At’ Nikolla Marku: “Janullatosi mbjell vetëm helmin e helenizmit në besimin ortodoks shqiptar”

537
Sigal

Politika greke, me reagimet e saj, do të na bëjë që ne  të jemi vasalë të Kishës Ortodokse greke

At’ Nikollë Marku, në intervistën ekskluzive për “Telegraf”,   pohon se, zaptimi me dhunë i Pallatit të Kulturës në Përmet nga disa besimtarë e priftërinj, nuk është as mbrojtje e ortodoksisë  dhe as e Kishës në përgjithësi, por mbrojtja e kultit të individit të Janullatos. Besimtarët ortodoksë, thotë At’ Nikollë Marku, duhet të respektojnë të shenjta edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sikurse edhe vetë Kishën.

– Zoti At’ Nikolla Marku, ngjarjet e Përmetit, ku besimtarët ortodoksë zaptojnë me dhunë Pallatin e Kulturës, ju si i vlerësoni?

– Ngjarjet e dhunshme në Përmet, ku disa besimtarë të verbuar dhe të urdhëruar sillen dhunshëm ndaj institucioneve shtetërore dhe historike, janë ngjarje të përsëritshme, të Kishës tonë që kanë ndodhur edhe në Elbasan.Poe njëjta skemë, e njëjta ndërtim, e njëjta veprimtari, të njëjtët njerëz. Na vjen keq, që Janullatosi erdhi për të ndërtuar Kishën Ortodokse Shqiptare, por, jo vetëm që na mori Kishën Ortodokse, investoi që të bënte edhe priftërinjtë ushtarë sulmues.

– Kush?

– Janullatosi.

Ata besimtarë ortodoksë që reagojnë me dhunë, për të marrë një institucion shtetëror e ta përdorin si kishë, kë mbrojnë?  Besimin ortodoks? Vetë Kishën përballë rrezikut?

– Ndërhyrja e Kishës Ortodokse greke, reagimi që bëri ministria e Jashtme greke dhe sulmi i disa priftërinjve e besimtarëve ndaj institucionit shtetëror e kundër vendimit Gjykatës Kushtetuese, kë mbrojnë? Nuk është ky as ortodoksia greke. Ata mbrojnë kultin e individit të Janullatosit. Duan ta bëjnë njeriun më të famshëm të kohës. Duan ta bëjnë  Janullatosin, njeriun më të shenjtë në Shqipëri.

– A mendoni se ka prapavijë politike, pas  reagimeve dhe dhunës që ushtrojnë besimtarët ortodoksë në Pallatin e Kulturës në Përmet?

– Unë mendoj se pas atyre reagimeve të disa besimtarëve ortodoksë në Përmet, duan të japin atë përshtypje që sikur gjithë besimtarët ortodoksë janë hidhëruar. Në asnjë mënyrë, askush tjetër besimtarë ortodoksë shqiptarë nuk është hidhëruar për atë punë. Duam që të zbatohet një vendim i Gjykatës Kushtetuese, të rivendoset nderi i kësaj gjykate. T’i jepet një mësim i mirë Janullatosit, që të mos bëjë më ndërhyrje të tilla, sepse nuk është e dobishme që të themi që Janullatosi sulmoi institucionet historike, dhunoi Pallatin e Kulturës, që për popullin  e Përmetit  ka qenë një nga vendet më të shenjta, sepse mbart dhe njehson historinë e tij. Janullatosi me dhunë mori edhe shkollën Normale në Elbasan dhe u detyrua ta kthejë. Po ta shikosh në esencë, edhe ministria e Jashtme greke ka vepruar shumë keq me reagimet e saj. Fan Noli ka thënë që ‘Kisha Ortodokse nuk është vetëm e ortodoksëve, por edhe e gjithë shqiptarëve’.

– Besimtarët a mund të zaptojnë me forcë institucione historike, për t’i kthyer në përdorim kishe?

– Ata që përdorën dhunë në Pallatin e Kulturës në Përmet, nuk mund të quhen besimtarë, edhe nëse kishin rrobën e njeriut të Zotit. Ata quhen tradhtarë, servilë, spiunë  në shërbim të politikave antishqiptare, derisa kryen një akt të dhunshëm në institucionin historik të Përmetit. Ata vetëm besimtarë nuk janë, sepse nuk kanë vajtur me fjalën e Zotit, por me urdhrin e atyre që u paguajnë.

