Çavo: Berisha po përpiqet të privatizojë nevojën e ndryshimit në Partinë demokratike!

Alma Çuka

Situata problematike në të cilën po kalon Partia Demokratike si dhe deklaratat e forta lëshuar nga lideri i saj Sali Berisha, komentohen nga pedagogia Zamira Çavo

Profesoresha e Shkencave Sociale, Zamira Çavo, nuk ka aspak besim se deklaratat e forta të lëshuara nga ish-lideri i PD-së Sali Berisha, janë të sinqerta. Sipas saj, Berisha ka gisht në çdo veprim të kryer nga Basha, madje është një nga përgjegjësit e humbjes në PD. Më tej ajo shton se në këtë dalje, Berisha në këtë rast, thjesht po i bën shërbim vetes së tij. 

Znj Çavo, si e gjykoni faktin qe lideri historik i Partisë Demokratike foli për gjendjen e kësaj partie pikërisht tani?
Së pari, mendoj që biem të gjithë dakord me faktin, se Partia Demokratike është sot në fundin e saj, pra dhe në nevojën e pashmangshme për gjetjen e një rruge të re riformatimi dhe reformimi. Është një moment kyç në historinë e kësaj partie. Me siguri që do kërkojë pak kohë, por Partia Demokratike do ta gjejë rrugën e saj reformuese. Dhe duhet ta bëjë këtë sa më shpejt, sepse, në mendimin tim, kjo parti është një aset i jetës politike të vendit, pavarësisht gabimeve të rënda që ka pasur lidershipi i saj. Berisha si një politikan egocentrist, por edhe me përvojë 27- vjeçare në politike, e ka kuptuar i pari se ky moment është historik në Partinë Demokratike. Ndaj synon ta personalizojë këtë, duke i bërë kështu shërbim vetes. Pas zgjedhjes se Rucit si kryetar Parlamenti Berisha e kuptoi se do ta ketë vështire rolin e “protagonistit” në politikën e ditës. Dhe media që deri tani është marrë gjatë me fjalimet e tij, gradualisht do ta abandonojë. Kësaj i druhet keqas z Berisha. Ai nuk mund të “durojë” një izolim politik, izolim që mund të sjellë edhe pasoja të tjera. Ndaj nxitoi të bëhej protagonist në një mënyrë të re: Të privatizojë nevojën e domosdoshme që ka Partia Demokratike për riformatim! 

Nuk mendoni ju se ai duhej të fliste për Listat e Bashës kur u hartuan këto lista?
Jo! Unë mendoj krejtësisht ndryshe! Unë jam e bindur se z Basha nuk ka mundur të vendosë as edhe një emër pa “bekimin” e z Berisha. Pra Berisha është bekuesi i kësaj liste. Besoj se askush nuk mund ta përtypë thënien e Berishës që “Unë nuk do e kisha bërë kurrë një listë të tillë e, aq më tepër, që nuk u pyetën forumet”. Po kujt ia servir zoti Berisha këto? Popullit, jo, pasi ai ka sy e mendje për të kujtuar gjithçka që pati thënë Berisha atëherë kur Patozi, Jozefina e të tjerë kërkonin mbledhjen e forumeve. Ndonjë militant klanor vetëm mund ta besojë këtë. Berisha ishte aty, jo në krah të z Basha, por në mendjen dhe gjuhën e tij. Po cili mund t’i “gëlltisë” fjalët e Berishës se “Luli gaboi me Çadrën”? Po ju kujtoj, se sa herë çadra dukej se do jepte shpirt, aq herë ngrihej Berisha dhe i jepte zjarr. Kush i harron këto? Pra, askush nuk duhet të ketë as iluzionin më të vogël se Berisha nuk ka pasur të bëjë me listat apo me politikat çadriste të Bashës.

Mos është presioni i të përjashtuarve që e detyroi Berishën të fillojë një lojë të re politike?
Ju mendoni se z Berisha e ka problem Majlindën, Astritit apo Jozefinën? Aspak. Këtë e ka treguar me fyerjet që iu ka bërë brenda dhe jashtë mbledhjeve të forumeve. Berisha e di mirë që forca politike e të përjashtuarve është gati zero, pasi koha e ka vërtetuar me dhjetëra herë që kush është larguar nga PD-ja nuk ka bërë dot “hajër” më vete dhe pas disa përpëlitjeve është rikthyer sërish aty. Kështu ka ndodhur me Pollon, me Shehun etj. Ndaj Berishës as që i bie ndërmend ekzistenca e të përjashtuarve. Unë mendoj se Berisha do kërkojë ta përdorë çështjen e “Të përjashtuarve” për të pasur gjoja forcën dhe “moralin” e politikës së ditës ndaj militantëve. Ai do përpiqet ta shfrytëzojë pakënaqësinë e të përjashtuarve për qëllimet e tij personale.

