AUTORITETI I DOSJEVE: 6 KANDIDATË TË KLP E KLGJ ISHIN ME “NJOLLË”

509
Kanë pasur të shkuar si bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit, por përsëri tentojnë të përfshihen në kupolën e drejtësisë. Bëhet fjalë për kandidatët për anëtarë në institucionet e reja të drejtësisë. Nga 835, mbi 10 prej tyre kanë rezultuar spiunë pas hapjes së dosjeve. Skënder Vrioni nga Autoriteti i Dosjeve u shpreh për “Klan Plus” se 3-5 % e atyre që janë kontrolluar kanë qenë të lidhur me Sigurimin apo me gjyqet politike. Edhe nga kandidatët për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, hapja e dosjeve ka nxjerrë se, 4 prej tyre figuronin si bashkëpunëtorë dhe 2 të tjerë si të përfshirë në gjyqe politike. Dokumentet iu përcollën Kuvendit dhe Avokatit të Popullit, por sipas Partisë Demokratike, dy prej tyre arritën të bëhen finalistë. “Ka verifikuar 64 figura të tilla të cilat kanë kaluar filtrimin nga ana e autoritetit, ku mund të themi se në masën 3 deri në 5 % ka pasur figura me problematika. Jo vetëm si bashkëpunëtorë të Sigurimit, por dhe gjyqtarë dhe prokurorë në procese politike të posaçme”, u shpreh Vrioni. Shpërndarja e informacionit në disa arkiva si dhe zhdukja e një pjese të tij, krijon vështirësi për Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Mariglen Kasmi, anëtar i kësaj strukture, pranon se dikush edhe mund t’u shpëtojë filtrave. “Sigurisht që mund të ndodhë për vetë faktin se ky është një dokumentacion i trashëguar dhe ne e kemi marrë në këtë fazë, madje në një pjesë të madhe të painventarizuar. Por nga ana tjetër ne jetojmë në një shoqëri të hapur. Dhe kur ka diçka që nuk shkon ne vazhdojmë kërkimet dhe gjejmë diçka më pas”, tha Kasmi.
Sigal