Av. Kujtim Cakrani: Sondazhi tregoi se Vetingu është vegël e pushtetit ekzekutiv që seleksionon gjyqtarët dhe prokurorët

542
Sigal

Nuk mund të bëjnë katharsis ata që e shkatërruan drejtësinë, ata që me peshoren e drejtësisë shumuan paratë e korrupsionit

Komisionerët e Vettingut janë vegla të pushtetit që seleksionojnë gjyqtarët e prokurorët

Jakup B. GJOÇA

– Zoti Cakrani cili është produkti i deritanishëm i Reformës në Drejtësi?

– Me fillimin e punës nga i ashtuquajturi VETTING, qytetarëve shqiptarë iu kthye besimi se diçka po ndryshonte. Por, duke parë që Komisioni i Pavarur pra Vettingu po ndiqte dhe po ndjek dy standarde në dhëniet e vendimeve qytetarët filluan të mendojnë se, edhe këtu përsëri po ndërhyjnë politika, dhe kjo u vërtetua me disa vendime, duke konfirmuar në detyrë gjyqtarë apo prokurorë, ku familjarët e tyre, apo ata vetë nuk kanë deklaruar ndër vite të ardhurat apo kanë shmangur detyrimet tatimore, janë konfirmuar në detyrë për shkak të lidhjeve politike, dhe kolegë të tyre për arsye krejt të papërfillshme janë larguar nga sistemi drejtësisë. Pra produkti deritanishëm i reformës në drejtësi është vetëm largimi i disa gjyqtarëve dhe prokurorëve për arsye mosjustifikimi të pasurisë por, që ndaj pasurisë së tyre të konsideruar të paligjshme të vënë me anë të korrupsionit nuk është marrë asnjë masë, nuk kemi dëgjuar që organi i akuzës, prokuroria të ketë nisur ndonjë hetim për këta të larguarit nga sistemi. Kur them që të korruptuarit të hetohen për pasurinë e tyre nuk kam parasysh hakmarrjen por, nëse prokurori dhe gjyqtari larguar nga sistemi për arsye të mosjustifikimit të pasurisë, duhet të përgjigjet administrativisht apo penalisht si e ka vënë pasurinë? Nëse një qytetar i thjesht përgjigjet para drejtësisë për vjedhjen e energjisë elektrike apo dikush për fshehje të ardhurash, asht duhet të përgjigjet edhe gjyqtari apo prokurori për pasurinë e tij?

-A ka bërë katharsis në gjyqësor Vettingu?

– Siç e kemi parë Vettingu ka vepruar me dy standarde. Kanë kaluar vettingun gjyqtarë dhe prokurorë që janë përfolur jo vetëm për korrupsion, por janë përfolur edhe për anën profesionale apo dhe etike. Nuk mund të jesh gjyqtar dhe prokuror me llogari bankare pa fund apo të jetosh me apartamente dhe vila luksi, për mos folur për pushimet apo shkollimin e fëmijëve jashtë vendit! Nuk di ndonjë vend të botës, përveç vendeve me nivel të lartë korrupsioni, si ne, që prokurorët dhe gjyqtarët të jenë të pasur. Po ju jap një shembull? Ju kujtohet prokurori Muller që hetoi presidentin e SHBA-ve, Trump! Ky prokuror jetonte shumë milje larg Washingtonit dhe natyrisht shumë larg zyrës së tij, dhe kur e pyetën, ai tha nuk më del paga që të marr shtëpi me qera afër punës, pasi janë shumë të shtrenjta! Kush do bëjë në drejtësi? Komisionerët e Vettingut! Ata janë ca vegla në dorë të pushtetit madje të atij “Klanit të vogël” në Kryeministri që seleksionon kush prokuror apo gjyqtar do kalojë vettingun dhe kush jo. Nuk mund të bëjnë katharsis ata që e shkatërruan drejtësinë, ata që me peshoren e drejtësisë shumuan parat e korrupsionit. Që të bëhet katharsis në gjyqësor duhet vet vettingu të bëj katharsis e tij. Me njerëz të vjetër dhe të konsumuar nuk mund të bësh gjëra të reja, dhe duket sikur drejtësia po pastrohet, por koha do ta tregojë se po bëhet më pis, madje po mbulohet nga llumi.

-Sa ka ndikuar deri tani Reforma në Drejtësi në luftën kundër Korrupsionit!

– Politika është munduar me shumë kujdes që jo vetëm t’i bëj presion Gjyqësorit, por po zgjedh, si në organet drejtuese të gjyqësorit, ashtu edhe në atë të akuzës njerëzit e saj! Jo pa qëllim ndodh kjo, po të shohim gjithë këtë periudhë nuk kemi asnjë zyrtarë të lartë nën hetim! edhe pse skandalet korruptive kanë qenë shumë publike. P.sh., rasti unazës së re ishte me flagranti, kur të gjithë jemi dëshmitarë jo vetëm të një tenderi korruptiv por, edhe sesi Ministri i Energjetikës dhe gjithë onturazhi i tij u faktua i përfshirë në një korrupsion duke falsifikuar dokumentet? Nëse kjo do të kishte ndodhur në një vend Perëndimor jo vetëm që Kryeministri do të kishte dhënë dorëheqjen, por, do të ishin edhe nën hetim. Prokurorët që ne kemi aktualisht për të hetuar krimet financiare të zyrtarëve shtetërore apo të zgjedhur nuk mund të hetojnë dot, sepse ata janë po aq të korruptuar sa këta zyrtarë, dhe nuk kanë të drejtën morale sepse janë të kapur. Edhe ndonjë prokuror që kërkon hetojë, pasi duhet pranuar se kemi edhe disa prokurorë dhe gjyqtarë me integritet profesional, por pushteti i kërcënon me atë të Vettingut, por edhe me forma të tjera alla Mafioze. Kontrolli i Lartë i Shtetit para pak ditësh dha alarmin se, dëmi financiar i shkaktuar nga institucionet e shtetit ishte një miliard dollar, një shifër shumë e madhe për një vend si Shqipëria. Nëse do të kishim një organ akuze në minimumin e përgjegjshmërisë duhet të kishin nisur hetimet ndaj institucioneve që i kanë shkaktuar shtetit dhe si rrjedhojë qytetarëve shqiptarë një dëm kaq të madh financiar. Por jo! Organi i akuzës nuk lufton korrupsionin shtetëror ata merren vetëm me qytetarë të pafajshëm apo ata që nuk kanë paguar dritat apo kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugorë. Korrupsioni në Shqipëri, sipas të gjitha agjencive të huaja është rritur dhe po merr përmasa të frikshme, në kushtet që organi i akuzës nuk ka hetuar apo marr të pandehur asnjë zyrtarë të lartë qeveritarë apo të zgjedhur kuptohet se reforma në drejtësi nuk ka sjellë asnjë përmirësim dhe shpresë.

-Kryeministri Rama deklaroi se u shkatërrua Gjykata Kushtetuese, ngaqë u përjashtuan anëtarët e saj të korruptuar, si rezultat i reformës në drejtësi dhe e quan këtë shkatërrim institucional një sukses A mund të jetë reformë shkatërrimi i institucioneve të drejtësisë?

– Kryeministri Rama, si politikan lejfenist kërkon që edhe me shkatërrimin e institucioneve më të rëndësishme që mbajnë shtetin si Gjykata Kushtetuese, kërkon të bëjë politikë. Ne me shkatërrimin e drejtësisë duke përdorur populizmin me moton: “Të shkatërrojmë çdo gjë të vjetër se do ndërtojmë të renë” e kemi provuar më 1945, kur në emër të reformave të mëdha do ndërtonim sistemin e ri? Jo që se ndërtuam dot, por e shkatërruam aq keq sa pasojat e atij mentaliteti po vuajmë ende sot. Kryeministri qëllimisht shkatërroi Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Duke eliminuar Gjykatën Kushtetuese i hapi rrugën vetës së tij që me anë të parlamentit të miratojë ligje dhe ndaj tyre grupet e interesit por edhe opozita të mos kenë mundësinë t’i ankimojnë. Kështu që klanet afër tij të kenë fushë të lirë veprimi për të realizuar qëllimet e tyre të interesit. Për shembull, nëse do të kishte Gjykatë Kushtetuese, ligji special për teatrin do të ishte ankimuar nga artistët. A nuk është ky një shembull si kryeministri me anë të parlamentit i hap rrugën një biznesmeni privat për të ndërtuar në tokën publike kulla shumëkatëshe etj. Është e paprecedent dhe padëgjuar në historinë e botës së qytetëruar që një kryeministër ta shkatërrojë institucionin më të lartë të shtetit, Gjykatën Kushtetuese dhe ta quajë atë një reformë në të mirë të qytetarëve! Në këto kushte kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese qytetarët e këtij vendi janë më të pasigurt se kurrë, shteti së drejtës është një Utopi, gjithashtu shteti social nuk ekziston, shteti nuk respekton as minimumin e të drejtave dhe lirive të njeriut, praktikisht qytetarët e këtij vendi janë në një gjendje pasigurie dhe ko është arsyeja që sondazhet e ndryshme kanë publikuar se besimi se reforma në drejtësi është i pakët.

– A është mbushur gjyqësori me besnikë partiak nën maskën e Reformës në Drejtësi?

– Të gjithë jemi dëshmitarë në fillimet e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë! Për t’u bërë pjesë e institucioneve aplikuan shumë individë që për publikun e gjerë dukeshin si njerëz të zakonshëm që vinin nga profesionet të ndryshme, anëtarë shoqatash të ndryshme, pedagogë universitetesh, nga shoqëria civile etj, Në fakt nuk ishte ashtu! Të gjithë këta ishin aty të përzgjedhur nga politika kishin lidhje me të pasi dikush kishte deputet motrën, vëllanë, kunatin, kunatën, dhe lloj lloj lidhjesh vertikale apo horizontale. Në kushtet që reformën në drejtësi e kishin marrë në dorë ambasadori amerikan etj, dhe politikanët shqiptarë s’kishin akses të plotë për të zgjedhur njerëzit e tyre, në mënyrë djallëzore por edhe me anë të mënyrave të tjera, duke përfituar edhe nga bojkoti që i bëri procesit opozita, Kryeministri Rama infiltroi njerëzit e tij nëpër institucionet e reja që po ngriheshin. Dhe në këtë mënyrë politika, sidomos qeveria e sotme ka emëruar në këto institucione njerëzit e saj. Sot gjyqësori është mbushur me besnikë të partisë në pushtet, shembull për këtë kemi rastet e fundit që prokurorë politikë ndalojnë protestues të opozitës, apo qytetarë pa parti, dhe gjyqtarë të bindur të partisë pa prova vendosin masa arresti me burg! Fakti që sot kemi qindra protestues nëpër burgje e vërteton këtë. Pra Gjyqësori avash avash po mbushet me besnikë të partisë, edhe nga një këndvështrim tjetër. Nëse hedhim një sy, do të shohim shumë prokurorë dhe gjyqtarë djem dhe vajza të reja që janë fëmijët apo nipërit me prejardhje thellësisht militant të Partisë Socialiste.

– Cili është roli i deritanishëm i ONM?

– Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit apo i quajtur ndryshe ONM, është një institucion ndërkombëtar që është atashuar pranë institucionit të Vettingut, me qëllim monitorimin e rreptë të procedurave deri në vendimmarrjen e komisionerëve. Fillimisht qytetarët tanë, duke qenë një institucion i huaj që monitoron procesin e vettingut, kishin një besim duke pasur parasysh qasjen apo perceptimin që kemi ne për ndershmërinë e të huajve. Mirëpo ky besim sa vinë dhe është zbehur! Sepse gjatë këtyre dy vjet e gjysmë që ka filluar procesi dhe kalimin e procesit të vettingut nga shumë gjyqtarë dhe prokurorë që për publikun me të drejtë kanë qenë të korruptuar apo të paaftë dhe pa etikë profesionale kanë kaluar procesin e vettingut nën hundën e përfaqësuesve të ONM duke shkëmbyer edhe dhënie dore në shenjë aprovimi, kanë bërë që publiku të krijojë një perceptim ndryshe për ONM. Roli i tyre deri tani ka qenë i padukshëm apo i papërfillshëm, fakti që gjyqtarët dhe prokurorët që kanë qenë subjekt i vlerësimit nuk janë përballur me anën profesionale apo etikën tregon se, ONM edhe pse për këta prokurorë dhe gjyqtarë i ka dosjet e administruara nga qytetarët nuk ka kërkuar apo të ketë luajtur ndonjë rol të dukshëm deri sot në procesin e vettingut­. Gjithsesi, vettingu nuk po vepron sipas pritshmërive së qytetarëve, dhe si duket si çdo gjë shqiptare edhe ky proces do të jetë një dështim. Nuk mund t’i thuash qytetarëve që po bëjmë reformën në drejtësi, kur në organet drejtuese ke po ata prokurorë dhe gjyqtarë që janë përgjegjës për katandisjen e drejtësisë në këtë gjendje. Nuk mund t’i thuash qytetarëve që po bëj drejtësinë e re duke mbushur institucionet e drejtësisë me ata që nuk bëjnë dot dallimin ndërmjet shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës! Drejtësia është gjë hyjnore dhe nuk mund ta drejtojnë ata që këtu ishin kanë parë krimet e këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve,dhe nuk folën asnjë fjalë, por me heshtje favorizonin krimet e e tyre të pafundme!

– Faleminderit!