Av. Spartak Ngjela: Kryeministri Rama nuk e kuptoi dot vendin e tij dhe forcën e maxhorancës që drejton

524
Sigal

Intervistë ekskluzive me Av. Spartak Ngjela: Kriza sot në politikë nuk është reale, por për të bllokuar funksionimin normal të institucioneve

Politikani Av Spartak Ngjela është një opozitë në vetvete, pasi asnjëherë në politikë Ngjela nuk është lakmuar kurrë që të përfitojë ai personalisht, ndaj çdo kritikë e Ngjelës për këdo kah politik – të paktën deri tani – është provuar, por pësimin e dështimeve të politikave e ka vuajtur, në radhë të parë, demokracia jonë.  Av. Spartak Ngjela, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”, pohon që demokracia jonë mbetet në krizë, sepse demokracia në 1992 filloi gabim dhe përfundoi në faliment. Faj për këtë faliment ka edhe kjo maxhorancë, që, sipas Ngjelës. “u tregua pa nivel politik dhe e paaftë që, me politikë, të riinstitucionalizonte shtetin shqiptar”. Kryeministri Rama dështoi, sepse “Rama nuk e kuptoi dot vendin e tij dhe forcën e maxhorancës që drejtonte” dhe kjo maxhorancë, edhe pse me 3/5 në Kuvend, nuk ka reformatorë, ndaj Rama po e kthen gjendjen aty ku ishte. Nga e gjithë kjo krizë e maxhorancës, pohon Ngjela, përfitoi Berisha, dhe kjo “është arsyeja që absolutizmi “Berisha”, pasi nuk u likuidua nga Partia Demokratike po tenton tani që të rikthehet si fenomen”. Av. Ngjela argumenton përse deri tani kjo maxhorancë ka dështuar edhe në të shumëfolurën, reformë në drejtësi. “Deri tani s’kemi parë doktrinë, por vetëm ligje mediokër, që në vetvete s’janë reforma, por arnime sporadike, që nuk e reformojnë dot pushtetin gjyqësor dhe sistemin legal në Shqipëri.  Sistemet reformohen në epiqendrën e tyre. Kjo është doktrina”.

 – Që nga dhjetori i vitit 1990-s, kur u vendos pluralizmi, si pasojë e lëvizjes studentore dhe deri sot,  kemi progres drejt demokracisë, apo mbetje në vend?

– Lëvizjet e Dhjetorit të vitit 1990-s nuk mund të thuhet se kanë qenë lëvizjet, ose revoltat e një përmbysjeje me revolucion. Gjendja politike dhe ekonomike në Shqipëri ishte shumë e rëndë, ndërsa në të gjithë Lindjen Komuniste në Europë, komunizmi kishte rënë si doktrine, edhe në funksion të monopartiizmit, edhe në një funksion ekonomik, nga një ekonomi shtetërore të centralizuar në një ekonomi tregu.

Kjo ishte gjendja në arenën ndërkombëtare, ku komunizmi nuk ishte rrezuar, por ishte shuar si mendim politik dhe doktrinë ekonomike. Por në Shqipëri influenca e reformave dhe transformimit të të gjitha vendeve komunisteve të Europës i kishin dhënë edhe këtu shtysën për të mbërritur në pluralizmin politik dhe ekonominë e tregut. Izolimi i gjatë enverist e kishte sjellë gjendjen ekonomike në Shqipëri drejt urisë, kurse sjellja në pushtet të injorancës së vetë regjimit e kishin zhvleftësuar ekipin e Ramiz Alisë, edhe në sensin psikologjik në opinionin publik shqiptar. Kjo ishte arsyeja që një lëvizje studentore e detyroi Ramiz Alinë të pranonte pluralizmin politik.

Që nga ajo ditë kanë kaluar 24 vjet. Kurse ju pyesni çfarë ka ndodhur në këta 24 vjet, progres demokratik apo stanjacion?

Nuk mund të thuash se nuk ka pasur progres drejt demokracisë, por ky ka qenë me hapa të vegjël. Demokracia shqiptare ka qenë dhe mbetet në krizë që nga viti1992, kur Sali Berisha dhe Partia Demokratike manipuloi me institucionet. Nuk lejoi drejtësi të pavarur dhe pushtet vendor të decentralizuar. Opozita nuk u trajtua me normat e konstitucionalizmit perëndimor dhe u burgos pa faj kryetari i opozitës. Shqiptarët se pranuan më Partinë Demokratike dhe pas 4 muajsh e rrëzuan në zgjedhjet për pushtetin vendor. Por Berisha nuk hiqte dorë nga absolutizmi i një lloji të ri në funksion të pushtetit. Vijoi koncepti vulgar i “luftës  së klasave”, sepse ekipi “Berisha” mendoi gabim se mund të ndërtonte demokracinë shqiptare me dhunë dhe jo me institucione. Gjendja degradoi.  Në vitin 1996 u manipuluan zgjedhjet politike nga Partia Demokratike dhe në vitin 1997 shqiptarët u hodhën në revoltë masive, madje edhe me armë.

Një gjë e nisur gabim, përfundon gabim. Demokracia e vitit 1992 filloi gabim dhe përfundoi në faliment, sepse s’ishte demokraci.

– Po faza tjetër nga viti 1998 e deri sot si është ecuria e demokracisë në Shqipëri?

– Demokracia shqiptare, që u fillua gabim në vitin 1992 dhe që u duk se do të niste nga e para në vitin 1998-n, nisi sërish gabim dhe po vijon e tillë.

