Autorët e mozaikut:Aldo Bumçi, mashtrues ordiner

800
Sigal

Pesë autorët e mozaikut: Kilica, Filipi, Kostandini, Droboniku dhe Nekiu: “Ministri i Kulturës, gënjen, nuk na ka pyetur asnjëherë”

Pasi kanë planifikuar në letër, rindërtimin e Stadiumit Kombëtar, qeveritarët, kërkuan edhe rrënimin e Piramidës, si një simbolikë, komuniste, por më vonë, Aldo Bumçi, iu vërsul Muzeut Historik, duke menduar se, në këtë mënyrë, do të zhdukte çdo shenjë të epokës komuniste. Për planin e shkatërrimit, Bumçi ngriti një ekip inspektimi, i cili kërkoi restaurim të mozaikut. Por fondet mungojnë dhe Bumçit i duhet edhe një pretekst për të vënë dorën e shkatërrimit mbi të. Prandaj, në një raport të mbajtur para Komisionit të Mjeteve të Informacionit, ministri i Kulturës deklaroi se, ai mozaik është ndërtuar me materiale të “Josif  Pashkos”, dhe se “është ndërtuar me teknikë jo të studiuar, për t’i rezistuar kohës e kushteve atmosferike”. Në këtë mënyrë, duke përmendur pa dashje, emrin e vjehrrit të njërës prej deputeteve demokrate, Bumçi ka dashur të tregojë se këtij muzeu i ka ardhur ora e prishjes. Por meqë argumenti i Bumçit ishte i pabesueshëm, ministri u përpoq të justifikohej me deklaratat e autorëve të mozaikut, të këtij muzeu, duke pretenduar se i ka pyetur edhe 5 autorët, që kanë realizuar këtë mozaik. Dhe sipas tij, ata i kanë thënë, që “është një dëmtim natyror e i pashmangshëm”. Duke mos e kuptuar dot asgjë nga procedurat e mozaikëve, Bumçi po vazhdon aventurën e tij të shkatërrimit të kulturës kombëtare duke vepruar njëlloj si në rastin e kishës së Shën Premtes, ku për shkak të papapërgjegjshmërisë së tij, u vodhën afresket e Onufrit dhe u shkatërruan totalisht, vlerat kulturore kombëtare.

Pse i janë qepur Muzeut?

Qeveria ndodhet në vështirësi ekonomike, por  Bumçi i është qepur Muzeut Historik, me shpresën se pas shkatërrimit të këtij muzeu, në Tiranë nuk do të ketë më kulte, apo simbole të komunizmit. Në këtë mënyrë, demokratët do të shpëtojnë nga simbolet e së kaluarës dhe ata vetë, do të mbeten në kujtesë, si reformatorë të një arkitekture të re. Nga ana tjetër, ministri Bumçi, i cili nuk ka ndonjë begraund të konsiderueshëm kulturor, do të hyjë në histori, si shpëtimtari i Tiranës nga ndërtimet e epokës 45-vjeçare. Megjithatë, për ta bërë të besueshëm gjykimin e tij, Bumçit iu desh që të përdorte edhe pohimin e autorëve të këtij mozaiku, duke thënë se ka komunikuar me ta. Dhe duke shtuar se, “autorët kanë deklaruar se ky është një dëmtim natyror e i pashmangshëm”.

 Tare: Bumçi gënjen

Por reagimi i opozitës ka qenë i menjëhershëm dhe deputeti socialist, Auron Tare ka akuzuar ministrin e Kulturës si shpifës dhe gënjeshtar. “Ministri Bumçi gënjeu Komisionin e Mjeteve të Informimit për mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar”, vuri në dukje Auron Tare. Më tej, ai tha: “Sa Turp. Ministri i Kulturës, i Republikës publikisht akuzohet si gënjeshtar. Autorët e veprës që kanë bërë Mozaikun e Muzeumit Kombëtar nuk i ka pyetur kush dhe nuk ju ka kërkuar njeri mendim mbi Mozaikun. Përpara dy ditësh Ministri gënjeu përballë deputetëve, ministri gënjeu në sy të medias. Po tani çfarë mund të thotë Ministri i Kulturës?

Dhe duke parë se ky problem po trajtohet si loja e tërheqjes së litarit, askush nuk mund të konfirmojë se nga anon e vërteta. Në lojën politike pro dhe kundër njëri- tjetrit, është krijuar një konfuzion i tillë saqë askush nuk mund të gjejë se përse po zhvillohet i gjithë ky debat për Muzeun. Mesa duket, Aldo Bumçi ka vendosur që së shpejti edhe muzeun Historik Kombëtar ta katandisë si kisha e Shën Premtes. Në fillim, ai po përpiqet t’i mbushë mendjen opinionit publik, se mozaiku i ndërtesës është i dëmtuar nga koha dhe për këtë arsye, aji duhet prishur. Më pas, kazma e ministrit Bumçi do të rrëzojë ndërtesën, të cilën ai vetë, do ta konsiderojë si një betejë të fituar kundër së kaluarës.

