“Atentat” kundër ndërtimit të mirëbesimit për procedurën e zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013

430
Sigal

Kolegji Zgjedhor kapërcen kompetencat kushtetuese në vendimmarrjen për ZAZ-të

1.Kolegji Zgjedhor  jep vendimmarrje për ZAZ, duke rritur numrin e tyre

 Kolegji Zgjedhor vendosi më 3 janar të pranojë pjesërisht kërkesën e administratës së KQZ-së për rritjen e numrit të ZAZ-ve në 89 të tilla në gjithë vendin. Përfaqësuesit e PS-së në KQZ, e kundërshtuan këtë propozim, duke e argumentuar me faktin se rritja e popullsisë nuk duhet të justifikohet me një numër më të madh ZAZ-ve, ndërsa KQZ-ja vetë kishte propozuar ndarjen në 76 zona. PD-ja iu drejtua Kolegjit Zgjedhor, pasi në KQZ nuk u arrit konsensusi i nevojshëm. Pas diskutimit në sallë, trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor u tërhoq dhe vendosi të marrë parasysh kërkesën e administratës së KQZ, që propozonte ngritjen e 89 KZAZ-ve.

2. Në KQZ ishte arritur konsensusi politik për 76 ZAZ, por PD-ja e prishi marrëveshjen

Projekti që gjeti konsensus më parë ishte projekti i paraqitur nga KQZ-ja më datat 5 dhe 6 dhjetor për 76 ZAZ , ndërkohë PD-ja kërkoi më shumë, kërkoi dhe shtyrjen e mbledhjes në datën 7 dhjetor, duke deklaruar se do negocionte me PS-në për arritjen e një projekti të përbashkët. Por kjo gjë nuk u realizua   dhe KQZ-ja doli me variant të ri 89 ZAZ në mbledhjen e datës 21 dhjetor. Mosgjetja e konsensusit nuk krijon ngërç për zgjedhjet pasi Kodi aktualisht parashikon 66 ZAZ që janë akoma në fuqi dhe neni 180 e ka parashikuar që ato janë në fuqi deri në rishikim nga KQZ-ja. PS –ja i qëndron variantit të pare të KQZ-së për 76 ZAZ.

3. Kolegji Zgjedhor kapërcen kompetencat kushtetuese

Së pari : Neni 27 i Kodit Zgjedhor, i jep të drejtë KQZ-së, që mund të përcaktojë apo ndajë zona të administrimit zgjedhor, nëse kanë ndryshuar të dhënat lidhur me shtimin e numrit të shtetasve dhe të votuesve, kur shtimi ka mbërritur në 60 mijë votues në bashki. Për ndarjen e zonave zgjedhore kërkohen një sërë kriteresh që përcaktohen në këtë nen.

a. Pandashmërinë e territorit të komunës a bashkisë

b. Vazhdimësia dhe kompaktësia e territorit, duke shmangur barrierat gjeografike

c. Mundësi të mira komunikimi brenda territorit

d. numër të përafërt zgjedhësish.

Së dyti : Sipas nenit 24, germa “f” të Kodit Zgjedhor, vendimmarrja e KQZ-së për ndarjen e zonave zgjedhore kërkon votimin nga 5 anëtarë. Në mbledhjen e datës 21 dhjetor 2012, KQZ-ja shqyrtoi projekt-vendimin e paraqitur nga Administrata e KQZ-së për ngritjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor për Zgjedhjet për Kuvendin e vitit 2013. Gjatë diskutimit të këtij projekt-vendimi përfaqësuesit e partive politike PD dhe PS, i propozuan Komisionit ngritjen respektivisht të 100 ZAZ dhe 75 ZAZ në të gjithë territorin e Republikës.  Pas diskutimeve të të gjitha propozimeve të përfaqësuesve të partive politike po edhe të anëtarëve të KQZ-së, kjo e fundit në unanimitet, me 7 vota pro, rrëzoi propozimin e PD-së, e cila sugjeronte të ngrihen 100 ZAZ në të gjithë territorin e Republikës. KQZ-ja gjithashtu rrëzoi me 4 vota pro dhe 3 kundër, edhe propozimin e PS-së, e cila sugjeronte të ngrihen 75 ZAZ në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sipas nenit 158, pika c të Kodit Zgjedhor, thuhet se Kolegji Zgjedhor, vendos detyrimin e KQZ-së që të marrë vendim. Në pikën 4 të këtij neni thuhet se ky vendim merret në rrethanat e nenit 145, pika 2 e Kodit Zgjedhor.

