Astrit Patozi, në Radion e Jashtme të Kinës: “ Risia kineze e PD-së”

499
Sigal

Së shpejti e djathta fillon nga puna për rikrijimin e grupeve komuniste në Shkodër dhe Korçë

 “Kjo vizitë, por edhe vizita të tjera të niveleve më të larta, do t’i përmirësojnë marrëdhëniet edhe më tepër, për shkak se dy vendet, përveç miqësisë tradicionale që ekziston, mund të rrisin bashkëpunimin me interes të ndërsjellë. Unë kam shumë besim se kjo vizitë do t’i shërbejë pikërisht këtij qëllimi”

Me të mbërritur në Tiranë nga udhëtimi për thellimin e bashkëpunimit partiak me PK të Kinës, nënkryetari i PDSH-së Astrit Patozi ka kundërshtuar në Parlament propozimet e opozitës: “Nuk kemi ndërmend t’i miratojmë paçavuret e depozituara”. Radioja e Jashtme e Kinës njofton se deputetët e PD-së Astrit Patozi, Ardian Turku, Rajmonda Bulku, Gjergj Papa, Edmond Spaho dhe Astrit Bushati janë frymëzuar në Kinë nga përvoja e komunistëve aziatikë në marrëdhëniet me opozitën. E djathta shqiptare po kërkon rrugët për të zbatuar modelin kinez të ndërtimit të kapitalizmit nën drejtimin e një force të vetme politike. Mësohet se një nga opsionet mund të jetë riemërtimi i partisë komuniste kineze dhe i partisë demokratike shqiptare, duke u quajtur parti komuniste-demokratike e Kinës dhe e Shqipërisë. Vetë kryetari i PDSH-së dhe Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se sukseset në Shqipëri dhe në Kinë u dedikohen PD-së dhe PK-së. Me këtë rast, të dy udhëheqjet e partive distancohen prej atyre liderëve që prishën marrëdhëniet mes PPSH-së dhe PKK-së në fund të viteve 1980. Vetë nr.2 i PDSH-së dhe kreu i grupit parlamentar blu Astrit Patozi deklaroi në Radion e Jashtme të Kinës: “Kjo vizitë, por edhe vizita të tjera të niveleve më të larta, do t’i përmirësojnë marrëdhëniet edhe më tepër, për shkak se dy vendet, përveç miqësisë tradicionale që ekziston, mund të rrisin bashkëpunimin me interes të ndërsjellë. Unë kam shumë besim se kjo vizitë do t’i shërbejë pikërisht këtij qëllimi”. Nuk ishte e rastit që lajmi i 29 gushtit 2012 i Radios së Jashtme të Kinës mbante titullin: “Kina dhe Shqipëria angazhohen për thellimin e bashkëpunimit partiak”. Bashkëpunimi partiak është vetëm me PD-në, e cila sundon Shqipërinë, ashtu si Partia Komuniste sundon Kinën. Ndërkohë që VOA shprehte shqetësimin për depërtimin kinez në ekonominë shqiptare, PDSH-ja i mëshon bashkëpunimit në nivel partiak me Pekinin. Kështu delegacionin e PDSH-së e pritën në Pekin nëndrejtorët e Drejtorisë së Marrëdhënieve të Jashtme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Çen Fengxiang dhe Zhao Lei si dhe nënkryetarja e Komitetit të Ligjeve të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, Xin Çunying. Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe funksionarët kinezë biseduan për nxitjen e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit dypalësh në fushën politike, ekonomiko-tregtare, etj. mes Kinës dhe Shqipërisë, njoftoi Radioja e Jashtme e Kinës.

Bie në sy përzgjedhja e kujdesshme e anëtarëve të delegacionit. Bënin pjesë dhe deputetë e krerë lokalë të PD-së së Shkodrës, Astrit Bushati dhe të Korçës, Gjergj Papa. Madje, Radioja e Jashtme Kinës e kishte veçuar Bushatin si “kryetari i degës së PD-së së Shkodrës”. Kurse Papa, sipas medies kineze, kishte deklaruar se është i rëndësishëm bashkëpunimi në nivel vendor mes Kinës dhe Shqipërisë, citon burimet zyrtare kineze “Investigim”. Dihet që Grupi Komunist i Korçës, ku militonte dhe Enver Hoxha, së bashku me Grupin Komunist të Shkodrës, ishin dy shtyllat që formuan Partinë Komuniste shqiptare. Por Stalini e urdhëroi Enver Hoxhën ta quanin PKSH-në PPSH. Tani është rasti, u tha në Pekin, që PDSH-ja të fillojë nga puna për rikrijimin e grupeve komuniste-demokratike të Korçës dhe Shkodrës, që në një perspektivë disavjeçare (meqenëse, sipas Berishës, opozita vjen në pushtet pas vitit 2030) PDSH-ja të shndërrohet në Parti Komuniste Demokratike të Shqipërisë. Është për t’u nënvizuar fakti që në rastin e vizitës së delegacionit parlamentar-partiak demokrat në vendin aziatik, ambasada kineze në Tiranë dhe media e Pekinit është treguar transparente, por kanë mbajtur heshtje të plotë selia blu në Tiranë dhe mediat afër saj. Me sa duket, në Partinë Demokratike kanë frikë se marrëdhëniet e ngushta me Partinë Komuniste të Kinës dhe direktiva sekrete për rikrijimin e grupeve komuniste në Shkodër dhe në Korçë, do të hasin kundërshtime në bazën e partisë, sidomos, në bastionet e saj të mësipërme. Po ashtu, do të viheshin në pozitë të vështirë Astrit Patozi në Tiranë, Kavajë dhe Vlorë, Rajmonda Bulku në ish-Kinostudion “Shqipëria e re” e Teatrin Kombëtar, Ardian Turku në Elbasan dhe Tiranë, Edmond Spaho në Korçë dhe Tiranë.