihet, pasojat e ndotjes ekologjike me hidrokarbure janë shumë të mëdha edhe në kohëzgjatje, pasi këto mbetje duan shumë vite të zbërthehen, kanë ndotur tokën, ujërat nëntokësore.

Helmimi nga gazrat e hidrokarbureve të 6 banorëve të Zharësit

E vërteta është se banorët e zonave naftëmbajtëse janë të ekspozuar ndaj gazrave helmuese të hidrokarbureve, prandaj ata kanë shumë sëmundje “profesionale” në shkallë dhe në intensitet shumë herë më të lartë, sesa popullsia tjetër. Dje, 6 banore të fshatit Zharrëz në Fier ndjenë simptoma të helmimit dhe u dërguan në urgjencën e spitalit të Fierit gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës, pasi shfaqen probleme shëndetësore në të njëjtën kohë. Ata pretendojnë se janë helmuar, pasi jetojnë pranë puseve të naftës dhe gazit në Zharrëz.

Spitali Rajonal i Fierit nuk u bën analizat e gjakut banorëve të helmuar

Mjekët e spitalit të Fierit bëjnë të ditur se 6 banorët e Zharrësit, që shfaqën shenja helmimi, morën trajtimin e duhur dhe pas 2 orësh u larguan nga spitali në gjendje të stabilizuar. Sipas bluzave të bardha, pacientet u paraqitën me dhimbje koke, gjendje konvulsioni dhe marrje mendsh. Por mjekët thonë se nuk mund të përcaktojnë nëse kjo gjendje ka ardhur si pasoje e helmimit nga gazi. Fillimisht u dyshua se djemtë mund të kishin konsumuar alkool, por rezultatet e analizave e hodhën poshtë një gjë të tillë. Banorët u pohuan mjekëve se mund të jenë helmuar nga gazrat e hidrokarbureve në zonën naftëmbajtëse të Zharrësit, mirëpo mjekët, për shkaqe dhe arsye që ata nuk pohojnë, nuk u bënë analizat e gjakut, për të parë, se sa janë elementët e gazrave të hidrokarbureve në gjakun e pacientëve.

Instituti i Shëndetit Publik dhe Inspektoriati i Mjedisit heshtin, sikurse hesht edhe prokuroria

Banoret e fshatit Zharrëz kanë bërë shpesh apel për ndihmë, pasi sipas tyre jetesa mes gazit e naftës është shume e vështirë. Nuk janë të pakta rastet kur banore te kësaj zone shfaqin probleme shëndetësore si pasojë e ajrit të ndotur. Ndërkohë, ankesat e vazhdueshme të banorëve kanë bërë që në vendin ku shkarkohen mbetjet hidrokarbure nga dekatimi i Albpetrol, në përroin e Zharrëzës nuk gjejnë derë ku të ankohen në institucionet shtetërore që janë përgjegjës për monitorimin dhe për hetimin e rasteve. Njëri nga banorët, Anton Asllani shprehet se kjo ngjarje përsëritet vazhdimisht dhe se edhe para një javë ka qenë e njejta situatë. Ai është shprehur se kur kanë ndjerë në fillim erën e fortë të naftës kanë menduar se kalonte ndonjë autobot aty pranë, por kur dolën jashtë panë që aty pranë po bëheshin shkarkimet e depove të naftës bruto të kompanisë shtetërore Albpetrol. Kështu, inspektorët e Inspektoriatit të Mjedisit, dhe ata të Inspektoriatit të Shëndetit Publik vetëm zotohen se do të monitorohet gjendja, thua se ngjarjet janë aksidentale, të papërsëritshme dhe “harrojnë” që ndotja me gazrat e hidrokarbureve është dukuri që ndodh vite të tëra. Kryeinspektori i zyrës rajonale Fier, të Inspektoratit të Mjedisit, Pyjeve, ujërave dhe turizmit, Agron Basholli, ka pohuar se gjendja e krijuar do të monitorohet në vazhdimësi me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare, ndërsa sipas tij po shihet mundësia e mbylljes së këtij dekantimi. Institucionet shtetërore që monitorojnë mjedisin dhe shëndetin publik në zonën naftëmbajtëse të Zharrësit dhe më gjerë, a kanë bërë herë pas here matjet e gazrave të hidrokarbureve? Sa janë ato? Gazrat e hiodropkarbureve perceptohen në tokë dhe në ujërat nëntokësorë dhe duhet një kohëzgjatje prej dhjetëra vitesh, që të denatyrohen. A kanë raportuar ndonjëherë Ispektoriati i Mjedisit për shkalline ndotjes së ajrit dhe tokës në Zharës? Në çfarë përqindje është ndotja? Sa është e rrezikuar jeta e njerëzve, e ujit, e florës dhe e faunës nga kjo ndotje? A ka raportuar ky Inspektoriat i Mjedisit për masat dhe detyrat që i ka lënë kompanisë naftëshfryetësuese? A i ka monitoruar zbatimin e këtyre masave? Ku ka raportuar ky Inspektoriat i Mjedisit? Përse inspektorët e këtij Inspektoriati, tani, pas helmimit të banorëve, kujtohen të pohojnë se do …monitorojnë situatën? Deri tani, pse kanë ndenjur duarlidhur? Mos vallë kanë qenë të kapur nga kompania naftëshfrytëzuese dhe kanë heshtur për interesa të caktuara, në dëm të shëndetit publik? Po Ispektoriati i Shërbimit Publik, a ka studime për sëmundjet e shpeshta që kanë banorët e zonave naftëmbajtëse? A janë evidentuar këto sëmundje, shkalla e shfaqjes së tyre tek banorët? Cilat janë shkaqet dhe arsyet? A ka analiza të gjakut të banorëve të kësaj zone naftëmbajtëse? Sa është përqindja e gazrave të hidrokarbureve në gjakun e banorëve të zonës naftëmbajtëse? Prokuroria, a ka hetuar ndonjëherë shkaqet dhe fajtorët e ndotjes së mjedisit, faunës dhe ujërave nëntokësorë nga hidrokarburet në zonat naftëmbajtëse? Shëndeti i rrezikuar i banorëve të Zharrësit duhet të detyrojë edhe prokurorinë, që të fillojë hetimet ndaj shkaktarëve, fajtorëve që rrezikojnë shëndetin publik me ndotjet e hidrokarbureve.

Alpetroli vetë bën analiza dhe vetë vulos vendimet

Përfaqësuesit e kompanisë Albpetrol kanë hedhur poshtë pretendimet e banorëve duke pohuar se nuk kanë kryer operacione të derdhjes së hidrokarbureve, dhe bën edhe vetë analizat e ndotjes së shkakton vetë si kompani. Në një reagim të saj, Albpetrol, në kushtet e konfliktit të pastër të interesit, sqaron se ka kryer matjet në vendin ku banorët kanë thënë se dilte uji i helmuar dhe ajri. Rezultatet e matjeve, sipas Albpetrol, kanë rezultuar të pastra, nën nivelin minimal të ndotjes. Sipas kësaj kompanie, personat janë dehur nga pijet alkoolike dhe janë helmuar në një lokal të zonës.