Av. Altin Goxhaj: Në Udënisht shkelen nga qeveria të drejtat kushtetuese civile dhe administrative mbi Pronat

469
Sigal

Intervistë me Av. Altin Goxhaj, drejtor ekzekutiv i ZMK-së: Ka një MasterPlan Kombëtar për grabitjen e pronave të shqiptarëve, për t’ua kaluar mijëra hektarë të shtetëzuar kompanive të Rilindjes

Drejtori ekzekutiv i ZMK-së, Altin Goxhaj, në intervistë për “Telegraf”, hedh dritë çfarë po ndodh në të vërtetë në Komunën e Udënishtit në Pogradec, përse ndodhin prishjet e ndërtimeve, kush fshihen pas tyre dhe cili është qëllimi final, për të shtetëzuar mijëra hektarë buzë liqenit të Pogradecit. Me cilësinë e juristit, Av Altin Goxhaj argumenton përse prishjet që bën INUK-u janë antiligjore dhe sesi edhe Ministria e Mbrojtjes, edhe ministria e Brendshme shkelin ligjin, duke qarkulluar me makina pa targa dhe transportuar tritol pa asnjë masë sigurie, duke vënë në rrezik jetën e qindra njerëzve.

– Zoti Goxhaj çfarë po ndodh në Udënisht me prishjet e ndërtimeve pa leje?

– Në Udenisht po ndodh ngjarja juridike e vitit mbi shkeljen e të drejtave kushtetuese, civile dhe administrative mbi Pronat! Ajo që po ndodh në Udenisht është një grabitje e pastër në kuptimin literal të fjalës GRABITJE! Një shtet i tërë është bërë bashkë për t’u grabitur pronat dhjetëra pronarëve të ligjshëm, pa pasur asnjë shkak ligjor apo administrativ! Kryetari i Komunës Udenisht mbahet në kontroll nga Kryeministri, nëpërmjet një procedimi penal dhe ai është i gatshëm të bëjë çdo gjë për t’i shpëtuar burgut dhe po përdoret për t’i grabitur pronat bashkëfshatarëve të tij. Kryeministri Rama me qëllim që të sigurojë për interesat e tij, një sasi tokash në komunën Udenisht (pjesën më të mirë të saj), po përdor si kukull një Kryetar Komune, i cili do të mbajë përgjegjësi penale për shpikjen e një projekti që nuk ekziston që quhet: Ndërtimi i Objektit “Rehabilitimi i Liqenit të Ohrit dhe Gjelbërimi përgjatë rrugës Lin – Pogradec”, pasi ky  projekt nuk ekziston. Siç shihet edhe nga dokumentet, kjo fjali nuk shoqërohet as nga ndonjë numër, datë, subjekt përgjegjës, sepse nuk kanë çfarë të vendosin. E quaj fjali sepse nuk ekziston! Që të ekzistonte do të duhej të ishin kryer me dhjetëra procedura, që nuk kanë ndodhur ndonjëherë, siç është p.sh detyrimi ligjor paraprak për të pasur ndonjë plani zhvillimor (i cili domosdoshmërisht duhet të ndodhë në kohë para se të ketë një projekt), njoftime publike paraprake, mbledhje të Këshillit të Komunës, ku do të miratohej një plan zhvillimor, një projekt, etj. Nuk ka asnjë vlerësim paraprak të pronave sipas ligjit. Shkurt, nuk ka asnjë projekt! Dhe ajo që e implikon rëndë pushtetin qendror dhe konkretisht Zv. Ministrin e Zhvillimit Urban dhe të Turizmit, Alfred Dalipi, është lidhur edhe një marrëveshje midis Komunës dhe Ministrisë pa pasur asnjë projekt apo plan zhvillimor në emër të një projekti që nuk ekziston! Siç shihet edhe nga marrëveshja, emri i projektit të supozuar nuk shoqërohet as me nr dhe as me date, sepse nuk ekziston.

