Baba Mondi merr urime për 60-vjetorin e Lindjes dhe dhuron ndihma për jetimët

115

Kryegjyshi Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mbush 60 vjeç. Kjo është një datë e shënuar për komunitetin bektashian dhe miliona bektashinj në mbarë botën, për klerikët e këtij besimi të paqtë klerikë të besimeve të tjerë, për grupime sociale e faktorë të tjerë shtetërorë e shoqërorë që duan dhe janë angazhuar për dashuri, harmoni dhe paqe universale. Ashtu si në çdo përvjetor edhe në 60-vjetorin e lindjes Kryegjyshi Botëror i Bektashinjëve, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj ka marrë urime, të shumta nga besimtarët. Dede Edmond Brahimaj ka marrë shumë falënderim e dhe konsiderata të larta prej qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë, shoqatave civile, gjithashtu trupi diplomatik i akredituar në Shkup ka vlerësuar lartë si njeri me të gjitha atributet e një prijësi fetar, posaçërisht roli i tij paqësor në Harabati Baba, teqe në Tetovë dhe mënyrën e tij, përballej me diskriminimin ligjor ndaj Komunitetit Bektashian, duke përdorur urtësinë, zgjuarsinë dhe këmbënguljen. Një urim i veçantë për 60-vjetorin e Kryegjyshit Botëror Bektashian ka ardhur dhe nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Dera e Kryegjyshatës ishte e hapur për vizitorë të shumtë këtë të diel. Ndërsa vetë ai ka vendosur të vijojë traditën e çdo ditëlindjeje, duke dhuruar ndihma për jetimët dhe familjet në nevojë. Baba Mondi: “Kemi menduar të bëjmë disa dhurata për njerëzit në nevojë, sidomos jetimëve në Fier, shkollës “Mujo Ulqinaku” ku ka fëmijë me sindromën Down, të cilëve do t’u çojmë mjete mësimore, kukulla dhe diçka stafit për t’u ardhur në ndihmë dhe dhënë kurajë që edhe ata të përmirësohen aq sa të kenë mundësi për tu ndjerë në shoqëri si gjithë të tjerët”. Ndihmat do të shpërndahen jetimëve edhe ditën e hënë në kryeqytet.