Auron Tare: “Politika e Ministrisë së Kulturës shkatërron Trashëgiminë Kulturore”

459
Sigal

Zoti Tare, disa drejtues të Ministrisë së Kulturës, u prononcuan për “Telegraf” se, cilësimi i Amfiteatrit të Durrësit, si më i rrezikuari në Europë, është një aplikim që bëhet nga “Europa Nostra”, thjesht për  të marrë disa fonde më shumë? Kështu qëndron e vërteta?

– Po mesa duket, drejtuesit e kësaj Ministrie kanë kohë që nuk kanë dalë nga Durrësi për të parë gjendjen reale të Amfiteatrit. Nuk ka nevojë fare që organizatat e huaja të flasin për rrezikun që i kërcënohet këtij Monumenti, me përmasa europiane, pasi qytetarët e shikojnë vetë se sa i kërcënuar është realisht.  Ndërkohë, futja e tij në listë e “Europa Nostras”, në fakt është një mesazh nga organizata serioze europiane mbi kërcënimin e vlerave europiane të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare. Kryesimi në Listë të rrezikshmërisë,  tregon se, këto organizata e shikojnë si shumë serioze gjendjen e këtij Monumenti, i cili duhet shpëtuar. Punën e “Europa Nostras”, nëse marrja e fondeve është qellimi, siç po  thonë zotërinjtë  e Ministrisë së Kulturës, që ju keni marrë në prononcim, në fakt duhet ta bëjë Ministria e Kulturës, jo organizata të huaja. Për koincidencë, para një jave një funksionare e Këshillit të Europës, nga Task- Forca e Kulturës, thoshte në një takim, se Shqipëria është e fundit në listë përsa i përket kapacitetit të marrjes së fondeve europiane për trashëgiminë, sepse Ministria e Kulturës është plot me punonjës partie dhe jo profesionistë të vërtetë.

– Atëherë, si ka mundësi që kambanat e alarmit të mos shkaktojë as më të voglën shqetësim të drejtuesit shtetërorë përkatës?

– Po cilat kambana ka dëgjuar kjo Ministri?  Kambanat e Onufrit?  Të kishave që po vidhen çdo ditë? Kambanat e Krujës? Albanopolit?  Kalave që po jepen për hotele? Apo kambanat e atyre qindra monumenteve të kulturës që dergjen sot të braktisura pa asnjë zot? Kush t’i dëgjojnë kambanat?  Kambanat bien për ata që kanë veshë t’i dëgjojnë.

– Përveç përgjegjësive shtetërore, a ka përgjegjësi penale ndaj shkatërrimit të trashëgimisë Kulturore?

– Sigurisht, por deri më sot këto organe  të drejtësisë nuk kanë penalizuar askënd, duke treguar qartë se, Trashëgimia Kulturore është një fushë që askush nuk ka ndjesi, apo përgjegjësi.

– Arbër Kadia, drejtpërdrejt, etiketoi si përgjegjës të rrënimit të Amfiteatrit të Durrësit edhe Kryetarin e Bashkisë të Durrësit për dhënien e lejeve të ndërtimit në zonën e ndaluar. Sa e vërtetë është?

– Duhet pyetur zoti Kadia dhe së bashku me këtë pyetje i duhet thënë se nëse ky zotëri ka fakte që Kryetari i Bashkisë së Durrësit po prish Amfiteatrin, përse ai nuk ka reaguar?  Përse nuk i ka bërë këto fakte publike?  Përse nuk zbaton ligjin në fuqi?  Deri sa nuk ka bërë asnjë nga këto, tregon se këto fjalë janë pjesë e fushatës elektorale të përbaltjes së kundërshtarit politik.  Zotit Kadia po i them unë se,   për shembull, jo shumë larg Amfiteatrit Komisioni i Kthimit të Pronave ka kompensuar një familje shumë pranë partisë në pushtet, jo vetëm me prona fiktive, por edhe me një pjesë të Mureve rrethuese të kalasë antike. Pra, familja në fjalë është sot pronare e një pjese të mureve të ndërtuara, që në kohën e Perandorit  Bizantin Anastas. Zoti Kadia, i cili ka qenë përgjegjës direkt për Afresket e Onufrit, në fakt në vend që të mbante përgjegjësi zyrtare, është promovuar në detyre. Tani çfarë mund të themi më shumë për këtë gjë?

– Gjithashtu, zoti Kadia pranoi që shteti ka akorduar fonde për restaurimin e amfiteatrit të Durrësit. Ku dhe si janë përdorur këto fonde , ndërkohë që, Amfiteatri rrezikohet të shkatërrohet?

– Jam i sigurt që këto fonde, nëse janë dhënë, i ka marrë ndonjë firmë “restauruese”, nga ato pranë Familjes. Janë nja 4 të tilla, të cilat bëjnë ligjin në tenderat e Ministrisë së Kulturës, të cilat kanë përfituar fondet publike në këto 8 vitet e fundit.

– Roland Olli drejtues i Arkeologjisë së Shpëtimit, në prononcimin e tij për këtë çështje, përmendi në mënyrë ironike emrin tuaj, si njeriu që mund të shpjegonte më shumë. Përse?

– Nuk e di se përse zoti Olli ka pasur dëshirën të jetë ironik në këtë çështje. Gjithsesi, mendoj se Zoti Olli, përpara se të jetë ironik, duhet të shpjegoje qartësisht një nga dosjet më të rënda të shkatërrimit të historisë së Durrësit. Zbulimet në lulishten “1 Maji” dhe heshtjen e tij për betonimin e tyre. Humbja e zbulimeve të kësaj zone ngarkon me faj të dënueshëm penalisht zotin Olli, si drejtues i Arkeologjisë së Shpëtimit. Mbyllja e kësaj dosje në favor të bashkëshortes së ish Ministrit të tij (Aldo Buçi- shënimi i gazetarit), nuk nënkupton se kjo çështje është harruar. Së bashku me dëmtimet në Amfiteatër, shkatërrimi i kësaj zone është edhe në kompetencën e zotit Olli. Ndoshta duhet pyetur më gjatë zotëria në fjalë mbi këtë çështje.

-Faleminderit!