Azilkërkuesit, britanikët trokasin te Xhafaj

624
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është takuar me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së jashtme Britanike dhe kreun e shërbimit diplomatik të Mbretërisë së Bashkuar, Simon McDonald. Në këtë takim Mc Donald i ka dorëzuar një letër të autoriteteve britanike, ku përcillen propozime konkrete të qeverisë britanike për të ndërtuar një bashkëpunim efikas në fushën e luftës krimit, si dhe për mbështetjen konkrete që do t’i ofrohet Ministrisë së Brendshme në fushën e ndërtimit të kapaciteteve për Policinë e Shtetit, veçanërisht asaj kufitare, ofrimin e ekspertizës akademike për Akademinë e Sigurisë, si dhe mbështetje nga Kolegji i Policisë së Mbretërisë së Bashkuar. Pala britanike theksoi se gjatë muajve të verës “ka hartuar një paketë gjithëpërfshirëse mbështetje, e cila do të përmbush këto kërkesa. Ne besojmë se ajo përcakton balancën midis masave afat-shkurtra, masave për rritje kapacitetesh dhe strategjive afatgjata parandaluese. Paketa pasqyron angazhimin tonë ndaj Shqipërisë dhe marrëdhënies tona dypalëshe: Mbretëria e Bashkuar qëndron përkrah Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar”. Në takim u trajtuan gjithashtu edhe një sërë çështjesh, që kanë të bëjnë me trafikimin e lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore (veçanërisht minorenëve), çështja e azilkërkueseve shqiptarë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, përmirësimi i regjimit kufitar shqiptar për parandalimin e azilkërkimit, ndërtimi i kapaciteteve të Policisë shqiptare, shkëmbimi i informacionit, hetimet e përbashkëta, ekspertiza akademike që pala britanike mund të ofrojë për Akademinë e Sigurisë etj. McDonald njoftoi ministrin shqiptar se vitin që vjen Britania e Madhe do të jetë vend pritës i Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nga të dy palët u shpreh gatishmëria për të prezantuar në këtë takim hapa dhe rezultate konkrete në bashkëpunimin midis tyre.
Sigal