Pushteti personal në Shqipëri është kthyer në fenomen: fenomeni i absolutizmit shqiptar. Ky fenomen nuk ka lejuar që demokracia shqiptare, sistemi dhe vetë tregu i lirë të jenë të institucionalizuar. Ne sot kemi një shtet me institucione fiktive, sepse mungon tharmi demokratik që krijon funksion institucional të pavarur. Ky tharm është ligji, i cili nuk funksionon. S’funksionon, sepse nuk ka pushtet gjyqësor të pavarur dhe nuk është institucionalizuar realisht instituti i votës së lirë. Vota e lirë është institut dhe ingredient kryesor i garantimit të demokracisë.

Kjo është arsyeja që aktualisht nuk funksionon normalisht parlamenti shqiptar dhe ekonomia shqiptare është në krizë.

– Bojkoti (6 mujor) i PD-së, përdoret si instrument demokratik, apo është krizë e identitetit politik të partisë?

– Ashtu sikurse theksuam dhe më lart, demokracia shqiptare nuk ka dalë nga fenomeni i absolutizmit. E gjithë kriza sot në politikë nuk është reale, por e krijuar nga një kërkesë e vazhdueshme për të bllokuar funksionimin normal të institucioneve.

Zgjedhjet e vitit 2013, të cilat rrëzuan në mënyrë drastike fenomenin “Berisha” në Shqipëri, nuk ia arritën qëllimit për krijimin e një klime të re politike dhe institucionale në Shqipëri. Politika e maxhorancës së madhe, që doli nga zgjedhjet, u tregua pa nivel politik dhe e paaftë që, me politikë, të riinstitucionalizonte shtetin shqiptar. Kryeministri Rama nuk e kuptoi dot vendin e tij dhe forcën e maxhorancës që drejtonte. Shqipëria kishte nevojë për reforma, por maxhoranca, që erdhi me 3/5 e parlamentit, nuk pati reformatorë. Një kryeministër pa eksperiencë politike po duket sikur po e sjell situatën atje ku ka qenë.

Nga kjo dobësi fitoi shumë terren fenomeni “Berisha”,  i cili me presidentin, si faktor të politikës së tij personale, e çoroditi kryeministrin Rama dhe e la atë që të bëhej një politike naive pa verb politik dhe pa doktrinë politike për reforma.

Kjo është arsyeja që absolutizmi “Berisha”, pasi nuk u likuidua nga Partia Demokratike po tenton tani që të rikthehet si fenomen, duke shfrytëzuar bojkotin parlamentar dhe krizën ekonomike.

Rama nuk e kuroi dot krizën ekonomike, sepse nuk po pranohet nga perëndimi, pasi nuk është i aftë të bëjë reforma. Pa reforma nuk mund të anëtarësohesh në Bashkimin Europian. Dhe nëse, nuk hap dot negociatat për këtë anëtarësim, nuk përfiton dot ndihmën financiare, që duhet për të nxjerrë vendin nga kriza.

Bojkoti i Partisë Demokratike dhe kjo krizë e zgjatur financiare dhe ekonomike ka shumë mundësi që të rrëzojë kryeministrin Rama. Ka pakënaqësi të madhe në popull; opinion publik ka humbur shpresën dhe paqartësia e kryeministrit po bëhet shkak që të mund të jemi përballë një krize politike të vetë maxhorancës. Këtej e tutje, gjithçka do të varet nga aftësia politike e kryeministrit Rama. Të shohim.
Derisa Rama pranoi tani t’u plotësojë (pa kushte) kushtet e opozitës që ata të kthehen në Kuvend, a ishte absurd qëndrimi i tij i deritanishëm?

– Nuk ka kushte të opozitës. Ato janë pretekste dhe, kur në politikë kushtet janë pretekste, asnjëherë nuk mund të ketë kompromis. Skema e Berishës është e qartë: bojkot parlamentar dhe bojkot i zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Kjo duket se është doktrina aktuale e Partisë Demokratike.

A është i aftë Rama ta përballojë këtë lloj politikë? Shenjat janë të këqija. Të shohim se si do të veprojë: Do të qëndrojë në politikën infantile dhe pa eksperiencë të ekzekutivit të tij, apo do t’i drejtohet mendimit politik real të maxhorancës?

Ndërkombëtarët që të besojnë se ne do të bëjmë reformë në Drejtësi, duan reformatim të kuadrit ligjor, apo, veprim konkret në luftën kundër korrupsionit e pavarësi të Gjyqësorit?

– Ndërkombëtarët perëndimorë e kanë konstatuar me fakte krizën në drejtësinë shqiptarë. Ata e dinë mirë nga eksperienca e tyre demokratike se “thembra e Akilit” e demokracisë liberale është drejtësia, që vjen nga një pushtet gjyqësor i pavarur. Politika perëndimore, që është angazhuar në këtë çështje, kërkon ndërrimin drastik të sistemit. Ndërrimi drastik i sistemit të drejtësisë është doktrinë e mirë studiuar si një implementim i praktikës shqiptare me modelin perëndimor të sistemit legal dhe vetë drejtësisë. Deri tani s’kemi parë doktrinë, por vetëm ligje mediokër, që në vetvete s’janë reforma, por arnime sporadike, që nuk e reformojnë dot pushtetin gjyqësor dhe sistemin legal në Shqipëri.

 Sistemet reformohen në epiqendrën e tyre. Kjo është doktrina.

–          Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA