Avokati Hazizaj: Nuk ka procedim penal ndaj ish-kryeprokurorit Llalla

570
Në kulmin e përplasjeve me ambasadorin amerikan Donald Lu, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dhe kur zhurma rreth emrit të tij, sa vjen e bëhet më e fortë, për shkak të hetimeve të nisura nga prokuroria e Durrësit, Llalla zgjedh të kontraktojë një mbrojtës ligjor. Sokol Hazizaj, ka siguruar një prokurë të posaçme për të përfaqësuar ish-kryeprokurorin në procese të mundshme penale, çështje civile apo administrative. Avokati Sokol Hazizaj i pyetur nga gazeta “Telegraf”mbi lajmet e përhapura në lidhje me një urdhër arresti të mundshëm ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, tha se: “unë nuk di ç’të them për lajmet që dalin. Si përfaqësues ligjor i z. Llalla mund të deklaroj qartësisht, se nuk është regjistruar asnjë procedim, qoftë penal, qoftë jo penal ndaj tij”. Deklarimi i Sokol Hazizajt është deklarimi i parë zyrtar i përfaqësuesit ligjor të ish-Kryeprokurorit. Hazizaj është një nga juristët më të njohur në vend. Për një kohë ka qenë ligjvënës, më pas ka punuar si zv. ministër i Drejtësisë, për të kaluar në katedrën e Universitetit të Tiranës, si profesor i së drejtës. Hazizaj, prej disa vitesh tashmë ka kaluar në profesionin e lirë të avokatit.
Sigal