Baba Mondi: Çmimi “Ikonë e Paqes”, vlerësim për gjithë bektashianët

469
Organizata “E duam njerëzimin”, me seli në Los Anxhelos, çdo vit nderon humanistë nga e gjithë bota, që me punën e tyre kanë ndikuar për të ndikuar pozitivisht tek njerëzimi. Çmimet ndahen në selinë e Kombeve të Bashkuara. Këtë vit ndër fituesit ishte edhe udhëheqësi i Kryegjyshatës Botërore bektashiane, Dede Baba Edmond Brahimaj. Pas marrjes së çmimit ai foli për Zërin e Amerikës lidhur me nderimin që iu bë, si dhe rolin e komunitetit bektashian për një shoqëri harmonike në Ballkan dhe përtej tij. Ai e konsideroi, vlerësim shumë të madh marrjen e një çmimi të tillë. “Misioni im është në shërbim të njerëzve dhe ky çmim u dha në Kombet e Bashkuara për tre arsye. E para, për bekimin e fëmijëve, e dyta, për refugjatët dhe e treta, për fatkeqësitë. Për të tria këto, për punën e bërë në vitet 2015, 2016, 2017, u vlerësua puna e bërë nga komuniteti i Kryegjyshatës Bektashiane.

Motivacioni është për paqen. Sa ndikon Kryegjyshata dhe komunitetit juaj në këtë drejtim?
Shqipëria në të vërtetë ka probleme të vogla në krahasim me popujt e tjerë, por është meritë jo vetëm e komunitetit fetar por edhe bashkëpunimit të qeverisë me komunitetin fetar për të realizuar këtë dhe për t’i treguar njerëzve, rrugën e drejtë, rrugën e vërtetë, rrugën e mirësisë, të paqes. Në Shqipëri dhe bashkëjetesa është e shkëlqyer, siç tha edhe vet Papa Françesku. 

Kohët e fundit është shfaqur edhe një rrymë e radikalizmit. Sie shpjegoni këtë, këtë bashkëjetesë mes traditës dhe kësaj rryme të rrezikshme?
Kjo është nga shoqatat që kanë ardhur në Shqipëri që kanë qenë të pakontrolluara dhe kanë vepruar gjatë këtyre viteve, pra dhe misionarët e fesë që janë shkolluar jashtë kanë qenë me rryma të ndryshme, prandaj ndodhin dhe këto gjëra. Kështu Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve e ka mësuar vet brezin e ri dhe nuk e ka çuar në shkolla të tjera, në Turqi, Iran apo në ndonjë vend tjetër, pra e kemi edukuar vet me traditën tonë të bukur dhe të mrekullueshme shqiptare. Kjo është merita e komunitetit Ortodoks, Katolik, Mysliman. Por në fillim kur u hap Shqipëria, njerëzit ishin të paditur, të painformuar, të pashkolluar dhe prandaj kanë ndodhur edhe këto gjëra besoj. Kohët e fundit janë minimizuar dhe besoj nuk do të ketë më gjëra të kësaj natyre, ekstremiste, terroriste. 

Çfarë vendi zë feja në jetën shpirtërore të shqiptarëve? 
Megjithëse komunizmi i prishi njerëzit në drejtim me popujt e tjerë, ka qenë një diktaturë e egër komuniste, pra e shfrytëzoi autoritetin në dëm të shqiptarëve, shqiptarët e treguan veten e tyre kur erdhën kosovarët në Shqipëri. Ne vazhdojmë të punojmë pa pushim në të mirë të njerëzve, sepse ky është edhe misioni jonë.
Sigal