Auditimi financiar i partive, KQZ miraton kontratën që do të lidhet me ekspertët financiarë

131

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar pro  miratimit të  kontratës-tip të shërbimit që do të lidhet me ekspertin financiar për auditimin ligjor të detyrueshëm të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik 2017.

Antarët e KQZ-së, kërkuan që kontrata të miratohet duke bërë ndryshimet që e bëjnë më të qartë kontratën.

“Një aneks që do t’i bashkëlidhet kësaj kontrate dhe që sipas parashikimit tuaj do të mund të lidhet vetëm pas momentit kur ata sjellin një plan. Cilët janë kriteret mbi bazën e të cilëve do të përcaktoni orarin ose orën e punës? A ka ndonjë kriter? Ky është një shqetësim i hershëm i imi, sepse referuar edhe kontrollit që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pasur problematikë me të. Nuk e di, nuk shoh të reflektuar ndonjë gjë, ai shqetësim ngelet”, u shpreh anëtarja e KQZ, Vera Shtjepni.

“Duhet të kishe marrë kontakt me anëtarët e Komisionit para se të bëje kontratën ti dhe të mos mjaftoheshe vetëm me një email te IKEA (Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar), por t’i jepje këmbëve dhe të vije te IKEA dhe të konsultoheshe për ato që lamë detyrë ne këtu”, iu përgjigj anëtari tjetër i KQZ, Gëzim Veleshnja, shkruan scan

Objekt i auditimit nga eksperti financiar do të jenë  fondet e përfituara  dhe të shpenzuara për vitin që lamë pas.