Babëzi qeveritare? Rama-opozitës: Këto janë 3 arritjet në shëndetësi që ju s’doni t’i pranoni

556
Kryeministri Edi Rama ditën e sotme nga foltorja e Kuvendit foli për arritjet e qeverisë së tij në sektorin e shëndetësisë.
Sipas tij, tashmë çdo qytetar ka mundësinë të bëjë kontroll bazë mjekësor falas si dhe ka kushte optimale të standartit europian.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë iu drejtua opozitës duke i thënë se është ende herët për të gjykuar qeverinë “Rama”.
“Për çfarë do mbahet mend qeveria e Ramës, këtë gjë lërjani kohës se është herët, dhe ju nuk keni mundësi ta shikoni me pozitivitet e ta bëni konkluzionin. Përgatituni se keni 4 vite kohë për të parë se çfarë do të lërë si gjurmë në historinë e këtij vendi qeveria Rama.
Ndjenja e përgjegjësië për t’i shërbyer shqiptarëve është që t’i garantojë kontrollin bazë mjekësor falas. Më parë paguanin nga xhepi, sot e bëjnë falas. Kjo babëzi qeveritare siç e quani ju ka garantuar shërbimin falas në kushte optimale me standarte europiane të të gjithë atyre që kanë nevojë për hemodializë, të cilët më parë duhet të bënin udhëtime 3 herë në jave në Tiranë, e në Tiranë të mbanin radha me tre turne, e me gjithë stresin që shkakton kjo torturë. Është e rëndësishme ta kujtoni, po ju s’e bëni s’e s’keni përgjegjësi, që nëse deri dje për këtë shërbim buxheti i shtetit paguante 90 euro për një seancë, sot paguan 80. Është më i lirë. Kjo babëzia, së treti ka bërë të mundur që sot në spitalet e Republikës të shtrihet shërbimi me instrumenta mjekësore të standarteve europiane. Edhe në spitalin ushtarak keni instrumenta të çertifikueshëm sipas standarteve europiane, në vend të veglave që u ndryshkën që nga koha e dashurisë shqiptaro-kineze. Janë këto 3 shërbime, që s’janë për oligarkët siç thoni ju, por për qytetarin e thjeshtë. Shteti paguan, privati shërben, qytetari përfiton,” tha Rama.
Sigal