Auron Tare:Memoria e Kulturës sonë është drejt zhdukjes, ministri Bumçi është përgjegjësi

715
Sigal

Kohët e fundit  ndodhën dy ngjarje që vunë një vulë të turpshme në Memorien  Kulturore dhe Historike të popullit tonë. U dëmtuan dhe u prishën afresket e Onufrit në Kishën e Shën Premtit në Valës të Elbasanit, një kujtesë kulturore qindra vjeçare. Dhe sot e kësaj dite ministri i Kulturës Aldo Bumçi ende nuk ka vajtur e parë nga afër dëmin, si për të demonstruar shpërfilljen arrogante të politikës së vet.  Ditë më parë, në Kishën e Himarës u vodhën ikona 300- vjeçare dhe ende Ministria e Kulturës nuk e ka bërë publike, sepse nuk i intereson fare kultura trashëguese e popullit tonë. Ndërsa ngjarja e dytë, ka të bëjë me vjedhjen për skrap të çdo sendi metalik nga burgu i Spaçit, edhe i shpallur si Muze i Memories Kombëtare, e ndërsa ministri Bumçi, sërish në grupin parlamentar të Medias, deklaron se, mungojnë fondet për ta…ruajtur. Deputeti Auron Tare, në intervistën për “Telegraf”, pohon se, memoria e Kulturës sonë është drejt zhdukjes dhe ministri Bumçi është përgjegjësi, sepse sipas zotit Tare,” Monumentet tona të kulturës i rezistuan kohës, i rezistuan dyndjeve barbare dhe nuk po i rezistojnë dot 22 vjetëve të politikave shqiptare.”

  – Zoti Auron, në Komisionin e Medias ju ndër të tjera ngritët edhe shqetësimin e shprehur nga UNESCO mbi dy qendrat e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Gjirokastra dhe Berati. Përse, deri më tani, nuk ka një reagim nga institucionet shtetërore?

– Po është e vërtetë që në Komisionin e Mediave unë ngrita edhe çështjen e një letre që Komisioni i Trashëgimisë Kulturore Botërore i ka dërguar Ministrisë së Kulturës. Kjo letër shpreh shqetësimin e madh mbi situatën e rëndë, ku janë dy nga Pasuritë Botërore të UNESCO-s,  Gjirokastra dhe Berati. Megjithëse, unë dhe deputetët  e tjerë socialistë kërkuam një përgjigje zyrtare nga Ministri i Kulturës për këtë çështje, deri më sot Ministri Bumçi nuk mund të përgjigjet dot. Nuk i përgjigjet dot, pasi nuk shpjegon dot se përse një pjesë e madhe e buxhetit të shtetit për Gjirokastrën e marrin tre firma të lidhura ngushtë me pushtetin. Ministri nuk përgjigjet se nuk shpjegon dot se përse po këto firma “restaurimi”  marrin fondet e donatorëve të cilat janë dhënë për qytetin e Gjirokastrës. Rasti më flagrant është ai i Muzeumit Kronikë në Gur, një maskaradë me fondet e donatorëve, të cilat nuk dihet se ku kanë shkuar tashmë që Ministria e Kulturës ka mbetur zbuluar Ministri deklaron se ky Muze është i paligjshëm. Por, në se është i paligjshëm, atëherë përse nuk kërkon një hetim nga krimi ekonomik, për të parë se ku kanë shkuar fondet?  Ministri i Kulturës nuk e bën, dot pasi me këtë Muze është marrë Firma e Familjes.

Dëmtimet që pësuan afresket e Onufrit janë të riparueshme? Ministri Bumçi, edhe në Komisionin e Medias, bëri fjalë se një pjesë e mirë e tyre mund të restaurohen.

– Po normal që Ministri Bumçi ashtu do të thotë. Ku di gjë Ministri Bumçi se, dëmtimi i vlerave të tilla e humbet përgjithmonë autenticitetin e veprës së krijuar nga dora e Onufrit. Restaurimi mund të rikuperojë diçka, por kjo vepër nuk është më Onufri.

– Çfarë ndodh me monumentet tona të Kulturës? Ndonëse kanë mbërritur deri në ditët tona, sot ato po shkatërrohen nga dora e njeriut. 

– Ato po shkatërrohen nga neglizhenca, padituria dhe indiferentizmi shtetëror.  Monumentet tona të Kulturës i rezistuan kohës, i rezistuan dyndjeve barbare dhe nuk po i rezistojnë dot 22 vjetëve të politikave shqiptare.

– A nuk rrezikohet kësisoj memoria kulturore e popullit tonë?

– Memoria e Kulturës sonë është drejt zhdukjes. Nuk mund të flasim më për rrezik, por për shfarosje. Në Shqipëri nuk po humbasin vetëm vepra historike. Në Shqipëri po humbasin qytete të tëra historike dhe arkeologjike.

– Nga ana tjetër, të shumta janë edhe rastet e abuzimeve në restaurimin e monumenteve të kulturës. Ju mund të na jepni raste të tilla, dhe kush janë përgjegjësit? 

– Është një listë shumë e gjatë. Mua m’u desh minuta të tëra për ta lexuar listën e abuzimeve në Trashëgiminë Kulturore. Përgjegjësit ne do t’i dërgojmë përpara drejtësisë pas 23 Qershorit.

– Përse, deri tani, nuk janë vënë përballë përgjegjësisë ata që abuzojnë me fondet për restaurimin e monumenteve të kulturës?

– Sepse janë pjesë e pushtetit. A mund të nxjerrë përpara drejtësisë Ministri i Kulturës Firmën e Familjes?

Sa shfrytëzohen monumentet e Kulturës  për qëllime turistike, duke evidentuar edhe trashëgiminë tonë kulturore? 

– Shumë, shumë pak. Në fakt, më mirë të mos çosh turist      në këto monumente. Po ju jap një shembull. Qyteti antik i Zgërdheshit, i cili deri më sot nga arkeologët është përcaktuar si Albanopolisi, qyteti nga ku Shqipëria ka marrë edhe emrin Albania. Ky qytet është seriozisht i kërcënuar nga shfrytëzimi i guroreve. Imagjinoni një vend që  nuk ruan dot identitetin e vet cilësor. Vendin nga ku ka marrë emrin.

Sipas jush, shkaqet janë objektive, apo është mungesë e interesimit politik?

– Njerëz të paaftë drejtojnë këtë sektor shumë të rëndësishëm.  Të paaftët janë sëmundja e këtij pushteti, i cili po asfikson nga dita në ditë trashëgiminë tonë kulturore.

Cila do të jetë politika e PS-së, për përkujdesjen e Memories  Kulturore?

– Politika e PS-së për përkujdesjen e Memories Kulturore është një  Shqipëri, që nesër,  në emër të zhvillimit, mund të ketë më pak gurore, fabrika çimentosh, por të jetë  më e vërtetë, më e pasur në vlera shpirtërore dhe në cilësi jete.

Aldo Bumçi do të mbetet në histori si ministri që zhduk Memorien Kulturore të Shqipërisë

– Sipas jush, cili është përgjegjësi politik i mospërkujdesjes dhe i dëmtimit të memories kulturore të popullit shqiptar?

– Institucionet shtetërore që paguhen për t’i mbrojtur këto monumente, ministri Bumçi, që me indiferencën dhe inekzistencën e politikës së tij është tashmë ministri i Shuarjes së Memories Kulturore. Por jo vetëm kaq. Është dhe indiferenca e shoqërisë sonë, e cila po mbyll sytë ndaj krimeve kundër trashëgimisë sonë kombëtare.

 – Faleminderit!