 Bumçi në Komisionin e Informimit

Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, në Komisionin e Mjeteve të Informimit është përpjekur që t’i shmanget së vërtetës duke dhënë për çdo pyetje, nga një përgjigje të gënjeshtërt. Kështu, pyetjes së deputetit Tare, për dëmtimin e mozaikut në Muzeun Historik, Bumçi iu përgjigj, duke thënë se, “ai mozaik është ndërtuar me materiale të “Josif Pashkos”, dhe se, “është ndërtuar me teknikë jo të studiuar, për t’i rezistuar kohës dhe kushteve atmosferike”. Ministri Bumçi,tha gjithashtu, se ka pyetur edhe 5 autorët që kanë realizuar këtë mozaik, dhe ata i kanë thënë, që është një dëmtim natyror e i pashmangshëm”. Lind pyetja: Përse gënjeu Bumçi dhe përse ai nuk mori kontakt me asnjë prej autorëve të mozaikut?

 Grupi i autorëve

Grupi i autorëve që realizuan mozaikun përbëhet nga 5 vetë dhe ata janë: Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Josif Droboniku, Anastas Kostandini dhe Agim Nekiu. Bumçi ka deklaruar se ka folur me ta, por nuk ka përmendur emrin konkret të ndonjë autori. Prej këtij grupi nënvizojmë se Vilson Kilica, mjeshtri i madh i mozaikut dhe pikturës gjendet i sëmurë, pas një hemorragjie cerebrale dhe ai nuk ka pasur asnjë kontakt me ministrin Bumçi. Po kështu, autori tjetër Agim Nekiu jeton prej kohësh në Itali dhe ai ka konfirmuar për gazetën “Telegraf”, nëpërmjet komunikimit telefonik, se nuk ka pasur asnjë kontakt me ministrin Bumçi, ose me ndonjë përfaqësues të Ministrisë së Kulturës në lidhje me mozaikun. Nga ana tjetër, mbeten tre autorë të tjerë, midis të cilëve Josif  Droboniku,  jeton midis Kalabrisë dhe Shqipërisë. Ai nuk ka pasur asnjë ftesë apo kontakt nga ministri Bumçi, qoftë, edhe për ndonjë konsultim të thjeshtë për mozaikun. Këtë e ka konfirmuar nëpërmjet komunikimit me 4 kolegët e tjerë. Ndërsa dy të tjerët kanë pranuar ët flasin më gjatë, duke diskredituar skemën mashtruese të zgjedhur nga ministri Bumçi për të manipuluar me autorët e mozaikut. “Ministri i Kulturës në fakt nuk ka kontaktuar me asnjërin prej nesh, por ai i përdor emrat tanë për të dalë nga situata e vështirë”, u shpreh Anastas Kostandini, i cili nga ana e tij, jeton në Pogradec. Ndërsa Aleksandër Filipi thotë se, “ky është një mashtrim i hapur i këtij ministri”.

 E vërteta e autorëve

Por e vërteta është ndryshe dhe autorët e këtij mozaiku e mohojnë plotësisht mundësinë e komunikimi me Bumçin. Ata jo vetëm që kanë përgënjeshtruar ministrin e Kulturës, por kanë shprehur edhe habi për zgjedhjet e bëra nga Bumçi për emrat e restauratorëve. Kështu, Aleksandër Filipi, një nga autorët e realizimit të mozaikut, ka folur për  “Telegraf”, duke hedhur poshtë  fjalët e ministrit Aldo Bumçi. Ai deklaroi në ligjëratë të drejtë, se: “Nuk është e vërtetë që ministri na ka pyetur për këtë problem. Ne, madje kemi pritur se mos na kërkohej ndonjë mendim, si autorë të mozaikut, por askush nuk është kujtuar të organizojë ndonjë konsultë me ne. Ai, jo vetëm që nuk ka biseduar me ne, por edhe për ndërhyrjet e meremetimeve që u bënë, nuk na ka pyetur fare. Madje, nuk e di se kë ka marrë për restaurim. Kush më mirë se ne, do të dinte të bënte restaurimin. Dhe kjo sjellje nuk është e drejtë sepse nëse duhej pyetur dikush, për mozaikun, vetëm ne mund të jepnim një mendim profesional dhe korrekt. Askush tjetër nuk mund të flasë për të me kompetencë të plotë, më tepër se sa ne”.  Nga ana tjetër, Filipi konfirmon se Bumçi nuk ka pyetur as bashkautorin e tyre, Josif  Drobonikun. Për këtë gjë, Filipi konfirmoi me kompetencë dhe përgjegjësi të plotë se: “Ministri Bumçi nuk ka pyetur fare, as Josif Drobonikun, mjeshtrin më të mirë të mozaikëve murale, i cili sapo ka inauguruar mozaikun e kupolës së Kishës Autoqefale, me përmasa 750 metra katrorë”, përfundon Droboniku.

