Atentati – Arsenal armësh pranë shtëpisë së babait të kryeministrit serb

435
Sigal

Policia serbe ka zbuluar një arsenal armësh në afërsi të shtëpisë së familjes së kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç. Hetuesit janë duke analizuar sesi ka ndodhur ngjarja. Një nga ministrat serbë, Aleksandar Vulin është pyetur mbi motivet se kush dëshiron ta vrasë kryeministrin Vuçiç.

Hetuesit serbë janë duke hetuar të gjitha pistat e dyshimit, madje po bëjnë edhe analizat e ADN-së së gjurmëve nga armët, që janë gjetur në një zonë malore në afërsi të shtëpisë së kryeministrit.

Policia thotë se vetëm 15 metra nga shtëpia e babait të Vuçiç, në një kthesë ku zakonisht duhet ulur shpejtësia, janë gjetur shumë armë në arka. Një minahedhës, 4 bomba dore dhe 100 plumba, si dhe municion për armë automatike dhe snajper, si dhe 15 plumba të një kalibri të panjohur, ishin mes arsenalit të gjetur.

Televizioni publik serb “RTS” tha se hetimet po i kryen Agjencia e Inteligjencës, ndërsa ministri i Policisë, Nebojsa Stefanoviç ka deklaruar se nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë, por shtoi se Vuçiç është i sigurtë.

Shefi i diplomacisë, Ivica Daçiç ka thënë se duhet bërë kujdes, pasi historia përsëritet gjithmonë.

Për atentatet ndaj Vuçiç është folur disa herë nga mediat proqeveritare. Por kurrë nuk ka pasur gjëra konkrete. Pas incidentit në zgjedhjet e Malit të Zi dhe përgjimit të kryeministrit, Milo Djukanoviç, Vuçiç pati deklaruar se ka pasur grupe nga Serbia në planet për puç ndaj ish-kryeministrit malazez, dhe se shërbimet sekrete kanë shtuar aktivitetin në territorin serb.