– Po Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit mbi ç’ bazë e lidh marrëveshjen, përderisa nuk ka projekt?

– Alfred Dalipi ka firmosur një dokument të paligjshëm, bazuar mbi një projekt që nuk ekziston dhe duke pasur parasysh pasojat që ka prodhuar kjo e implikon aq rëndë Dalipin, sa ai ka konsumuar plotësisht një vepër penale, në rastin më të mire, për shpërdorim detyre me pasoja miliona euro dëme për shtetin. Ai ka firmosur një dokument shpronësimesh në kundërshtim me ligjin dhe dëmi duhet të paguhet jo vetëm nga qeveria, por edhe nga xhepi personal i tij.

– Këshilli i Ministrave mbi ç’ bazë e ka nxjerrë VKM-në për shpronësimet, përderisa nuk ka projekt?

– Ne nuk jemi të sigurt në ekziston një VKM, pasi ajo nuk është pasqyruar në Fletoren Zyrtare të javës së fundit, por edhe nëse ekziston, kjo fotokopje që ne kemi siguruar në burime jozyrtare, është e datës 22 dhjetor 2014, çka do ta bënte gjithë atë që ka ndodhur me tritolimin e një objekti 7-katësh dhe dëmtimin e shumë pronave në Udenisht, një akt edhe më të rëndë paligjshmërie, pasi asnjë veprim s’mund të kryhej pa pasur një VKM, edhe sikur të ishin zbatuar procedurat dhe të kishte vërtet një projekt! Nëse kjo fotokopje i referohet vërtet një VKM-je, kjo do ta implikonte rëndë personalisht Edi Ramën në një veprim të paligjshëm. Pasi edhe ai ka firmosur një dokument që i referohet një “projekti” të supozuar, që nuk ka as datë dhe as nr sepse nuk ekziston! Dhe kjo e përshkallëzon përfshirjen e shumë personave publikë në grabitjen e tokave në Udenisht. Ndërkohë në emër të INUK-ut, por jo në emër të ligjit, ata dje shpërthyen një pallat 7-katësh pasi kanë terrorizuar gjithë fshatin si një bandë gangsterësh.

– INUK-u mbi ç’ bazë po kryen prishjet?

– Një grup njerëzisht me makina pa targa, që prezantohen gojarisht si përfaqësues të INUK-ut,  kanë mbjellë terror në Udenisht, duke kryer akte të paimagjinueshme për shtetin e së drejtës. Ata pa asnjë dokument (dhe në fakt nuk mund të kenë pasi nuk ekzistojnë), gojarisht kanë terrorizuar gjithë fshatin, se do u prishen pronat, se do ua marrë shteti për qëllimet e bërjes së një lulishteje të madhe. Gjithë operacioni i bandës së gangsterëve që prezantohen si INUK-sa bazohet në fjalë goje dhe jo në ndonjë shkresë apo njoftim. Është shkelur çdo lloj detyrimi dhe procedure ligjore që nënkupton shteti i së drejtës. As njoftim me shkresë. As prezantime afatesh për të drejtën e ankimimit. As gjë prej gjëje. Disponojmë pamje filmike kur vetë gangsterët që prezantohen se janë të INUK-ut e pranojnë që nuk kanë asnjë dokument. Madje në një rast nga insistimi i një banori, drejtori i INUK-ut ka lëshuar një pusullë nga letër e grisur e fletoreve të nxënësve të shkollave, ku thotë se po e kryen njoftimin me gojë! Shumë banorë të tmerruar nga policët kanë çmontuar pjesë nga objektet e tyre për t’i shpëtuar nga fadromat, duke vetëshkatërruar pronat e tyre të vëna me gjak dhe sakrifica përgjatë një jetë te tërë pune dhe mundimi. Ndërkohë që shembja e pallatit 7-katësh me certifikatë të rregullt pronësie do të mbetet si historia më e shëmtuar e vitit ku shteti ligjor ishte i vdekur në çdo orë, në çdo ditë, përgjatë gjithë dhjetorit! Atje, ndodhi ajo që u dyndën këmishëblutë me kapele të ngjashme me të policëve, pa asnjë lloj dokumenti, nxorën me forcë pronarët dhe zaptuan pronën e tjetrit, i cili dispononte letra të rregullta pronësie. Siç shihet edhe nga fotot, INUK-u ndërhyri jo vetëm pa letra, por edhe makinat e veta i kishte pa targa në sy të të gjithëve, në sy të policisë. Dhe siç shihet edhe nga fotot, aty ndodhet edhe makina plot me tritol, që ka ndenjur për një javë brenda në godine, pa asnjë lloj kushti të sigurimit teknik, duke rrezikuar për 1 javë banorët dhe punëtorët që ndodheshin aty për prishje. Po ashtu aty në mënyrën më absurde, në kundërshtim me çdo ligj kanë ndenjur për një javë 2 makina të Ministrisë së Mbrojtjes.