 Anastas Konstandinu: Bumçi nuk ka sinqeritet

Njëri nga autorët dhe pikërisht Anastas Kostandini thotë për “Telegraf”: “Unë kam konstatuar se Ministria e Kulturës nuk ka vullnet pozitiv me elemente sinqeriteti, për të zgjidhur problemin. Por Ministri i Kulturës kërkon të bëjë shou duke përdorur emrat tanë. Ne nuk kemi biseduar kurrë me ministrin Bumçi dhe asnjëherë nuk na ka pyetur, asnjërin nga ne të pestëve që kemi realizuar mozaikun eMHK-së. Ky mozaik është bërë sipas teknologjisë së kohës, e cila nuk ndryshon edhe kaq shumë nga e sotmja. Mozaiku është i tejekspozuar në agjentët e kushteve atmosferike dhe nuk është menduar të ketë një siguri absolute. Por, nga sjellja e ministrit Bumçi, të jepet përshtypja që këta mezi presin që mozaiku të shkatërrohet plotësisht, sepse nuk e duan. Nuk është bërë asnjë lloj restaurimi, këtë e them me siguri të plotë, veçse u vendosën disa shkallë dhe u bë abuzim. Po të na kishin pyetur, ne do të kishim dhënën zgjidhjen, sepse edhe dëmtimet mund të restaurohen shumë mirë. Ministri Bumçi nuk ka marrë mundimin që të pyesë, të konsultohet, të kërkojë ndihmesën as të Josif Drobonikut, i cili është një nga mjeshtërit më të mirë të mozaikut”, shprehet Anastas Kostandini.

 Inspektimi i Ministrisë, pjesë e mashtrimit

Para tre vjetësh, Ministria e Kulturës bëri një inspektim, për gjendjen e mozaikut. Për këtë arsye u ngritën edhe disa skela që qëndruan aty për shumë kohë. Pas këtij inspektimi u vendos të bëhej restaurimi me fondet e përbashkëta të VODAFONE me Ministrinë e Kulturës. Në dokumentin përkatës të inspektimit të asaj kohe thuhet tekstualisht: “Sot më 13.07.2010 ora 11:00 zv/ministrja e Kulturës znj. Suzana Turku e shoqëruar nga stafi i MTKRS-së, për trashëgiminë kulturore si dhe Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania, z. Albi Greva, inspektuan punimet për fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Aktualisht puna është në fazën përfundimtare të dokumentimit, studimit dhe të sondazheve, duke marrë parasysh përmasat e veprës, vendndodhjen dhe rëndësinë e saj, por duke qenë dhe një nga veprat kryesore, dëshmi e një periudhe të caktuar historike. Vodafone dhe MTKRS po bashkëpunojnë për restaurimin e kësaj fasade. Gjithashtu, MTKRS mirëpret dhe sektorë të tjerë privatë për të bashkëpunuar në restaurimet e Monumenteve Kulturore.

Mozaiku i fasadës së Muzeut Kombëtar është një vepër e realizuar në vitin 1981 nga një grup specialistësh shqiptarë (Vilson Kilica, Josif Dobroniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini, Aleksandër Filipi ). Ai ka një sipërfaqe prej rreth 440m2 me përmasa 40x11m. Suporti i tij përbëhet nga një panel me llaç çimentoje,brenda, të cilit është inkorporuar një skarë hekuri. Mbi skarën e hekurit është vendosur një shtresë e hollë fine po llaç çimentoje mbi të cilën janë vendosur teserat. Ato janë të prodhuara në mënyrë industriale dhe kanë përmasa rreth 5x5cm. Gjatë muajit qershor dhe në vazhdim falë montimit dhe ngritjes së skelës pranë mozaikut të fasadës së Muzeut Historik Kombëtar Tiranë, u bë i mundur evidentimi dhe analizimi nga afër i problematikave që paraqet kjo vepër. Që në fillim duhet theksuar se mozaiku paraqet dëmtime dhe problematika të një shkalle të konsiderueshme dhe të rënda. Gjithashtu, nevojitet edhe asistenca e specialistëve vendas apo të huaj, të pajisur me njohuritë e domosdoshme, por Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, Tiranë është në kontakt të vazhdueshëm me disa nga autorët e kësaj vepre, me qëllim gjetjen dhe zgjidhjen sa më të përshtatshme. Për sa më lartë, MTKRS-ja po merr masat e nevojshme që kjo vepër arti të kthehet në imazhin e mëparshëm”. Kështu thuhet në dokumentet e këtij inspektimi, i cili për hir të së vërtetës ishte pjesë e mashtrimit të madh të Aldo Bumçit.