Neni 145, pika 2 thotë: Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Në këtë rast Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe, kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vendimet e KQZ-së për rrëzimin e kërkesës ankimore në lidhje me vendimet të marra në përputhje me shkronjat “a”, “b” “c” dhe “ç” të nenit 24 të këtij Kodi.

Neni 24, pikat a, b, c, dhe ç janë:

a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi;

b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;

c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi;

ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre;

Siç shihet, përjashtimisht Kolegji nuk mund të kthejë në KQZ këto çështje që përcaktohen në germat a, b, c, ç të nenit 24. Ndarja e zonave të administrimit zgjedhor bën pjesë në germën “f” të nenit 24, pra detyrimisht vendimi i Kolegjit Zgjedhor duhet të ishte me detyrim e përcaktim kthimin për vendimmarrje ne KQZ.

4. Kolegji Zgjedhor shqyrton me një vendim përfundimtar vetëm në ankimimet postzgjedhore, që kanë lidhje me rezultatin zgjedhor

Kolegji Zgjedhor sipas këtyre dispozitave mungesën e vendimmarrjes së KQZ-së e shqyrton me një vendim përfundimtar vetëm në ankimimet postzgjedhore, që kanë lidhje me rezultatin zgjedhor. Vendimet e tjera parazgjedhore që përcaktojnë rregulla të përgjithshme për administrimin e zgjedhjeve, domosdoshmërisht kërkojnë konsensus që pasqyrohet nga marrja e vendimit me minimumin e 5 votave.

Ndalesë: Asnjë zonë e administrimit zgjedhor nuk mund të shtrihet gjeografikisht në dy a më shumë qarqe, apo rrethe të ndryshme të të njëjtit qark. Këto përcaktime të Kodit Zgjedhor kërkojnë një ekspertizë nga ekspertë. Në vendimmarrjen e Kolegjit Zgjedhor, nuk është reflektuar, përmbajtur asnjë ekspertizë nga ekspertë, madje as anëtarët e Kolegjit Zgjedhor nuk i kanë njohuritë e mjaftueshme, por as kohën për të gjykuar,  për të përcaktuar përse  duhet ky numër 89 i ZAZ-ve, dhe jo, p.sh, 100, apo pse jo 76 (???), ndaj kjo dëshmon që vendimmarrja ka boshllëqe, është i nxituar dhe si i tillë, dhe i pabazuar.

5. Vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor për ZAZ-të, zhbalancon ekuilibrat në Kodin Zgjedhor

Duke qenë, se Kolegji Zgjedhor mori një vendimmarrje ta pabazuar, por vetëm mbështeti një kërkesë partiake, duke vepruar njëanshmërisht, nga Kolegji Zgjedhor,  kërkohet të zhbëhet garancia e 5 votave për vendimet që lidhet me organizimin e zgjedhjeve. Kjo sipas  logjikës të hartimit të vetë Kodit Zgjedhor dhe KQZ-së,  do të dërrmonte besimin te zgjedhjet dhe do të zhbalanconte të gjitha ekuilibrat e vendosur në Kodin Zgjedhor për vendimmarrjet e rëndësishme.  

Kolegji, sipas Ligjit,  ka vetëm detyrim t’ja kthejë KQZ-së si rregull, prandaj çdo vendim surprize do e bënte situatën të pasigurt për çdo akt që kërkon 5 vota më tej.