– Besimtarët ortodoksë të Përmetit nuk kanë reaguar, por kanë vajtur njerëz nga Gjirokastra e gjetkë e përdorën dhunën. Me kë e lidhni këtë fakt?

– Puna është te shteti, i cili duhet të veprojë. Nuk mundet një besimtar fetar të ndërmarrë akte të tilla dhune, për të mbrojtur diçka që nuk është reale, që bie ndesh me vendimet e gjykatave. Si arrin besimtari që të besojë kreun e kishës së tyre, që është nënshtetas i huaj dhe nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Po të vihet në balancë ato, vendimet e Gjykatës Kushtetuese,  janë më të shenjta nga fjala e kreut të Kishës. Kishës ortodokse  Autoqefale shqiptare  nuk i ka ndodhur asgjë e keqe. Në një shtet ligjor e demokratik, edhe detyra e policit që mbron ligjin është po kaq e shenjtë sa edhe detyra e priftit.

– Nga data 12-17 gusht Janullatos ka bërë ca vizita në fshatrat e Korçës. Besoni  se rrëmujat e dhuna  në Përmet ka lidhje me vizitat e Janullatosit në Korçë?

Ai bën këto vizita, për të përgatitur mëkëmbësin e tij. Por Janullatosi gjuan gjetkë. Ai me këto rrëmuja kërkon të mësojë se pro kujt janë besimtarët ortodoksë shqiptarë? Se është problemi se cili do ta marrë kreun e Kishës Ortodokse shqiptare? Se edhe ai djalë që është në Korçë, Joan Pelushi, nuk vepron mirë. Në një takim që kam patur, më ka thënë, që në qoftë se Kisha Ortodokse, Dioqeza e Gjirokastrës nuk do të jetë bashkë me Kishën Ortodokse të Tiranës, atëherë, ajo mund të shkëputet, mund të bashkohet me atë të Janinës. Po si kalon Kisha nga territori shqiptar e bashkohet me atë greke? Pra helmi i helenizmit grek në Shqipëri mbetet për aq kohë sa kreu i Kishës  Ortodokse Autoqefale shqiptare të jetë një grek.

– A ka ardhur koha që t’i thuhet “Largohu!” Janullatosit, derisa mendon edhe  shkëputjen  e kishës shqiptare  e bashkimin me ato greke?

– Unë mendoj t’i propozohet shtetit shqiptar që të bëhet një referendum. Që statusi i Kishës Ortodokse autoqefale shqiptare, që është kthyer në një fole e filiale të kishës ortodokse greke, ai status që kemi ne dhe është aprovuar në 1937, akoma duhet të flejë në sirtarët e Patriarkanës? Në 2007 Janullatos ka bërë një status tjetër dhe nuk ia ka bërë të njohur shtetit tonë, si ligj, si akt juridik dhe gjoja nuk i jep rëndësi. Janullatosi me atë status do të thotë që çdo ortodoks shqiptar është ortodoks grek. Ndaj, koha është që Janullatosi të largohet dhe në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare të jetë një shqiptar, siç janë shqiptarë edhe besimtarët ortodoksë. Kokat e nxehta, sikurse Janullatosi, nuk sjellin harmoni fetare, por mbjellin vetëm helmin e helenizmit në besimin ortodoks shqiptar.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të shenjta sa edhe ato të Kishës

– A janë në të drejtën e tyre besimtarët ortodoksë që të zaptojnë me dhunë Pallatin e Kulturës, për ta kthyer në kishë?

E keqja qëndrojnë që, edhe besimtarët, cilitdo besimi fetar qofshin, pra edhe besimtarët ortodoksë, duhet të dinë mirë që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të shenjta, sikurse janë edhe vendimet e Kishës. Ato nuk diskutohen, sepse po u vunë në dyshim vendimet e Gjykatës Kushtetuese, atëherë, nuk ka më shtet. Nuk ka më asgjë. Besimtarët në ngjarjet e Përmetit janë të shtytur.

– Nga kush?

– Nga vetë kreu i Kishës Ortodokse që e kemi grekun. Se po të ishte shqiptar, nuk do të kishim këtë dhunë, sikurse urdhëron ai. Por, e keqja e atij sulmi nga një grusht besimtarësh, është dhuna që i bëhet institucioneve historike dhe indentitare shqiptare, rrëmbimi që na i bëhet historisë. Kjo është esenca që Janullatosi na sulmon me atë propagandë me shpurën e spiunëve që ka rreth vetes. Që janë jo shqiptarë.