Po a nuk mund të hamendësojmë ne, se Berisha është bërë “pishman” për zgjedhjen e Bashës në krye të Partisë Demokratike?
Pikërisht këtë synon të na bëjë të mendojmë z Berisha. Pra ai po kërkon të na thotë, që është bërë pishman. Unë, jo vetëm nuk e besoj këtë, por përkundrazi e shikoj me shumë kërshëri reagimin e anëtarëve të Partisë Demokratike. Po si mund të jetë bërë “pishman” Z Berisha kur ka katër vjet që e shikon, se si z Basha ka shkuar nga njëri dështim politik, në tjetrin? Pse priti kaq vite për të na bërë të mendojmë, se ai është bërë “pishman”? Sërish pra ai kërkon të faktorizohet duke dashur indirekt t’ia lerë fajin Bashës dhe “Këshilltarëve të tij mizerabël”. Kjo është një tragjikomedi e re që do të luhet mbi shpatullat e anëtarëve të Partisë Demokratike, por edhe në arenën tonë politike. Personalisht nuk kam asnjë iluzion për këtë dyshe të politikës. Ata janë në simbiozë të plotë. Gjithçka tjetër është përpjekje për të tërhequr vëmendjen.

Zj Çavo mendoni ju se Partia Demokratike do marrë kosto nga këto deklarata të z. Berisha, duke qenë se në bazën e kësaj partie sërish emri i tij konsiderohet i “shenjtë”?
Jua e thashë edhe më sipër, Partia Demokratike është sot në ditët e saj më të vështira. Dhe Partia Socialiste ka qenë në këto situata dhe lideri i saj solli “Rilindjen” duke i dhënë fund Partisë së vjetër socialiste. Për mirë apo për keq këtë do ta gjykojë historia. Për mendimin tim ky transformim ndodhi për të keqen e socialistëve, por edhe të keqen e vendit. Partia Demokratike është sot në pikën e fundit. Puna është, se si do ringrihet. Nëse Berisha do synojë ta ringrerë sipas modelit të tij (dhe kjo po duket në horizont) atëherë do të jetë një katastrofë për demokratët, por edhe për vendin. Ndaj nuk mendoj se ka problem kostoje dalja e Berishës në media dhe akuzat e tij “të forta” ndaj Liderit të PD-së. 

Si e mendoni ju të ardhmen e partisë Demokratike?
Është vështirë të parashikohet, por ajo që dua të theksoj është nevoja për një rikthim në vlerat e demokracisë dhe besimit politik. As Berisha por aq më tepër Basha nuk besoj se do ta arrijnë ta bëjnë këtë rikthim. Ata kanë treguar me dhjetëra herë se nuk janë, as për demokracinë ,as për vlerat. Ata kanë dëshmuar se e votojnë veten sa herë duan dhe si duan. Nuk kanë pyetur kurrë për forumet apo vlerat e vërteta demokratike që ka padyshim shumë brenda kësaj partie.

Po në raport me qeverisjen, si e mendoni opozitën e Partisë Demokratike?
E kam thënë shumë herë: Partia Demokratike do merret gjatë me veten e saj dhe nuk do bëjë dot opozitë të vërtetë politike. Kjo do ia lehtësojë shumë punën qeverisë Rama, e cila në këtë mandat e ka disa herë më shumë nevojë, për një opozitë të fortë, të mençur e programore dhe jo për një opozitë që vazhdon e çirret si një “adoleshent injorant” që lëshon fjalë në tym vetëm për të treguar se ekzison! Por qofsha e gabuar, kam dyshimin tim, se në këtë mandat qeverisës do jenë “mirë”; dhe Rama, dhe Basha, dhe Meta. Për popullin uroj, të hapë sytë e t’i gjykojë politikanët’ duke krahasuar xhepat e tyre me të vetët. Vetëm atëherë do ta kuptojë rolin dhe fuqinë e tij si popull.