6. Koalicioni i vëzhguesve vendorë (KË): “Vendimmarrja nga Kolegji Zgjedhor, precedent i rrezikshëm”

Koalicioni shpreh keqardhjen për shkeljen e afateve të parashikuara dhe mosmiratimin ende nga KQZ-ja të ndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore. Për më tepër, pamundësinë e marrjes së vendimeve me shumicë të cilësuar nga KQZ-ja dhe zëvendësimin e kësaj vendimmarrje nga Kolegji Zgjedhor, Koalicioni e konsideron si një precedent të rrezikshëm për ecurinë e mëtejshme të përgatitjes së procesit zgjedhor e në veçanti të miratimit të akteve me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet, për të cilat duhet shumicë e cilësuar aprovimi me jo më pak se 5 vota të anëtarëve të KQZ-së.

 7. Neni 145 E drejta e ankimit në gjykatë

Pra, e thënë thjesht, Kodi përjashton Kolegjin nga çdo vendimmarrje për themelin mbi vendimet që kanë të bëjnë me përgatitjen e zgjedhjeve. Vendimet e tjera të KQZ-së, pra shkronjat (a deri në ç”)  janë vendime që lidhen me rezultatet zgjedhore dhe patjetër shqyrtohen në themel dhe nga Kolegji. Si rregull  e vetmja rrugë për Kolegjin është tja kthej çështjen KQZ-së për vendimmarrje, pasi akoma nuk ka një vendim të KQZ-së.  2. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Në këtë rast Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe, kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vendimet e KQZ-së për rrëzimin e kërkesës ankimore në lidhje me vendimet të marra në përputhje me shkronjat “a”, “b” “c” dhe “ç” të nenit 24 të këtij Kodi. Vendimet e tjera të KQZ-së, pra shkronjat (a deri në ç”)  janë vendime që lidhen me rezultatet zgjedhore dhe patjetër shqyrtohen në themel dhe nga Kolegji.

KQZ-ja, e angazhuar për të përmbushur detyrimet ligjore
KQZ-ja,  e konstituuar më datë 18 tetor 2012, e përgjegjshme për detyrën e rëndësishme që i ka ngarkuar ligji për administrimin e procesit të ardhshëm zgjedhor, si institucioni më i lartë i zgjedhjeve në Shqipëri është angazhuar dhe me seriozitet ka përmbushur të gjitha detyrimet ligjore deri në fund të vitit që kaloi. Gjatë kësaj periudhe, ky Komision ka shqyrtuar një numër të konsiderueshëm aktesh, të cilat i shërbejnë procesit parazgjedhor në vendin tonë. Konkretisht gjatë kësaj periudhe janë miratuar 13 akte nënligjore, vendime dhe udhëzime me konsensus të të gjithë anëtarëve të Komisionit.  Ndërsa dy akte nënligjore, të cilat kërkonin shumicë të cilësuar nuk u arrit të miratohen për shkak se këto akte nuk morën numrin e votave të kërkuara nga ligji. Për njërin nga këto akte  konkretisht për atë që kishte të bënte me ndarjen e Zonave të Administrimit Zgjedhor,  siç jeni në dijeni pas shqyrtimit nga Kolegji Zgjedhor ditën e djeshme, ky i fundit i dha të drejtë projektit prej 89 Zonave të Administrimit Zgjedhor të paraqitur nga Administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nga vendimet e miratuara nga ky Komision vlen të përmendet vendimi për hapjen e procedurave për tenderimin e dy projekteve për aplikimin e teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme si një projekt pilot sipas të cilit këto procedura do të mbyllen në fund të muajit janar.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve garanton se ky detyrim ligjor do të përmbushet dhe shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjithë subjektet pjesëmarrëse në këto procedura për realizimin me sukses të këtyre projekteve të cilat do të aplikohen për herë të parë në zgjedhjet e 23 qershorit.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar gjithashtu dhe akte të tjera nënligjore të cilat janë të rëndësishme për përgatitjen e një kuadri të plotë ligjor për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë.  Viti që sapo kemi nisur që është edhe viti zgjedhor e gjen Komisionin Qendror të Zgjedhjeve tërësisht të angazhuar dhe është duke punuar intensivisht për miratimin e projekt vendimeve të rëndësishme sipas planit të orientues të miratuar nga ky komision për të siguruar zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente brenda afateve ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