– A ka të drejtë Ministria e Mbrojtjes të ndërhyjë me makina ushtarake në një pronë pa asnjë dokument ligjor?

– As që bëhet fjalë, po nuk pati një procedurë. Puna është se, si ua shpjegova, mungon çdo procedurë dhe shkresë. Këta e kanë kthyer shtetin në një repart banditësh dhe nuk pyesin as për ligj dhe as për procedurë.

– Çfarë do të bëjë Studio juaj ligjore për të mbrojtur të drejtat e pronarëve?

– Studio jonë ligjore NOAL Rights (Goxhaj &Aga) e themeluar nga unë dhe Avokati tjetër Erald Aga, e kontraktuar nga disa pronarë, do të ngrejë padi administrative ndaj Komunës, Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshillit të Ministrave dhe INUK për pezullimin absolut dhe relativ të të gjithë akteve administrative dhe akteve të tjera, do të bëjmë sigurimi e padisë dhe provave. Po ashtu, do të ngremë kallëzime penale ndaj Kryetarit të Komunës, Drejtorit dhe punonjësve të INUK, Zv. Ministrit Dalipi dhe disa oficerëve të Policisë për shpërdorim detyre, dëmtim prone, etj.

– Po nëse do të kishte pasur një projekt bazuar në ligj dhe procedurë?

– Kjo lidhet me vlerësimin e pronave, pasi vlerësimi paraprak që u kanë caktuar pronarëve të ligjshëm është mëse qesharak, me vetëm 10-20 % të vlerës së pronës. Ne jemi në gjendje të argumentojmë suksesshëm se askush s’mund të shpronësohet në mënyrë jo të drejtë dhe për këtë ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që i jep përgjigje pa lënë shteg për ekuivoke dhe asnjë gjykatës në asnjë fazë të procesit administrativ s’do mund ta anashkalonte.

– Pse bëhet e gjitha kjo paligjshmëri (siç e  cilësoni ju) nga qeveria?

– Sepse ka një MasterPlan Kombëtar për grabitjen e pronave të shqiptarëve nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim për të bërë gjoja shtetëzime për qëllime publike dhe për t’ua kaluar mijëra hektarë të shtetëzuar kompanive të Rilindjes me koncesione 99 vjeçare. Nga të dhënat paraprake rezulton se në këtë histori investuesi kryesor i projektimit të MasterPlanit është George Soros, i cili ka shpenzuar disa miliona dollarë për hartimin e këtij projekti në Universitetin e Harvardit nga tetori 2013 deri në tetor 2014, në një seksion të Kokalis (një ndër miliarderët më të famshëm grek në botë) dhe kjo ishte edhe arsyeja që Edi Rama ndenji për një javë në Harvard 2 muaj më parë, gjoja i ftuar për të dhënë leksione për ambientin dhe energjinë e rinovueshme. Luhet për një fitim, vetëm në mandatin e parë të Rilindjes, prej 3 miliardë dollarësh.

Petraq Barjami