Astrit PATOZI / “Në Parlament është e vetmja zgjidhje e reformave”

632
Sigal

Dy ditë më parë ne nuk arritëm të miratojmë në Kuvend tre reformat e integrimit. Por unë e kam të vështirë të besoj dhe pranoj se të enjten dogjëm edhe shansin e fundit për të përmbushur një mision të madh. Ndaj, edhe jam këtu për t’i bërë një apel të fortë Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, që të mos e shndërrojmë në peng të shqiptarëve çështjen e statusit të kandidatit. Ndonëse sot është fundjavë, ndonëse ka mbetur edhe shumë pak kohë në dispozicion, jemi të gatshëm që në çdo orë të ulemi dhe të shqyrtojmë pa vonesë të tre projektet, që Brukseli pret të miratohen prej nesh. Le të mbledhim menjëherë komisionet parlamentare dhe të përgatisim në kohën më të shkurtër për në seancë dy ligjet dhe ndryshimet e rregullores. Maxhoranca nuk i shmanget asnjë debati dhe nuk i bën bisht asnjë ballafaqimi me cilindo faktor politik, aq më pak me forcën kryesore të opozitës. Por parlamenti është tryeza më përfaqësuese, që mund të organizohet, dhe po aty gjendet edhe e vetmja zgjidhje politike. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike mirëpret çdo propozim, çdo amendament dhe çdo sugjerim të palës tjetër për tre reformat. Ne jemi të hapur, gjithashtu, për çdo lëshim, në rast se opozita na e jep mundësinë. Javën e shkuar ne miratuam pa debat amnistinë. Është shumë trishtues fakti që biem lehtësisht dakord për lirimin e të burgosurve, ndërkohë që, duke mos votuar ligjet e integrimit, po burgosim aspiratën e madhe të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë. Mosvotimi i tre reformave dhe për pasojë humbja e shansit për marrjen in -extremis të statusit të kandidatit, do të ishte goditja më e rëndë që mund t’i bëhej 100- vjetorit të Pavarësisë. Asgjë nuk do ta justifikonte dështimin. Jo pas 100 vjetësh, por edhe pas një muaji, askush nuk do të na gjykojë ne se si e nderuam Ismail Qemalin dhe si e vlerësuam kontributin e Vlorës për shpalljen e Pavarësisë, por se çfarë bëmë ne që ky vend të ecte qoftë edhe një gjysmë hapi para drejt Europës së zhvilluar. Dhe, fatmirësisht, nuk po na kërkohet të rrokim armët për të luftuar, sepse Shqipëria nuk kërcënohet nga askush. Po na kërkohet thjesht të votojmë tre reforma. Detyra e parë dhe e fundit e çdo parlamentari. Dhe nëse e kemi të pamundur që të merremi vesh për ceremonitë e Përvjetorit, më mirë të zihemi për fishekzjarrët, numrin e flamujve dhe për emrat e atyre që do të mbajnë fjalimet, por t’i votojmë reformat e integrimit. Më mirë të vijonim garën primitive dhe aspak të denjë se kush e do më shumë Ismail Qemal dhe kush e do më pak Ahmet Zogun, por tek e fundit ta meritonim dhe merrnim statusin e kandidatit. Sepse, vetëm kështu do ta nderonim realisht 28 nëntorin. Shqiptarët na kanë votuar që të marrim vendime të drejta për të sotmen dhe të ardhmen e këtij vendi. Dhe asgjë më të vlefshme se integrimi nuk ka sot. Ndaj edhe ftoj grupin parlamentar të Partisë Socialiste të ulemi dhe pastaj të votojmë bashkërisht për të.