 Damian Gjiknuri, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS: “Kolegji Zgjedhor, instrument politik i PD-së”

 “Kolegji Zgjedhor dha një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin zgjedhor dhe me parimin kushtetues të  ndarjes së pushteteve. Kolegji Zgjedhor nga arbitër u kthye edhe rregullshkrues, për interes të një partie politike duke e komprometuar veten që në vendimmarrjen e parë për zgjedhjet. Njëanshmëria e vendimmarrjes në favor vetëm të interesave politike të PD,  nuk krijon besim dhe klimë për zgjedhje të ndershme dhe të gjithëpranuara, gjë që po kërkohet nga i gjithë opinioni kombëtar dhe ndërkombëtar. Ndarja e Zonave të Administrimit Zgjedhor sipas ligjit është një çështje që i takonte KQZ  dhe që nuk ishte në kompetencë të kolegjit. Për më tepër që projekti i parë i administratës së KQZ me 76 ZAZ mori dakortësinë edhe të opozitës. Ishte Partia Demokratike ajo që kërkoi shtyrjen e vendimit përtej çdo afati, pasi kërkoi shtimin e numrit të ZAZ dhe urdhëroi administratën politike të KQZ për t’i shtuar ato përtej çdo numri logjik që siguronte harmoni me kriteret e ligjit. Kolegji Zgjedhor po vë në rrezik të gjitha standardet  ligjore që ka arritur politika me konsensus  në lidhje me vendimmarrjet e rëndësishme,  duke u kthyer në një komision zgjedhjesh, i kontrolluar nga ekzekutivi. Kolegji Zgjedhor po vazhdon praktikën e kolegjit të mëparshëm, vendimet e të cilit u konsideruan të dyshimta sipas raportit të ODIHR, duke ndikuar direkt  që zgjedhjet në Shqipëri të konsiderohen jo të mira nga Bashkimi Europian apo e drejta e popullit për të vendosur me votë të vihet në dyshim, sipas Departamentit të Shtetit Amerikan”.

Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi ligjor i PD-së: “Unë mendoj se propozimi i PD-së për ndarjen e ZAZ ishte plotësisht i bazuar në ligj, por synonte të nxirrte maksimumin e votave, që ato që u panë në vitin 2009-2010 të mos përsëriteshin më. Qëllimi ishte se propozimi ynë ishte formalisht që të përshpejtonte mënyrën e numërimit. E rëndësishme është se PD kishte një kërkese përshpejtimin e numërimit, që jo që ndodhi të mos ndodhte më.  Detyra e Komisionit të Zgjedhjeve është të administrojë procesin zgjedhor sipas standardeve kombëtare. Qëllimi ynë ishte 100 ZAZ, sepse besojmë se shqiptarët nuk kanë pse të presim orën 22:00 të ditës së hënë, por të dalë brenda një ore nga mbyllja e procesit të votimit”.

Kristaq Kume, ish- Kryetar i KQZ-së: “Kolegji Zgjedhor nuk urdhëron dot KQZ-në për ndarjen e ZAZ-ve”

 “Kolegji Zgjedhor për mendimin tim pasi pranoi kërkesën e PD-së, ai  nuk duhet të shqyrtonte çështjen në themel, pastaj ai merr vendimin që të urdhërojë KQZ-në , për të marrë vendim për të bërë ndarjen e ZAZ-ve. Pra, nuk është Kolegji Zgjedhor ai që duhet të bëjë ndarjen në kaq ose aq ZAZ. Kështu është e shkruajtur në nenin 145 të Kodit Zgjedhor në rastet e këtij lloj ankimimi. Sipas mendimit tim e gjithë kjo tregon që partitë politike janë duke shfrytëzuar në maksimum mundësitë që i kanë njohur vetes për të qenë ato administratore të procesit zgjedhor. Sepse vendimmarrja e KQZ-së në këtë rast është për këtë problem. Kjo nuk është një situatë e mirë, veçanërisht partitë politike nuk duhet të ndërhynin fare”.