Aty ku shqiptarët paguajnë vdekjen me para

446
Sigal

Forum/Flasin për korrupsionin në shëndetësi, z.Arian Jaupllari, Dr.Islam Cani, znj.Vasilika Hysi

Dukuria e korrupsionit e ka prekur edhe sektorin e shëndetësisë. Ky korrupsion përllogaritet të jetë edhe institucional, por edhe individual. Çdo pacient e dallon korrupsionin te bluzat e bardha në spital, por dhe në të gjitha Qendrat e tjera Shëndetësore. Mjeku i korruptuar ka infektuar dhe ka bërë bashkëpunëtorë gjithkënd pranë tij, infermierin, farmacistin, laborantin etj. Ata për të ngopur grykësinë e tyre në marrëveshje me farmacistin (sigurisht jo për t’i bërë nder atij, por për të përfituar në përqindjet që më parë janë ndarë), dërgojnë pacientët e tyre me receta të mbingarkuara, atje ku ata rekomandojnë. E njëjta gjë ndodh edhe kur pacientit u rekomandohen laboratorë të caktuar për të bërë analizat, që sipas mjekut i ka “të nevojshme”. Apo më keq akoma, kur bluzat e bardha nuk e kryejnë shërbimin mjekësor, kjo për t’i bërë qytetarët që të shkojnë e të kryejnë vizitat në klinikat e tyre private.  Kjo gjë ndodh rëndom edhe nëpër spitale, atje ku shërbimi, por dhe mjekimi duhet të jetë falas. Në spitale përveç mungesës së barnave, mungon gjithçka; humanizmi që duhet të udhëheqë mjekun, etika profesionale, por edhe respekti ndaj jetës së pacientit. Dhe e gjithë kjo bëhet vetëm për të grabitur pacientët, qofshin këta dhe në grahmat e fundit të jetës, deri në qindarkën e fundit. Qytetarët nuk kanë reshtur së denoncuari këto padrejtësira që bëhen në drejtim të tyre, por zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhër. E tillë është dhe ankesa që sjell për “Telegraf”, pacienti S.A nga fshatrat e largëta të Librazhdit, i shtruar në spitalin Onkologjik Tiranë, i cili denoncon faktin se është i detyruar të blejë të gjitha ilaçet vetë, sepse mjeku i thotë që nuk ndodhen në spital.

ZNJ.VASILIKA HYSI, DEPUTETE E PS

Banka Botërore ka publikuar dy raporte: për arsimin dhe shëndetësinë.

Përfundimet:

1. 57 % e të rinjve në Shqipëri janë analfabetë funksionale;

2. Shqiptarët paguajnë 60% të shpenzimeve mjekësore nga xhepi i tyre.

Arsimi dhe shëndetësia janë rrënuar në këto 8 vjet dhe sot Qeveria del në fushatë me të njëjtat premtime të pambajtura të para 8 viteve. PS ka një program të detajuar për arsim cilësor dhe shërbimin shëndetësor për të gjithë. Zbatimi i programit të Rilindjes dhe dalja nga rruga e rrënimit fillon në 23 Qershor me votën tuaj.

Z.ARIAN JAUPLLARI, KREU I “URDHRIT TË FARMACISTIT”

Për problemin e korrupsionit të mjekut në bashkërendim me farmacistin dhe laborantin, gazeta “Telegraf” i mori prononcim edhe kreut të “Urdhrit të farmacistit” Z. Arian Jaupllari,  një ditë para se të bënte aksident. Me këtë rast redaksia e gazetës “Telegraf” i uron shërim dhe rikthim sa më të shpejtë në detyrën e tij në shërbim të qytetarit shqiptar.

Ç’mendim keni për trekëndëshin mjek, farmacist, laborant si dhe për fyerjen që i bëhet pacientit duke u sorollatur në këtë trekëndësh (kemi parasysh këtu rekomandimet e mjekëve për laboratore apo farmaci të caktuara)?

Në qoftë se do të bënim një paralelizëm me “trekëndëshin revolucionar” të kohës së komunizmit, ky do të konsiderohej si trekëndëshi “BARBAR”, pasi çdo gjë shkon në dëm të pacientit. Zanafilla e këtij problemi është mjeku, i cili pasi viziton rekomandon. Po çfarë?

Së pari, rekomandon recetën për barin, ku shkruan mbarë e prapë, pa kriter, pa ju përmbajtur diagnozës, barna me principe aktive të njëjta, të dy ose më shumë Kompanive Farmaceutike, vetëm e vetëm që ky mjek të shesë barnat e tij dhe të përfitojë lekë kesh ose me çek bankar në fund të çdo muaji.

Së dyti, është përsëri mjeku që rekomandon laboratorin apo klinikën private për kryerjen e analizave laboratorike dhe imazherike apo shërbimeve të tjera që janë ose jo të munguara në sistemin publik.

Së treti, është po mjeku që  rekomandon farmacinë, ku do të dërgojë recetat për të marrë përqindje nga farmacia. Madje mjekët e Qendrave Shëndetësore(QSH) dhe farmacitë për rreth tyre, kanë bërë kontrata të fshehta për recetat me rimbursim kundrejt masës prej 10 %. Ka QSH këtu në Tiranë, të cilat kanë angazhuar të gjithë personelin shëndetësor, për të adresuar recetat vetëm në një farmaci, kundrejt pagesës dhe kjo është e matshme, pasi këto farmaci kanë shifra rimbursimi marramendëse në krahasim me farmacinë që nga largësia i ndan vetëm një mur 20 cm.

Së katërti, është mjeku, por dhe farmacisti që janë të joshur nga sindromi “FLUTURUES” që u ofrohet nga Kompani të caktuara Farmaceutike. Disa Kompani janë kthyer në Agjensi Turistike për mjekët dhe farmacistët me qëllimin e vetëm, shitjen e barnave të tyre. Është përsëri mjeku që “shkruan dhe fluturon” me paratë e shitura nga barnat e firmës, sepse farmacisti “naiv” nuk e kupton që fluturon me paratë e tij.

 DR.ISLAM CANI, KREU I SHOQATËS SË KONSUMATORIT SHQIPTAR

Në qendrat shëndetësore, konsultore, pranë spitaleve dhe në Urgjencat e klinikave mjekësore ilaçet janë të pakta ose mungojnë fare, sepse pacientët rekomandohen në farmaci sipas njohjeve e miqësive e deri tek ndarja e interesave me to.  Ndërsa në ato spitalore, mungesat janë të theksuara deri në atë shkallë që të mungojnë edhe serumet, e medikamentet më të thjeshta, të gjitha këto jo pa shkak.

Abuzimi i mjekëve:

Nuk mungojnë thëniet e konsumatorëve se vetë mjekët abuzojnë me dhënien e recetave dhe të bashkëpunimit me farmacistët, rekomandim tek një farmaci të caktuar për dhënien e ilaçeve, (mjeku bën marrëveshje me farmacistin dhe e ngarkon pacientin me ilaçe të pa nevojshme duke shtuar ilaçe  që të shtojë sasinë e çmimit, sepse ai nga këtu merr përqindjen e recetës nga farmacisti), pra mjekët abuzojnë me profesionin e nderuar e human. Gjithashtu mjekët orientojnë pacientët për laboratorët ku duhet të kryejnë analiza, apo dhe farmaci ku të marrin ilaçe. E gjithë kjo tregon për marrëdhënie të fshehta të mjekëve me laboratorët dhe farmacitë, e të gjitha këto janë në dëm të qytetarëve. Mjekët e lagjeve, komunave e më gjerë bëjnë marrëveshje me specialistët qendrorë dhe bëjnë orientime me pagesa. Pra, një pacient vjen nga rrethi dhe rekomandohet nga mjeku i tij, me adresim tek një specialist në Qendrat Spitalore të mëdha (por kjo kundrejt një shpërblimi dhe një marrëveshje të fshehtë ndërmjet mjekut dhe specialistit), sikurse janë ato mjekët që bëjnë vizita si; skaner, tomografi, radiografi, analiza, etj. Gjithashtu ka ankesa nga konsumatorët për mjekë që bëjnë vizita e adresojnë pacientët për të shkuar  pasdite në këtë adresim (klinika private në familje).